E diel, 4 dhjetor 2022 – Leximet Biblike.

“Sot ju lindi juve një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht.”
(Luk. 2:11)
Sado që kemi në dispozicion komoditete, që u mungonin brezave të mëparshëm, sado të admirueshme që të jenë arritjet njerëzore në ditët e sotme, në thellësi, të gjithë kërkojmë më shumë dritë, më shumë të vërtetë, më shumë kuptim në jetën tonë. Mundimet, sëmundjet, skamja, vdekja vazhdojnë ende të na sundojnë. E liga, me një mijë fytyra, shtrin rrjetat e saj dhe tiranizon qenien dhe shoqërinë njerëzore. Kemi nevojë për shpëtim.
E kremtja e sotme, me mënyrën e vet të qetë, të gëzuar, shpresëdhënëse, na siguron: “Sot ju lindi juve një Shpëtimtar, i Cili është Zoti Krisht” (Luk. 2:11). “Ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Matth. 1:21).
Të gjithë sa u bëmë të denjë të besojmë te Krishti, e dimë se Zoti ynë nuk ishte thjesht një profet unikal, një mësues i ndriçuar, një reformator shpirtëror dhe shoqëror, por, përtej dhe mbi të gjitha këto, Ai është Biri i Perëndisë së gjallë; Ai që mori natyrën njerëzore, që e ngriti në lartësi të pakonceptueshme për intelektin njerëzor; Ai që u bë njeri, për ta bërë njeriun Perëndi, “mori formën tonë dhe e hyjnizoi atë”.
Ai është Shpëtimtari i njerëzimit dhe i secilit prej nesh personalisht. Sigurisht, nëse do të duam të bëhemi pjesë të Trupit të Tij, të Kishës së Tij. Sepse Krishti është Shpëtimtar që respekton lirinë njerëzore dhe e bën njeriun me të vërtetë të lirë, të aftë që të ketë dashuri. Në figurën e Perëndi-njeriut, gjinisë njerëzore i zbulohet Perëndia i pakuptueshëm si dashuri; dhe atyre që lidhen me Të u ofrohet mundësia thelbësore e dashurisë dhe e “komunikimit” të çdo personi njerëzor me Perëndinë Triadik dhe me njerëzit e tjerë që janë ikona të Tij.
Atij, pra, i Cili “erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarët” (I Tim.1:15), “t’u japë lajmin e mirë të varfërve”, “t’u predikojë skllevërve liri, dhe të verbërve hapjen e syve, dhe të dërgojë ata që janë nën mundim në liri” (Luk.4:18), i përgjërohet secili prej nesh, veçanërisht në këto të kremte, me mirënjohje dhe aspiratë:
Që të na shpëtojë nga mëkati ynë personal, i cili na robëron dukshëm ose fshehurazi.
Që të na çlirojë nga frika, ankthi dhe situatat pa rrugëdalje, që shpesh na rrethojnë.
Që të na lirojë nga egoizmi ynë i ndërlikuar, që na tiranizon dhe shkatërron mundësinë e komunikimit me njerëzit rreth nesh.
Që të na shpëtojë prej shkurajimit që na heq guximin dhe na çon në pasivitet e melankoli.
Shpëtimtarit Krisht, I lutemi, në veçanti këto ditë, me shpresë për shoqërinë tonë:
Që të na mbulojë me dashurinë e Tij dhe të shërojë plagën e thellë të fëmijëve të luftërave dhe të përndjekjeve.
Që të shpëtojë rininë tonë nga idhujt e rremë, që me maskime moderne magnetizojnë masën e njerëzve, duke përdorur fuqinë e mjeteve të informacionit.
Që t’u japë durim dhe pritshmëri atyre që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, nga skamja apo vetmia.
Që të japë fuqi qëndrese, sa herë që e keqja imponohet, viciozët mbizotërojnë, padrejtësia sundon.
Që të frymëzojë ata që administrojnë çështjet e përbashkëta të jenë të ndershëm, të drejtë dhe të përgjegjshëm.
Që të shndërrojë shoqërinë tonë, nga grup individësh, në “shoqëri dashurie” personash.
Atij, Shpëtimtarit, “i Cili është Zoti Krisht”, I drejtojmë lutje, duke I kërkuar të shpëtojë botën tonë:
Të shpëtojë popujt e dheut nga çmenduria e luftës dhe të stabilizojë paqen e brishtë në rajonin tonë.
