E Diela e Thomait

E Diela e Thomait

Ngurrim dhe kapërcim
E Diela e Thomait (Jn. 20:19-31)

“Në mos pafsha në duart e tij shenjën e gozhdëve…”.

Tri lloj dekurajimesh
Në historinë e pasuesve të Krishtit pati shumë raste njerëzish, të cilët u thyen në një çast dobësie. Ngjarjet e Pësimit dhe Ngjalljes së Zotit na erdhën edhe më të gjalla gjatë javëve të fundit, duke na sjellë në vëmendje tri raste tipike: mohimin e Petros, rënien e Judës dhe veçanërisht sot frikën e Thomait.
Dekurajimi i Petros ishte një shprehje dobësie, pasojë e besimit të tepruar në përkushtimin e tij te Mësuesi. Rënia e Judës kishte si shkak humbjen e shpresës dhe pështjellimin e thellë. Ai e kishte përfytyruar ndryshe Mesinë dhe kur vërejti se Krishti i vërtetë nuk i ngjasonte idhullit që ai kishte krijuar në mendjen e tij, kërkoi ta largonte të Vërtetën dhe jo iluzionin e tij. Thomain e pengoi rrjedha e ngjarjeve të hidhura gjatë atyre ditëve të fundit. Ai tashmë ishte tejlodhur dhe ishte në kërkim të qetësisë në vetminë e tij.
Dhe në të tria këto raste, Zoti ndërhyn drejtpërsëdrejti. Në rastin e parë, të Petros, Zoti ia paratha të gjitha sa do të ndodhnin me të dhe pikërisht në çastin kritik, një vështrim i Zotit e ndihmoi Petron të kuptonte fajin, të dërrmohej në shpirt, të shlyente gabimin e tij, duke derdhur lot të hidhur. Në rastin e dytë, të Judës, ndërhyrja ishte më e dukshme dhe më e drejtpërdrejtë. Në dy raste kemi një kontakt të drejtpërdrejtë të nxënësit me Mësuesin: kur po hanin së bashku në Darkën Mistike dhe në kopshtin e Gjethsemanisë, atëherë kur puthi fytyrën e Tij. Por, ai nuk erdhi në vete, as në rastin e parë dhe as në të dytin. Më parë, gruaja e thjeshtë, që vuante prej hemorragjisë, ishte shëruar duke prekur me frikë dhe përgjëratë cepin e rrobës së Jisuit. Për nxënësin, kontakti me vetë trupin e Mësuesit nuk pati asnjë rezultat. Dhe, kur më vonë ndjeu turp për tradhtinë, në vend që të shkonte drejt pendimit, përfundoi në dëshpërim.

Në rastin e tretë, të Thomait, mjaftoi prania e thjeshtë e Zotit për ta sjellë në vete dhe për të rikthyer marrëdhënien dhe mirëbesimin e parë. Thomai ishte tërhequr në vetmi për të gjetur veten e tij. Krishti i ngjallur vjen në mes të komunitetit të nxënësve të Tij, në Kishë, për ta takuar personalisht. Ai vjen për ta gjetur në vendin e tij, duke respektuar mendësinë e tij. “Sill gishtin tënd këtu dhe shih duart e mia; dhe sill dorën tënde e vëre në brinjën time, dhe mos u bëj i pabesë, po besnik”. Dhe Thomai, nga ana e tij, reagon me shpejtësi, duke qenë aq i drejtpërdrejtë, sa të habit. Duke lënë mënjanë kushtet që vetë kishte caktuar, nuk e prek Zotin, por përgjigjet: “Zoti im dhe Perëndia im”. Thomai, që mendoj se ishte njeri mjaft kërkues e realist, vrapon jo vetëm të rrëfejë gabimin e tij, por edhe të shpallë bindjen e sigurt se ka përpara tij Zotin dhe Perëndinë e tij.
Një gabim që duhet ta shmangim; dy përparësi që duhet t’i imitojmë
Thomai kishte bërë një gabim thelbësor në rënien dhe në pengimin e tij. Ai u tërhoq nga komuniteti i nxënësve. Kështu e humbi shfaqjen e parë të Krishtit të ngjallur dhe zhgënjimi i tij zgjati dhjetë ditë të tëra, ndërsa për nxënësit e tjerë kjo gjë u kalua qysh në ditën e tretë. Por, zgjidhja e problemit që e shqetëson nuk arrihet në vetminë e tij, por kur kthehet në komunitetin e nxënësve. Atje e takon Jisui, dhe jo në vendin ku ishte tërhequr për të qenë vetëm. Me të vërtetë, sa shumë gjëra humbasim, kur tërhiqemi brenda vetes sonë dhe mbyllemi në mendimet tona, duke i kërkuar zgjidhjet në vetmi, larg shoqërisë së të tjerëve që e duan Krishtin, larg nga tërësia e nxënësve, larg Kishës së besimtarëve, që e ruan të gjallë kujtimin e Tij.
Por Thomai kishte dy virtyte, që ishin përparësi të rëndësishme. Së pari, ai kishte sinqeritetin, drejtësinë dhe ndershmërinë. Thomai ishte i vërtetë, nuk thoshte çfarë nuk besonte. Në ngurrimin e tij të ndershëm kishte një farë të fortë besimi, mbushur me një fuqi të fshehur, më e fortë dhe e qëndrueshme se ajo që kënaqet me pohimet sipërfaqësore të besimit.
Përparësia e dytë e Thomait, edhe pse u vonua të pranonte Ngjalljen, ishte kur u sigurua për të, e jetoi rrugën e tij me korrektesë deri në fund të jetës. Ai iu dha Krishtit me të gjithë shpirtin dhe përjetoi pasojat e besimit të tij. Ai e jetoi besimin deri në pikën më të skajshme. Siç na thotë tradita, ai ndërmori misionin e vështirë të Indisë dhe pikërisht atje e vulosi jetën me anë të martirizimit.

Për të gjithë ka një orë kritike
Zakonisht, pas analizave të tilla të pasazheve biblike, vazhdimi klasik është ftesa për të bërë një vëzhgim të brendshëm të vetes, mbështetur në pyetjen: “Po ne, në cilën kategori bëjmë pjesë?”. Përgjigjja nuk është kaq e lehtë, edhe për shkak të ndërlikimeve të jetës së secilit prej nesh, që sot ndjekim Krishtin. Kjo ndodh për faktin e thjeshtë, se në epokën tonë të pështjelluar kategoritë njerëzore nuk janë kaq të dallueshme. Me shumë gjasë, brenda shpirtit tonë dhe jetës sonë enden elemente edhe nga tri format e dekurajimit të analizuara më lart: dobësia momentale, dekurajimi i plotë dhe lodhja e përkohshme.
Por, veçanërisht, duhet të kemi kujdes se të tria këto raste kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Pësimin. Kur gjërat në jetën tonë zhvillohen normalisht (në çastet e pendimit dërrmues, kur ndihemi mirë shpirtërisht dhe të paqes së brendshme), ne e ndjekim Mësuesin me mjaft lehtësi. Por, kur përballemi me orët tragjike dhe kritike të dhimbjes, të sakrificës, të kryqit, atëherë një sistem i tërë i fuqive tona, që na shërbejnë për të ruajtur veten, na pengojnë, na gozhdojnë dhe nganjëherë na çojnë drejt rënies. Perëndia lejon tek të gjithë ne, që të vijë një orë kritike vuajtjeje, ku të provohet vërtetësia jonë, qëndrueshmëria dhe konsekuenca jonë. Shumë urojnë të mos kalojnë nëpër një sprovë të tillë, të mbërrijnë direkt në Ngjallje, pa kaluar Javën e Madhe. Por kjo lloj jete e krishterë nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
***
Në orët e lodhjes shpirtërore dhe kur rrëzohemi, le të sjellim në mendje spontanitetin e Thomait. Ngurrimi i tij ishte një temperaturë e lartë, por kalimtare, që në fund e forcoi shëndetin e besimit të tij. Thirrja e tij ngjallësore “Zoti im dhe Perëndia im”, ka qenë shpallja paskale më e qartë, më personale dhe vendimtare.
Kjo siguri personale, se “me të vërtetë u ngjall Zoti”, le të përmbushë edhe qenien tonë. Çfarëdolloj gjërash të thonë të tjerët, çfarëdo lloj pengesash të sajojnë gjithfarë regjimesh, sado të protestojë vetja jonë e dobët në orët e saj të turbullta dhe të lodhura, në përfundim të analizës, Krishtit të ngjallur i është dhënë “çdo pushtet në qiell dhe përmbi dhé” (Matth. 28:18). Ai është, jo vetëm në përgjithësi dhe në mënyrë abstrakte, Zoti i Botës, por “Zoti im dhe Perëndia im”. Kjo është një siguri e thellë personale, që asgjë nuk mund ta tronditë; as kërcënimet, as vështirësitë dhe as martirizimi në çfarëdolloj forme.

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)