Duke u falur në Frymë në çdo kohë me çdo lloj faljeje e lutjeje, edhe mbi gjithë këtë duke ndenjur zgjuar me çdo durim e lutje për gjithë shenjtorët, edhe për mua, që të më jepet fjalë për të hapur gojën time, që me guxim të bëj të njohur misterin e ungjillit, për të cilin unë jam lajmëtar në vargonjtë, që të flas për atë me guxim, siç më duhet të flas.
Po që t’i dini edhe ju të miat, çfarë bëj, të gjitha do t’jua tregojë juve Tihiku, vëllai i dashur dhe shërbëtor besnik në Zotin, të cilin për këtë e dërgova tek ju, që të mësoni punët tona, edhe që të ngushëllojë zemrat tuaja.
Paqe mbi vëllezërit, edhe dashuri me besë nga Perëndia Atë, edhe nga Zoti Jisu Krisht. Hiri qoftë bashkë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jisu Krisht me zemër të kthjellët. Amin.
Edhe dita nisi të thyhej; edhe të dymbëdhjetët erdhën pranë e i thanë: Lësho turmën të shkojnë nëpër fshatrat e arat për rreth, edhe të rrinë e të gjejnë ushqime; sepse këtu jemi në vend të shkretë. Po ai u tha: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata thanë: Tek ne nuk gjenden më tepër se pesë bukë e dy peshq; veç në shkofshim ne të blejmë ushqime për gjithë këtë popull. Sepse ishin rreth pesë mijë burra.
Edhe ai u tha nxënësve të tij: Vërini ata të rrinë togje-togje nga pesëdhjetë. Edhe ata bënë kështu, edhe i vunë të gjithë të rrinë. Edhe ai si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiell dhe i bekoi, e i theu, edhe ua dha nxënësve t’i vënë përpara turmës. Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën; edhe ngritën dymbëdhjetë kofinë me tepricën e copave.
Edhe ndërsa ai lutej veças, nxënësit ishin bashkë me të; edhe i pyeti, duke thënë: Cili thonë turmat se jam unë?