Të shpëtojë njerëzimin nga makinacionet e shumë të fuqishmëve, që etjen e tyre për pushtet e fshehin nën deklarata të bujshme dhe nën interesim hipokrit për begatinë tonë.
Të shpëtojë planetin tonë, krijesën që Ai na fali, nga shkatërrimi që ka shkaktuar lakmia njerëzore dhe shfrytëzimi arrogant i natyrës.
***
“Sot ju lindi juve një Shpëtimtar, i Cili është Zoti Krisht”. Jisui lind dhe bën shpëtimin e botës me një mënyrë të pazakontë, të qetë. Me ardhjen e Tij të pazhurmshme në botë, me grazhdin, me Kryqin. Në kundërshtim me mjetet moderne që trumbetojnë fuqinë, zhurmën dhe suksesin. E gjithë pamja e Krishtlindjeve ndriçohet nga zgjedhja dhe pranimi i dobësisë njerëzore nga vetë Perëndia. Bota mbushet me shpresë nga buzëqeshja e një fëmije, e Jisuit të porsalindur, e Fjalës së Perëndisë dhe nga dashuria e heshtur e një nëne të re, Hyjlindëses, e cila përfaqëson gjënë më të mirë që ka njerëzimi.
Jisui vjen të lindet sot në qenien tonë në të njëjtën mënyrë të pazakontë. Dhe të gjithë sa e pranojmë, zbulojmë se shpëtimi brenda nesh dhe rreth nesh, nuk kryhet me trumbetime, por shpesh brenda përjetimit të heshtur të pamundësisë dhe të dashurisë. Misterin e Shpëtimit (që fillon me Trupëzimin e Fjalës së Perëndisë, që arrin kulmin me flijimin shpërblyes dhe Ngjalljen e Krishtit, dhe përmbushet me lartësimin e natyrës njerëzore në fronin e Perëndisë) e përjetojmë në mënyrë mistike, të përulur dhe thelbësore, në çdo Eukaristi Hyjnore.
Por, Shpërblyesi, të Cilin vështrojmë sot me shpresëtari dhe aspiratë, i ka edhe Ai sytë tek ne. Dhe na thërret, që pas Eukaristisë dhe lutjes sonë, të bëhemi edhe ne bashkëpunëtorë në veprën që Ai kryen në Histori. Të jemi pjesëtarë të gjallë të komunitetit eukaristik të Kishës, të Trupit të Tij mistik, që vazhdon veprën e Tij shpëtimtare në botë. Kisha, ku bëjmë pjesë, nuk është një komunitet i mbyllur që interesohet vetëm për shpëtimin e anëtarëve të saj. Është e hapur ndaj gjithë botës.
Dhuratat e Perëndisë nuk i mban për vete, por ua ofron të gjithëve, pa përjashtim, të mirëve dhe të ligjve, besimtarëve, besëpakëve, madje edhe jobesimtarëve. Ajo jeton, vepron, lutet “për gjithë botën”. Dhe kjo “deri në atë kohë që të vijë” (I Ko- rinth. 11:26) përgjithmonë, Ai, Zoti.
Me këtë siguri të patundur te Shpëtimtari Krisht, i Cili erdhi dhe mbetet i bashkuar me njerëzimin dhe do të vijë përgjithmonë me fuqi dhe lavdi, për të sjellë “qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët rri drejtësia” (II Petr. 3:13), me këtë besim të pathyer se Ai është pandërprerë bashkë me ne, le të vazhdojmë, vëllezër, përpjekjen e jetës sonë, që shpëtimi të cilin na e solli Ai, të bëhet më i prekshëm brenda nesh, në shoqërinë dhe botën tonë.
Krishtlindje të lumtura, plot ngazëllim, me ndjenjë të fuqishme të pranisë së Shpëtimtarit Krisht në jetën tonë, në jetën e botës.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
“Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh.”
