E diel, 8 janar 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Efesianëve 4:7-13.

Edhe gjithësecilit prej nesh iu dha hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit. Prandaj thotë: “Si u ngjit lart, skllavëroi skllavëri, edhe u dha dhurata njerëzve”. Edhe se “ai u ngjit”, ç’është tjetër, veçse edhe zbriti më parë në pjesët më të poshtme të dheut? Ai që zbriti, është ai që edhe u ngjit sipër gjithë qiejve, që t’i plotësojë të gjitha. Edhe ai dha që disa të jenë apostuj, e disa profetë, e disa ungjilltarë, edhe disa barinj e mësues, për përgatitjen e shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri sa të arrijmë të gjithë në bashkimin e besimit, edhe të njohjes së Birit të Perëndisë, në një njeri të përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit.

UNGJILLI - Mateu 4:12-17.

Edhe Jisui kur dëgjoi se Joani u dorëzua, iku në Galile. Edhe si la Nazaretin, erdhi e ndenji në Kapernaum që është pranë detit, në kufijtë e Zabulonit edhe të Neftalimit, që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë: “Dheu Zabulon edhe dheu Neftalim, në udhën e detit përtej Jordanit, Galilea e kombeve, populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, edhe atyre që rrinin në vend e në hije vdekjeje u lindi dritë”. Që atëherë Jisui filloi të predikojë e të thotë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.