Sipas të priturit me padurim edhe sipas shpresës sime se nuk do të turpërohem në asgjë, po me çdo guxim, si gjithmonë, edhe tani do të madhërohet Krishti në trupin tim, ose me anë jete, ose me anë vdekjeje. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit është fitim.
Po në qoftë se të jetuarit në mishin tim është që të sjellë fryt puna ime, atëherë nuk di ç’të zgjedh. Sepse shtrëngohem nga të dyja, duke pasur nga një anë dëshirën të iki e të jem bashkë me Krishtin; sepse kështu është shumë më mirë; po nga ana tjetër qëndrimi im në mish është më i nevojshëm për ju.
Edhe këtë me siguri e di se do të mbetem dhe do të qëndroj bashkë me të gjithë ju, për mbarësinë tuaj e për gëzimin tuaj në besim, që të teprojë nëpërmjet meje mburrja juaj në Krishtin Jisu, me ardhjen time përsëri tek ju. Vetëm silluni e jetoni denjësisht në ungjillin e Krishtit, që të dëgjoj për ju, a kur të vij e t’ju shoh, a për së largu kur s’jam aty, se qëndroni në një frymë, duke u përpjekur së bashku me një shpirt për besimin e ungjillit.
Edhe Herod tetrarku dëgjoi gjithë ato që bëheshin prej atij; edhe mahnitej, sepse disa thoshin se Joani është ngjallur prej së vdekurish. Edhe disa, se Ilia u shfaq; edhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm.
Edhe Herodi tha: Joanit unë i preva kryet; po ky, për të cilin dëgjoj të këtilla punë, cili është? Edhe kërkonte ta shihte.
Edhe apostujt si u kthyen, i treguan Jisuit gjithë sa bënë; edhe ai i mori me vete dhe u hoq veçan në një vend të shkretë të një qyteti që quhej Betsaida.
Edhe turmat kur e morën vesh, i shkuan pas; edhe ai si i priti, u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe ata që kishin nevojë për shërim i shëroi.