(Luk. 2:10)
Pas surprizës së parë nga pasuria e përvojës fetare që jetuam në Shqipëri pas persekutimit, gjendemi tani përpara një rreziku të padukshëm: T’i vëmë të vërtetat tronditëse të jetës që zbulon Ungjilli i krishterë në korniza festive; të shndërrojmë piramidën për shpëtimin e gjinisë njerëzore, Lindjen e Shpëtimtarit, në një festë piktoreske të një shoqërie konsumi, ku shkëmbejmë në mënyrë mekanike urime të papërcaktuara.
Sigurisht, këto ditë duhet të kemi gëzim të ve-çantë; të thellë dhe të vërtetë. Veçse, jo duke u larguar për pak nga bezdia e rutinës së përditshme, por duke marrë fuqi dhe hir, që t’i bëjmë ballë jetës me urtësinë dhe perspektivën e besimit që na fali Biri i Perëndisë, që u bë njeri.
I
“Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë, për një gëzim të madh…”. Barinjtë u frikësuan nga drita e paparë që i rrethoi. Frika e tyre nuk kishte të bënte me frikë të shpirtit, por me nderim përpara pranisë verbuese të engjëjve. Zakonisht, frika u detyrohet preteksteve dhe arsyesve të tjera. Sidoqoftë, shprehja ungjillore “Mos u frikësoni” mbetet aktuale për çdo gjendje dhe formë frike. Shpeshherë, madje edhe mbas ngjarjesh të tmerrshme në dukje, mund të gjendet një mesazh i shumërëndësishëm i Providencës së Perëndisë. Por edhe atëherë kur frikën e krijon ndërgjegjja fajtore ose vrazhdësia dhe urrejtja e njerëzve apo edhe ana tragjike e kushteve të jetës, megjithatë, përsëri, qëndron shprehja “Mos u frikësoni”. Sepse “me ne është Perëndia”, i Tërëurti dhe i Gjithëpushtetshmi; i Cili nuk pushoi së vepruari në mënyra të panjohura dhe të çuditshme duke u dhënë zgjidhje problemeve më të komplikuara dhe më të errëta.
“Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh”. Shpëtimtari i porsalindur vjen të shpëtojë njeriun nga robëria e mëkatit: nga egoizmi, gënjeshtra, shfrytëzimi, padrejtësia, ankthi. Vjen t’i zbulojë dashurinë e pakuptueshme të Perëndisë dhe t’i japë hirin dhe mundësinë që të ketë dashuri pa interes.
Trupëzimi hyjnor solli në botë gëzim të pallogaritshëm, sepse i zbuloi njeriut Perëndinë. Dhe më tej, i zbuloi njeriut veten e vet – fisnikërinë e prejardhjes së tij dhe madhështinë e destinacionit të tij. Biri i Perëndisë “pa u ndarë nga natyra hyjjnore mori pjesë prej brumit tonë. Krishti lindi i dynatyrshëm, duke dashur të përplotësojë botën e sipërme”. Duke marrë natyrën njerëzore u bashkua përherë me të, e ndryshoi dhe e ngriti deri në fronin e Perëndisë.
Gëzimi i Krishtlindjes është “i madh”, sepse iu referohet problemeve thelbësore të qenies njerëzore dhe të shoqërisë, duke përqafuar gjithë spektrin e jetës së njerëzimit deri në mbarimin e skajshëm të saj. Dhe mesazhi arrin kulmin në lajmin e pakuptueshëm se tanimë pas trupëzimit të Birit të përjetshëm të Perëndisë, njeriu mundet të bëhet pjesëtar i natyrës dhe lavdisë hyjnore.
Ky gëzim i pamohueshëm “është i gjithë popullit”. Nuk destinohet vetëm për disa të zgjedhur, por për çdo njeri, të varfër apo të pasur, të sëmurë apo të shëndoshë, të ditur apo të paditur, të drejtë apo mëkatar. Krishti i fton në Mbretërinë e Tij të gjithë pa përjashtim – duke treguar dashuri të veçantë për të “vegjlit”, të vuajturit, të huajt dhe të përndjekurit. Dhe ky “gëzim i madh” duhet të transmetohet dhe të gjallërojë çdo popull, pa dallim race, gjuhe apo prejardhjeje, përderisa Krishti merr gjithë njerëzoren, thellësinë e qenies së naty- rës njerëzore dhe jo diçka nga lëvozhga e jashtme e saj. Prandaj “të gjitha sot mbushen me gëzim”.
