E shtunë, 21 tetor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 1:8-11.

Sepse nuk duam të mos dini, o vëllezër, për shtrëngimin tonë që na ndodhi në Azi, se vuajtëm jashtë mase, përmbi fuqinë tonë, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën. Po ne në veten tonë kishim marrë vendimin e vdekjes, që të mos kemi shpresë në veten tonë, po në Perëndinë që ngjall të vdekurit; i cili na shpëtoi prej një vdekjeje kaq të madhe, edhe na shpëton; në të cilin shpresojmë se edhe prapë do të na shpëtojë, kur të na ndihmoni edhe ju me lutjet për ne, që të bëhen falënderime për ne prej shumë vetash për dhuratën që na u dha me anë të shumë njerëzve.

UNGJILLI - Llukai 7:1-10.

Edhe pasi mbaroi gjithë fjalët e tij në veshët e popullit, hyri në Kapernaum. Edhe shërbëtori i një kryeqindëshi, që e kishte shumë të vlefshëm, ishte keq, gati për të vdekur. Edhe kur dëgjoi për Jisuin, dërgoi pleqtë e Judenjve tek ai duke iu lutur atij të vinte e të shpëtonte shërbëtorin e tij. Edhe ata erdhën te Jisui e i luteshin me të tepërt, duke thënë se është i denjë ai, të cilit do t’ia bësh këtë. Sepse ai e do kombin tonë, dhe sinagogën ai na e ka ndërtuar. Edhe Jisui ecte bashkë me ta. Edhe teksa ai ishte jo larg shtëpisë, kryeqindëshi dërgoi miq tek ai, duke i thënë atij: Zot, mos u mundo, sepse nuk jam i denjë që të hysh nën strehën time. Prandaj as veten time s’e gjykova të denjë të vij tek ti, por thuaj një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam një njeri nën urdhër, edhe kam nën veten time ushtarë. Edhe i them këtij: Shko, edhe shkon; edhe tjetrit: Eja, edhe vjen; edhe shërbëtorit tim: Bëj këtë, edhe e bën. Edhe Jisui, kur dëgjoi këto, u mrekullua prej tij, edhe u kthye e i tha turmës që i vinte pas: Po ju them juve, as në Izrael s’kam gjetur kaq besim. Edhe ata që ishin dërguar, kur u kthyen në shtëpi, gjetën shërbëtorin e sëmurë të shëruar.