E diel, 7 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 9:32-42.

Edhe Pjetri, duke shkuar nëpër gjithë ato vende, zbriti edhe tek shenjtët që ishin në Lidë. Edhe atje gjeti një njeri që e quanin Enea, i cili ishte i paralizuar e prej tetë vitesh i dergjur në shtrat. Edhe Pjetri i tha: Enea, Jisu Krishti të shëron. Ngrihu dhe shtro shtratin tënd. Edhe ai përnjëherë u ngrit. Edhe e panë atë gjithë ata që rrinin në Lidë e në Saron, edhe u kthyen në Zotin. Edhe në Jopë ishte një nxënëse që quhej Tavità, që e përkthyer do me thënë Sorkadhe; ajo ishte plot me punë të mira e me lëmosha që bënte. Edhe në ato ditë qëlloi të sëmuret e të vdesë; edhe si e lanë e vunë në një dhomë të sipërme. Edhe pasi Lida ishte afër Jopës, nxënësit, kur dëgjuan se Pjetri është në të, dërguan dy burra tek ai, duke iu lutur atij të mos përtojë të vijë deri tek ata. Edhe Pjetri u ngrit e shkoi bashkë me ta; sapo erdhi atë e ngjitën në dhomën e sipërme dhe i dolën përpara gjithë të vejat duke qarë e duke treguar këmishë e rroba, të cilat i bënte Sorkadhja, kur ishte bashkë me to. Po Pjetri, pasi i nxori të gjithë jashtë, u ul në gjunjë dhe u lut; edhe si u kthye nga trupi, tha: Tavità, ngrihu. E ajo hapi sytë e saj, edhe kur pa Pjetrin, u ngrit e ndenji. Edhe ai i dha dorën dhe e ngriti; edhe si thërriti shenjtërit e të vejat, e nxori përpara të gjallë. Edhe kjo u mor vesh nëpër gjithë Jopën; edhe shumë veta besuan në Zotin.

UNGJILLI - Joani 5:1-15.

Pas këtyre ishte e kremtja e Judenjve; edhe Jisui u ngjit në Jerusalem. Edhe në Jerusalem afër portës së Dhenve është një pellg uji që quhet hebraisht Betesda, edhe ka pesë kamare. Në këto dergjej një shumicë e madhe të sëmurësh, të verbrish, të çalësh, të paralizuarish që pritnin lëvizjen e ujit. Sepse kohë pas kohe zbriste një engjëll në pellg dhe trazonte ujin; ai pra që të hynte i pari pas trazimit të ujit, shërohej prej çfarëdo sëmundjeje që të kishte. Edhe atje ishte një njeri, që ishte i sëmurë tridhjetë e tetë vjet. Jisui kur e pa këtë se po dergjej, edhe mori vesh se tashmë prej shumë kohe ishte i sëmurë, i thotë: A do të shërohesh? I sëmuri iu përgjigj: Zot, s’kam njeri të më vërë në pellg kur trazohet uji; edhe kur vij unë, një tjetër zbret përpara meje. Jisui i thotë: Çohu, ngri shtratin tënd, edhe ec. Edhe përnjëherë njeriu u shërua, edhe ngriti shtratin e tij, edhe ecte. Edhe atë ditë ishte e shtunë. Judenjtë pra i thoshin atij që u shërua: Eshtë e shtunë. Nuk të lejohet të ngresh shtratin. Iu përgjigj atyre: Ai që më shëroi, ai më tha: Ngri shtratin tënd dhe ec. E pyetën pra: Cili është ai njeri që të tha: Ngri shtratin tënd dhe ec! Po ai që u shërua nuk e dinte cili është; sepse Jisui u shmang, se kishte shumë gjindje në atë vend. Pastaj Jisui e gjen atë në tempull, edhe i tha: Ja tek u shërove; mos mëkato më, që mos të të bëhet ndonjë gjë më e keqe. Njeriu pra shkoi dhe lajmëroi judenjtë se ai që e shëroi është Jisui.