II
Një pranim i tillë i gëzueshëm i mesazhit të Krishtlindjes nuk çon në ndonjë largim metafizik nga realiteti i ashpër imediat i jetës sonë. Leximet ungjillore të së kremtes nuk përshkruajnë vetëm pjesëmarrjen lavdëruese të engjëjve, faljen adhuruese të barinjve dhe të magëve. Paralelisht, me një thjeshtësi prekëse, regjistrojnë indiferencën e akullt të mjedisit, padyshueshmërinë e shoqërisë në të cilën lind Krishti, e vetmja shpresë e botës. Zbulojnë një bashkekzistencë paradoksale gëzimi, shprese dhe dhimbjeje. Nuk flasin vetëm për paqe, por edhe për përndjekjen e pamëshirshme që fillon kundër Paqebërësit që në vitet e foshnjërisë së Tij.
Tipi i lëkundshëm i Herodit, me fobitë e tij paranoike dhe ashpërsinë e tij të padruajtur, mbetet simbolizmi shekullor i pushtetit të të fuqishmëve të herëpashershëm, që synon të zhdukë të pafajshmit e pambrojtur. Kështu shprehja e Ungjillit “Mos u frikësoni” fiton gjithë intensitetin tragjik, por edhe fuqinë e Tij shpëtimtare, ngaqë është e mbështetur në çifte antitezash: fëmija i pafajshëm, në emrin e të cilit “do të përgjunjet çdo gjë nga qielloret, të dheshmet dhe të nëndheshmet” – përballë indiferencës anonime dhe tiranisë emërore.
Princi i paqes ballë për ballë me egoizmin egocentrik, çnjerëzor.
Dhe të gjitha këto antiteza theksojnë më tepër mesazhin: “Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh…” Ka shpresë edhe atëherë kur gjendemi në vuajtje të ashpra dhe kushte të zymta shtypjesh dhe dekadence. Fjalën e fundit në Historinë vetjake, kolektive dhe botërore, nuk e kanë planet djallëzore të urrejtjes, egoizmit, dhunës dhe padrejtësisë, por dashuria e Perëndisë Triadik “që kapërcen çdo dituri”, e cila zbulohet me Trupëzimin e Fjalës Hyjnore. Prandaj kemi të drejtë të shijojmë gëzimin në shpresë.
Këtë gëzim të qenësishëm Krishtlindjesh, që asgjëson çdo lloj kërcënimi dhe frike, ju uroj vëllezër të mi. Një ngazëllim të brendshëm, të qëndrueshëm; që nuk injoron realitetin e ashpër të jetës sonë, por që ka fuqinë ta shikojë në sy, ta mposhtë me qetësi dhe ta transformojë me durim.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Gëzohuni vëllezër,
Për festën e shenjtë,
Gëzohuni popuj,
Se Krishti u lind,
Shpërndan Ai kudo mirësi të pafund,
Me varfërinë e grazhdit i ëmbli Jisu.
Marshoni përpara,
Me besë dhe me shpresë,
Se Krishti këtë ditë,
Ka lindur për ne,
Gëzimi dhe paqja përhapen kudo,
Dhe brenda zemrës së tij,
të krishterit besnik.
Profeti Sofonia. Dëshmorët Agapi e Selefki. Dëshmor Gliqeri. Dëshmor i ri Angjeli.
“Mister i çuditshëm po kryhet sot! Natyra ripërtërihet dhe Perëndia bëhet njeri.”
I
Për të tretin vit sivjet kremtojmë të lirë Krishtlindjen, pas natës kohëgjatë të pondweeds maniake ateiste. Herodët e këtij vendi përndoqën gjithashtu me mani Jisu Krishtin, madje, besuan se me terrorizmin që ndërmorën, i kishin larë hesapet përfundimisht me Të. Mirëpo, Krishti me Nënën e Tij të Tërëshenjtë, kësaj here gjetën strehë të fshehtë jo në ndonjë vend tjetër, por në shpirtrat e dhe burrave të panumërt të Shqipërisë, duke u falur atyre shpresë, qetësi dhe kryesisht së brendshmi, dinjitetin njerëzor, kur sistemi totalitar e nëpërkëmbte pa mëshirë. Sot, në vendin tonë ka mungesa, nevoja dhe aspirata të shumëllojshme. Por, kryesisht ka dëshirë të zjarrtë për mirësi, bukuri, shpresë dhe humanizëm.
