E shtunë, 14 tetor 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 15:58-16:3.

Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, sepse e dini se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin. Edhe për mbledhjen e ndihmave për shenjtët, siç urdhërova kishat e Galatisë, kështu bëni edhe ju. Të parën ditë të çdo jave gjithësecili prej jush le të vërë mënjanë e le të mbledhë për sa ka mbarësi, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash. Edhe kur të vij, ata që të zgjidhni ju, do t’i dërgoj me letra, që të çojnë dhuratën tuaj në Jerusalem.

UNGJILLI - Llukai 6:1-10.

Edhe ndodhi që të shtunën e dytë pas së parës ai po shkonte nëpër të mbjellat; edhe nxënësit e tij këputnin kallinj e hanin, duke i fërkuar me duar. Edhe ca nga Farisenjtë u thanë atyre: Pse bëni atë që nuk lejohet ta bëni të shtunave? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk e keni lexuar as këtë që bëri Davidi, kur i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të? Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, dhe mori bukët e blatës, edhe hëngri, edhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të, të cilat nuk lejohet t’i hanë përveçse vetëm priftërinjtë? Edhe u thoshte atyre se i Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës. Edhe ndodhi që një tjetër të shtunë hyri në sinagogë, edhe i mësonte; edhe atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. Edhe shkruesit e Farisenjtë e vështronin, nëse do të shërojë të shtunën, që të gjenin akuzë kundër tij. Po ai i dinte mendimet e tyre e i tha njeriut, që kishte dorën e thatë: Ngrihu, dhe qëndro në mes. Edhe ai u ngrit e qëndroi. Jisui u tha pra atyre: Do t’ju pyes, çfarë lejohet njeriu të shtunave, të bëjë mirë apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të humbë? Edhe pasi i vuri re për rreth të gjithë ata, i tha atij: Shtri dorën tënde. Edhe ai bëri ashtu, dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.