Misteri i Martesës – Themelimi i Misterit

Themelimi i Misterit

Shpëtimtari ynë e lartësoi martesën në një Mister në Dhiatën e Re me anë të pranisë së Tij në martesë në Kanë të Galilesë, dhe me të gjitha ato fjalë që Ai u tha Farisenjve, për paprishmërinë e martesës, që përpiqeshin ta zinin ngushtë: “Atëherë iu afruan disa Farisenj për ta provokuar dhe i thanë: A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo? Dhe Ai duke u përgjigjur u tha atyre: ‘A nuk keni lexuar ju, se Ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër? Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm. Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë” (Mateu 19:3-6). Dhe sigurisht në Dhiatën e Re martesa nuk konsiderohet në mënyrë specifike Mister, por ajo krahasohet nga Shën Pavli me bashkimin mistik të Dhëndrit – Krishtit me Nusen – Kishën, për të treguar dashurinë që duhet të ketë burri për gruan. Dhe Shën Pavli shton: “Ky mister është i madh; por unë e them në lidhje me Krishtin dhe me kishën” (Efesianëve 5:32). Që do të thotë, bashkimi perfekt ndërmjet burrit dhe gruas në fillim të krijimit, nëpërmjet një lidhje të shenjtë, është në një kuptim të mistershëm, një shëmbëlltyrë dhe një ngjashmëri e bashkimit mistik të Krishtit me Kishën. Por Tradita e Shenjtë gjithmonë e ka pranuar martesën dhe e ka kremtuar bashkimin e burrit dhe të gruas si një Mister.

Martesa është një lidhje e për gjithë jetën, ajo është e pandashme, përveç rastit të mëkatit të frikshëm të pabesisë bashkëshortore, që është arsyeja e vetme për të prishur një martesë, të njohur nga Krishti dhe Kisha e Tij. “Por Unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën” (Mateu 5:32).

Orthodhoksia pranon se si burri ashtu edhe gruaja nuk e humbin personalitetin (individualitetin) e tyre, as nuk i konsiderojnë funksionet e tyre si të një personi të vetëm në martesën e tyre.  S’ka rëndësi kush janë dhe nga vinë, pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre, aftësitë dhe talentet e tyre , shkrihen në atë që fillon si procesi që drejton në një bashkim të lavdishëm të harmonizuar. Martesa e Krishterë, me hirin e Perëndisë, i jep burrit dhe gruas një mundësi për të përsosur bashkimin dhe dashurinë e tyre. Martesa është një përkushtim i përjetshëm ndërmjet burrit dhe gruas për të kërkuar së bashku shenjtërinë dhe për të krijuar një bashkim të ndershëm të bazuar në respektin reciprok, besnikërinë, butësinë, mirësinë, mirëkuptimin dhe dashurinë.

Sigurisht që ceremonia martesore në Kishën Orthodhokse është jashtëzakonisht e bukur dhe tërheqëse, e mbushur me simbolika domethënëse.  Veç kësaj ajo nuk është thjesht ceremoni por është një martesë. Vështirësira dhe probleme ka në çdo jetë njerëzore, por këto pengesa janë në një farë mënyre mundësi për të provuar dashurinë, besimin dhe besnikërinë. Rëndësi gjithashtu ka fakti se bashkshortët duhet të lënë mënjanë si për shembull; krenarinë, egoizmin, vetpëlqimin ose vese të tjera për të ruajtur martesën e tyre.  Lumturia në martesë mund të fitohet me anë të bujarisë, me anë të punës së ndershme dhe dashurisë së sinqertë. Një vëmendje të veçantë Kisha Orthodhokse e Lindjes iu kushton lidhjeve ku njëri është i besimit Orthodhoks ndërsa tjetri i përket një feje tjetër.  Kisha me qëllim që të kryejë Misterin e Martesës kërkon që personi që nuk i përket besimit Orthodhoks duhet së pari të pagëzohet dhe më pas të kryejë Misterin brenda Kishës Orthodhokse.

Martesa jashtë Kishës nuk konsiderohet martesë nga Kisha Orthodhokse. Nëse një çift kryen martesën vetëm nga autoritet civile por jo nga Kisha atëherë ai nuk mund të marrë pjesë në asnjë nga Misteret e Shenjta të Kishës Orthodhokse.  Ndërsa një çift besimtarësh të cilët janë të kurorëzuar në Kishën Orthodhokse  mund të marrin pjesë  plotësisht në Misterin e Jetës.

Le të theksojmë gjithashtu se martesa shkon përtej përmbushjes së dashurisë ndërmjet burrit dhe gruas, martesa dhuron jetë. Prandaj është kaq shumë e rëndësishme për jetën e çdo çifti, sepse Perëndia i fton të bëhen bashkpuntorët e Tij në krijimin e jetës. Ai i fton ata të bëhen trashëgimtarë të atij që quhet njerëzim.