II
E kremtja e madhe e Krishtlindjes vjen me një mënyrë të qetë dhe të thellë, për të na shfaqur çfarë është njeriu, cilat janë të drejtat e tij supreme, cilat janë mundësitë e tij. Mes dhimbjes së frikshme të përplasjeve të përgjakshme, që herë pas here lëndojnë planetin tonë dhe kohët e fundit, drejpërdrejt rajonin tonë dhe që tregojnë se ashpërsia dhe mizoria e njerëzve nuk njohin kufi, është nevojë jetike të vëmë re të vërtetën tjetër të madhe, që na zbulon Ardhja e Krishtit në tokë: se, megjithatë, njeriu është përfundimisht dhe në mënyrë të pakonceptueshme më i madh se ç’ka kujtuar vetë ai.
Zemër e mesazhit të së kremtes së Krishtlindjes është se Fjala-Perëndi vjen midis nesh që të marrë natyrën tonë, ta transformojë njeriun, ta lartësojë, ta shpëtojë nga mëkati, që mposht çdo gjë njerëzore, si kanceri dhe SIDA trupin. “Me të vërtetë i madh është misteri i besimit: Perëndia u shfaq në mish…” (1. Tim. 3:16). Përmbajtjen e mrekullueshme antropologjike të kësaj ngjarjeje e përmbledh Shën Grigori i Nisës: “Fjala që u shfaq, prandaj e bashkoi veten me natyrën e vdekshme njerëzore, që të bashkëhyjnizohet njerëzorja përmes komunikimit me Hyjninë”. Që atëherë, çdo njeri thirret të arrijë në diçka të madhe të pakonceptueshme: Të bashkohet me Krishtin, dhe në Të, me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, të marrë jetën e përjetshme, të eci drejt hyjnizimit. Ky “hyjnizim” nuk nënkup- ton bashkimin e njeriut me Qenien e paafrueshme hyjnore, siç e koncepton panteizmi, por komuni- kim, pjesëmarrje në energjitë e pakrijuara të Perëndisë, përzierje me lavdinë e Tij. Kryhet në Krishtin dhe është dhuratë e Hirit të Tij.
Por, zbulesa e krishterë, duke theksuar se Perëndia i pafund dhe i paafrueshëm mori natyrën njerëzore, nënvizon gjithashtu vlerën e pakufishme të këtij trupi dhe të gjithë krijesës. Besimi i krishterë nuk ka mbështetur një çlirim të frymës e të shpirtit nga vargonjtë e trupit, si filozofi dhe fe të tjera. Materia, kozmosi, janë gjithashtu krijime të Perëndisë së vetëm dhe jo të ndonjë fuqie tjetër. Materia nuk përbën ndonjë substancë që jeton në mënyrë të pavarur nga Krijuesi. Asgjë nuk është e padenjë për Perëndinë, me përjashtim të mëkatit. “Lindje të pakuptueshme kremtojmë sot”, “që përtëriti ligjet e natyrës”.
III
Nën buqetën e ndritshme të këtyre të vërtetave që rrezaton Krishtlindja, mund të rishohim me një mënyrë tjetër veten tonë, njerëzit rreth nesh, botën. Me më shumë realizëm, predispozicion kritik, por edhe me optimizëm. Dhe të shtrojmë disa pyetje që ndihmojnë në një kontroll shpirtëror vetjak. Çfarë bëjmë me veten tonë? Me shpirtin, por edhe me trupin tonë? Kemi vënë re të drejtën më të rëndësishme të tij? Që të jetë në thelb njeri? A i përgjigjemi natyrës sonë më të thellë? Apo lëmë veten si pluhura metalikë të sharrës në dinamizmin e shoqërisë sonë tekno-elektronike? Kohët e fundit kemi zhvilluar domosdoshmë- risht një ndjeshmëri të veçantë për evoluimin tonë të brendshëm, lirinë, drejtësinë. Por çfarë bëhet me evoluimin tonë të brendshëm, lirinë e brend- shme dhe pjekurinë?
Për sa u përket njerëzve rreth nesh, a i shohim me respektin e duhur, si ikona të Perëndisë, në lëvizjen e tyre drejt shëmbëllesës, me durim, tole- rancë, shpresë për zhvillimin e tyre në përgjithësi, pa bërë dallime? Ajo që i jep njeriut tjetër vlerë të pamatë nuk janë origjina e tij, dijet e tij, aftësitë e tij, pamja e tij e jashtme, pasuria, por fakti se është njeri. Krishti, duke marrë natyrën njerëzore, i fali njeriut, çdo figure njerëzore, vlerë të paimagjinueshme. Jisui u përul, që të kujtojë gjithmonë dinjitetin e të përulurve. U përndoq, që të theksojë qendrueshëm dinjitetin e të përndjekurve padrejtësisht. Jetoi varfërisht, që të mos harrohet dinjiteti i të varfërve. Mërgoi, që të kujtojë dinjitetin e të mërguarve. Vuajti, duke u dhënë dinjitet atyre që vuajnë. U mundua kur qe fëmijë, që njerëzit e Tij të mos munden të harrojnë dinjitetin e fëmijëve të gjithë botës.
Me ngjarjen e Trupëzimit i gjithë njeriu si unitet psiko-somatik, fiton një vlerë të papërshkruesh-me dhe e gjithë krijimtaria njerëzore një rëndësi të veçantë. Prandaj, edhe trupi mistik i Krishtit, Kisha e Tij, tregojnë interesim të drejtpërdrejtë për botën e tërë, për çdo gjë që ka lidhje me natyrën dhe jetën njerëzore, për shëndetin, edukimin, artin, politikën, veprimtarinë shoqërore, për të gjitha shprehjet e qytetërimit njerëzor. Prandaj, i krishteri e ka për detyrë kujdesin për botën materiale, e cila ngazëllohet dhe shenjtërohet me ardhjen dhe praninë e Krishtit.
IV
Duke vështruar figurën e Fjalës-Perëndi, që mori trup për ne, duke sjellë ndër mend shembullin e Tij dhe duke thithur fuqi nga komunikimi me Të, të gjithë sa dëshirojmë të jemi të Tijtë, le të gëzojmë dinjitetin hyjnor që na fali, në çdo situatë që të gjendemi. Dinjitetin e brendshëm, që jep besimi, ndershmëria, pastërtia, e vërteta.
Dhe madje, le të mos tregohemi indiferentë për ambientin natyror, sistemin ekologjik brenda të cilit jetojmë. Eshtë koha që të marrë fund shkatërimi i bukurisë së vendit që na fali Perëndia, ndotja e vendbanimeve tona. Njeriu lidhet drejtpërdrejt me natyrën. Çdo krijim, shpirtëror dhe material, me ardhjen e Krishtit në botë, ka rifituar rëndësinë e vet. Dhe meriton respektin dhe kujdesin tonë.
Dhe, para së gjithash, le të respektojmë dhe të mbështesim dinjitetin e njerëzve tanë të afërt dhe të largët. Ku ka padrejtësi, le të bëhemi faktorë drejtësie; ku ka shkelje të të drejtave të njeriut, le t’u gjendemi të shtypurve. Ku ka përplasje, le të bëhemi faktorë paqeje. Ku ka dëshpërim, faktorë shprese. Ku ka skamje, le të nxitojmë me dashuri, me vepra; ku ka vetmi, le të japim një prani dashurie, veçanërisht këto ditë.
Le të urojmë, të festojmë Lindjen e Shpëtimtarit dhe Vitin e Ri me këtë mënyrë: duke kultivuar mundësitë që na fali Fjala e Trupëzuar e Atit. Duke u sjellë me respekt për krijesën dhe duke mbështetur, me fuqinë e Shpirtit, dinjitetin njerëzor kudo dhe kurdoherë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Si grazhdi është zemra ime e përulur
Në Betlehem, në stallë përdhe
Dashuri ku të psalin qiejt
Eja të lindësh brenda zemrës sime.
Të ndiej dua prapë gëzimin
Në forcën e tronditjes së besës
Dhe poshtë në krahët e engjëjve (2x)
Të them dhe unë; Lavdi më të lartat.
Dashuri ku të përulen barinjtë
Brenda në zemrën time u kthyen prapë
Me adhurim të thellë ju ofroj (2x)
Të sjell për ju livan edhe smirnë.
….
Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti.