E martë, 17 tetor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Filipianëve 2:16-23.

Bëni gjithçka pa murmuritje e pa kundërshtime, që të jeni faqebardhë e të pastër, bij Perëndie patëmetë, në mes të një brezi dredharak e të shtrembër, në mes të të cilëve ndriçoni si yje në botë, duke mbajtur fjalën e jetës, për mburrjen time në ditën e Krishtit, se nuk brodha më kot, as u nuk u mundova më kot. Po edhe në qoftë se bëhem spërkatje mbi flijimin dhe shërbesën e besimit tuaj, gëzohem e ngazëllohem bashkë me të gjithë ju; po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua. Edhe shpresoj në Zotin Jisu, të dërgoj së shpejti tek ju Timotheun, që të marrë zemër edhe unë, kur të mësoj punët tuaja. Sepse s’kam asnjë me të njëjtën mendje, që të kujdeset me çiltërsi për punët tuaja. Sepse të gjithë kërkojnë të vetat, jo ato të Krishtit Jisu. Edhe e njihni provën e tij, se, si bir me të atin, punoi bashkë me mua për ungjillin. Këtë pra shpresoj të dërgoj menjëherë, sa të marr vesh si do të shkojnë punët e mia.

UNGJILLI - Llukai 9:23-27.

Edhe u thoshte të gjithëve: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje. Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbë; edhe kush të humbë jetën e tij për mua, ky do ta shpëtojë. Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë gjithë botën e të humbë veten e tij a ta dëmtojë? Sepse kush të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe i Biri i njeriut do të ketë turp për këtë, kur të vijë në lavdinë e tij e të Atit e të engjëjve të shenjtë. Edhe me të vërtetë po ju them juve se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, të cilët nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë.