Sprovat dhe prania e Perëndisë – Krishtlindje 2015

Klerit dhe popullit shpresëtar,
Bij fort të shtrenjtë më Zotin,
«Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.»
1. Shqetësim, dhimbje dhe frikë shtrihen sot në jetën tonë. Varfëri shumëformëshe, emigrime, privime të vështira për t’u përballuar. Shpërthime terroriste agresiviteti e dhune. Dhe pikërisht brenda kësaj trazire, e kremtja e Krishtlindjes vjen si dritë e tërëshkëlqyer ngushëllimi, paqeje dhe shprese.
Ngjarjet në lidhje me Lindjen e Krishtit, siç i përshkruajnë ungjillorët Matthe dhe Lluka, theksojnë se Jisu Krishti, ende foshnjë, përballet me një sërë vështirësish. Lindet pas një udhëtimi të gjatë të së Tërëshenjtës, Nënës së Tij, në një vend të varfër në Bethlehem, banorët e të cilit sillen ftohtë dhe indiferentë. Pason urrejtja e të fuqishmëve, plani djallëzor i Herodit, një persekutim i palogjikshëm dhe i padrejtë, që E detyron të gjejë strehë në Egjipt. Por, në çdo hap të vështirë të jetës së Jisuit të vogël mbizotëron prania e Perëndisë Atë.
Pra, le të mos çuditemi dhe të mos e humbasim mendjen kur gjendemi para vuajtjeve, armiqësive, padrejtësive, varfërisë, indiferencës dhe rrugëve pa krye. Sprovat janë pjesë e jetës njerëzore. Le të mësojmë të përballemi paqësisht me to. Mbi të gjitha, me besim dhe shpresë në përkujdesjen dhe praninë e Perëndisë. Madje edhe në fazat e errëta të jetës sonë, kur na shtrëngojnë kërcënime, privime, sëmundje, dështime, kumbon në mënyrë ngushëlluese vargu i Psalmistit: “Nëse eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga të këqijat, se ti me mua je” (Ps. 22:4).
Ndjesia e pranisë së kudondodhur dhe të përhershme të Perëndisë na ngushëllon, na fuqizon dhe na siguron rezistencë e paqe në dhimbje dhe në hidhërime. Gjithashtu, e mbush shpirtin me dritë ngazëllimi në kohë suksesi e krijimi.
2. Njohja e pranisë dhe e përkujdesjes së Perëndisë në botë ishte një e vërtetë e pranuar qysh nga zbulesa e Dhiatës së Vjetër. E Reja tronditëse që thekson e kremtja e Krishtlindjes është, se Perëndia jo vetëm që është i pranishëm në botë, por se Biri dhe Fjala e Tij “u mishërua”, mori natyrën njerëzore. Kjo zbulesë e dallon besimin e krishterë nga besimet e tjera fetare. Simboli i besimit të krishterë nënvizon: “Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri”.
Që nga ai çast, të gjithë sa besojnë në Atë dhe pagëzohen në emrin e Trinisë së Shenjtë bëhen gjymtyrë të trupit mistik të Krishtit “që është Kisha” (Kol. 1:24). Marrin Hirin dhe fuqinë për të qëndruar “në Atë”, të gjenden në një kungim personal me Krishtin.
Përjetimi që e paqëson besimtarin e krishterë është diçka më intensive sesa prania e thjeshtë hyjnore. Është “kungimi” ekzistencial me Fjalën e Perëndisë të bërë njeri, me Jisu Krishtin. “Fjala e Shfaqur, për këtë arsye e bashkoi veten e tij me natyrën e vdekshme të njerëzve, që ta bashkëhyjnizojë njeriun nëpërmjet kungimit me Hyjninë”, siç na e shpjegon shën Grigori i Nisës. Me “mishërimin” e Tij, Biri i Perëndisë na ofroi të drejtën e pakonceptueshme “për të qëndruar në Atë”, për të marrë pjesë mistikisht në jetën e dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Ungjillori Joan e formuloi në mënyrë lakonike të vërtetën e mrekullueshme, që e përmbledh në Dhiatën e Re: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16).
Krishti në mënyrë të përsëritur iu referua misterit të marrëdhënies së Tij me Atin e Tij Qiellor. “Besomëni se unë jam tek Ati, dhe Ati tek unë” (Jn. 14:11). Dhe “ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë” (Jn. 8:29). Në këtë marrëdhënie kungimi me Atë i fton të gjithë nxënësit dhe apostujt e Tij, ku me qartësi deklaroi: “Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai” (Jn. 14:23). Pra, parakusht për “kungimin” me Perëndinë është përshtatja e sjelljes sonë me fjalën e Tij, me vullnetin e Tij, me parimet që Ai përcaktoi: me drejtësinë, dashurinë për të vërtetën, zemërgjerësinë, faljen, dëlirësinë, përulësinë dhe vetësakrifikimin.
* * *
Vëllezërit e mi, dhurata më e madhe që na ofrojnë Krishtlindjet, është siguria se Perëndia “është me ne”. Perëndia i pafund dhe i tërëfuqishëm, i pakohshëm dhe i panxënshëm, Ai që është Dashuri, hyri në kohën dhe në hapësirën tonë. “Dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16). Ai që do dhe ndien vazhdimisht praninë e Perëndisë, kungimin me Fjalën e Tij të bërë njeri, nuk ka frikë askënd dhe asgjë. “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1Jn. 4:18), çdo formë frike.
Le të lutemi që Perëndia në Trini të na japë Fuqinë e Tij, që të mos përkulemi nga hidhërimet, padrejtësitë, vuajtjet që ngrihen në rrugën tonë; që të mbështesë ndjesinë e pranisë së Atit qiellor, sigurinë se në qendër të historisë njerëzore mbizotëron Emanueli- Krishti. Dhe me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, sprovat të transformohen në mundësi pjekurie shpirtërore dhe shenjtërimi.
Krishtlindjet le të na sjellin paqe, Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!
Me dashuri të thellë më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Shenjtori i ditës – 11 dhjetor

Oshënarët Danieli e Llukai, stilitë. Dëshmor Varsava Persiani. Dëshmor Miraku.

E diel, 11 dhjetor 2022 – Leximet biblike

Të mahnitshme janë ndërhyrjet e Perëndisë. Kapërcimi i së pamundurës – Krishtlindje 2014

Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

“ Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.”
(Himn nga Mëngjesorja e Krishtlindjes)

Të papritura janë mënyrat me të cilat vepron Perëndia; të pakapshme për logjikën njerëzore. Ngjarjet e Krishtlindjes na sigurojnë për këtë të vërtetë.
Jisu Krishti, Shpëtimtari i botës, nuk vjen në historinë e njerëzimit si ushtarak apo qeveritar i tërëfuqishëm. Nuk imponohet me anë të fuqisë, pasurisë dhe diturisë së jashtme. Lind në një vend të varfër, në grazhdin e një stalle, në një ambient jomikpritës, indiferent deri në armiqësor. Nëna e Tij e dhembshur, “e mbështolli me shpërgënj dhe e vuri të rrijë në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Llk.2:7).
Bërja njeri e Fjalës së Perëndisë gërshetohet me rrethana kundërshtuese dhe rrugë të shumëllojta pa krye. Para Lindjes, Josifi i drejtë skandalizohet dhe do që të braktisë Nënën e tërëdëlirë të Jisuit. Banorët e Bethlehemit tregojnë indiferencë të plotë për të Tërëshenjtën që është gati të lindë. Ende foshnjë, Jisui kërcënohet nga mania e Herodit paranojak. Mes këtyre kërcënimeve zgjidhja vjen me energji hyjnore në bashkëpunim me virtytin njerëzor të Josifit “të drejtë” dhe të Marisë së panjollëshme.
Rrëfimet e Ungjillorëve për Lindjen na zbulojnë se përkujdesja e Perëndisë ndjek rrugë të panjohura më parë. Kjo ka vlerë jo vetëm për mbarë historinë njerëzore, por edhe për historinë tonë personale. Sa më shumë që lidhemi me Krishtin, me besim të thellë dhe bindje të plotë te vullneti i Tij, problemet e shumëllojta personale, familjare e shoqërore zgjidhen paqësisht. Njëkohësisht, me frymëzimin dhe fuqinë e Tij hyjnore mundemi edhe ne të kontribuojmë në kapërcimin e rrugëve të ndryshme pa krye: Duke çelur hapësira mirëkuptimi dhe pajtimi atje ku të gjitha janë të vulosura nga zemërngurtësia, dyshimi i lig, mendjeshkurtësia, urrejtja, fanatizmi.
Paralelisht, ngjarjet historike të Lindjes së Krishtit përcaktojnë shembullin e jetës për ata që E pasojnë me devocion. Jisui u përul, duke theksuar vlerën e të përulurve. Lindi në vend të varfër, që të mos përbuzen të varfrit. U persekutua, duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. Vuajti, duke frymëzuar dhembshurinë për ata që heqin keq. U mundua si fëmijë, që të mos harrojmë të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të botës.
* * *

Por, ekziston edhe një tjetër dimension i Krishtlindjes, ai theologjik dhe kozmologjik, që na e zbulon Ungjillor Joani. Ai thekson faktin se Misteri i madh i Lindjes lidhet me mbarë krijesën: “Në fillim ishte Fjala,… dhe Fjala ishte Perëndi… Dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne” (Jn. 1:1,14). Ungjillori hedh dritë mbi misterin e Mishërimit që përbën kapërcimin e së pamundurës nga ana njerëzore dhe na fton të shikojmë kuptimin dhe perspektivën e tij më të thellë.
Me gjithë përkimet e vjetra me filozofinë antike greke dhe përpunimin e saj hebraik, koncepti i Fjalës merr një kuptim të ri theologjik tek Ungjilli sipas Joanit. Fjala është Jisu Krishti, Krijuesi i gjithësisë, drita dhe jeta e njerëzimit, i Cili u bë njeri për shpëtimin e botës. Shën Joan Gojarti e përmbledh këtë shkurt: “Dhe mos kërko se si. Se atje ku do Perëndia, kapërcehet rregulli i natyrës. E deshi, e bëri atë të mundur. Zbriti (në tokë) shpëtoi. …Ndërsa ishte Perëndi, bëhet njeri, pa reshtur së qeni Perëndi. Por nuk u bë njeri me tjetërsim të Hyjnisë dhe as u bë përsëri nga njeri Perëndi me zhvillim progresiv. Por, duke qenë Fjala pa pësim, pa kurrfarë tjetërsimi mori mish, pa ndryshuar natyrën e Tij hyjnore” (Migne P.G.56:385-386). Në personin e Krishtit u bashkuan natyra hyjnore dhe ajo njerëzore.
Perëndia i paafrueshëm dhe i pafund mori natyrën njerëzore, duke nxjerrë në pah vlerën e pafundme të njeriut, si në entitetin e tij shpirtëror, ashtu edhe në atë trupor. Si rrjedhojë, ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është origjina e tij, raca, dijet, aftësitë e tij, gjinia, paraqitja e jashtme, pasuria, por fakti se është njeri.
Shumë, nuk e pranojnë të vërtetën e mishërimit të Fjalës. “Sepse besimi nuk është tek të gjithë” (2Thes.3:2). Ungjillor Joani e nxjerr këtë në pah: “Erdhi në të tijtë dhe të tijtë nuk e pritën atë” (Jn.1:11). Judenjtë që e prisnin si Mesi, nuk e njohën si Shpëtimtar. Të tjerë e quajtën si “dobësi” faktin që “Perëndia u shfaq në mish” (1Tim.3:16). “Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë me anë të tij” (Jn.1:12). Falë besimit të tyre, Perëndia u fal aftësinë dhe pushtetin që të bëhen jo vetëm pasues të Tij, por “bij të Tij”, duke u hapur atyre rrugët për kapërcimin e mëkatit dhe të vdekjes, që të bëhen “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:3-4). Kjo mundësi unikale vihet në veprim brenda Trupit mistik të Krishtit “që është Kisha”, me hirin dëlirësues të Mistereve.
Sigurisht këto të vërteta nuk imponohen as me dhunë, as me forma intelektuale. Ato mund të përqasen dhe përjetohen “në besim”. Dhe Kisha na fton të përqasemi në këtë mënyrë, veçanërisht në të kremtet e mëdha.

* * *

“Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.”
E kremtja e Krishtlindjes, vëllezërit e mi, na kujton kushtet specifike dhe vështirësitë në të cilat eci, qysh foshnjë, Jisu Krishti, por, mbi të gjitha, faktin se Ai është Fjala, i Cili u mishërua“dhe banoi ndër ne”. Shpesh edhe ne përballemi me kundërvënie të pakapërcyeshme. Le të mos e humbasim mendjen. Besimi në Krishtin fal bindjen se nuk jemi të vetëm në një botë të ashpër. Fjala e mishëruar e Perëndisë mbetet në mënyrë të pandërprerë me ne. Ai jep kuptim, dritë dhe fuqi në çdo fazë të jetës sonë. Ai çel udhë në vende të vështira për të kaluar. Ofron mundësinë e kapërcimit të asaj që është e pamundur nga ana njerëzore. Me sigurinë se “të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë” (Llk.18:27), le të kremtojmë Krishtlindjen, duke marrë frymëzim, besim, qëndrueshmëri dhe shpresë në sprovat e vogla ose të mëdha, në problemet tona personale dhe sociale.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të na sjellë paqe!
Me dashuri të thellë më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Vlera e pakonceptueshme e jetës njerëzore – Krishtlindje 2013

Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Unë erdha të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10).

Në epokën tonë, në deklaratat publike, mbisundon theksimi i dinjitetit të njeriut. Por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore, është ajo që zotëron në të kremten e sotme: Biri i Perëndisë së gjallë, të paafrueshëm dhe të tërëfuqishëm, mori natyrën njerëzore, u bë njeri. Ky vazhdon të jetë mesazhi qendror mahnitës i Krishtlindjes. Perëndia nuk dërgoi engjëj për shpëtimin e botës, nuk mori formën e një krijese tjetër, por u bë njeri. Në këtë mënyrë theksoi qartazi vlerën e jetës së njeriut në vetvete dhe shfaqi shenjtërinë e çdo qenieje njerëzore. Por, njëkohësisht, Ungjilli zbulon se Krishti erdhi për të lartësuar natyrën njerëzore, që t’i injektojë asaj jetë me bollëk. Pra, e kremtja e sotme, në të gjitha dimensionet dhe perspektivën e saj, është mbi të gjitha e kremtja e jetës.
Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës.
1. Duke e nisur së pari nga jeta jonë, është koha të shikojmë me kujdes gjërat që i quajmë të vetëkuptueshme. P.sh. siç është detyrimi ynë për të ruajtur më së miri jetën tonë biologjike, duke shmangur shpërdorime, pasione dhe gabime që e cenojnë dhe e minojnë dhe duke u përkujdesur për të zhvilluar të gjitha potencialet tona shpirtërore. Si një qelizë e gjallë e racës njerëzore, kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të kultivuar të gjitha dhuratat tona, të gjithë spektrin e krijueshmërisë sonë dhe që t’i ofrojmë njerëzimit gjënë më të mirë që disponojmë. Madje, edhe në çastet më të errëta të dëshpërimit, le të sjellim ndër mend vlerën e pakapërcyeshme të jetës dhe se, në asnjë rast, nuk kemi të drejtë ta shkatërrojmë vetë me duart tona. Sprovat e shumëllojshme të jetës njerëzore, vështirësitë e shëndetit, varfëria, përndjekjet, shpifjet, shpesh çelin horizonte të reja shpirtërore dhe ekzistenciale.
Të përthithur nga përkujdesja për jetën tonë të përditshme, zakonisht neglizhojmë dimensionin tjetër që Krishti, Biri i Perëndisë çeli me ardhjen e Tij. Ai erdhi të na udhëheqë drejt një lulëzimi dhe frytshmërie shpirtërore, të na ofrojë “të tepërtën edhe të kësaj jete; pra, kjo është gjëja më e vyer, pjesëmarrja e përsosur e Shpirtit të Shenjtë” (Shën Kirilli i Aleksandrisë). “Me të tepërt” ka kuptimin e plotësisë cilësore që fal prania e Shpirtit jetëbërës tek ata “që mbeten në Krishtin”.
2. Drejtimi i dytë i meditimit krishtlindësor duhet të shikojë në forcimin e respektit ndaj jetës së bashkënjerëzve tanë. Kërcënimet e ndryshme kundër jetës, aktet vrastare, konfliktet e përgjakshme, kamxhikojnë realitetin e përditshëm. Me gjithë pretekstet e ndryshme, marrja e një jete njerëzore përbën jo vetëm krim ndaj viktimës, por në përgjithësi, është krim kundër njerëzimit.
Por përbuzja e jetës nuk kryhet vetëm me akte kriminale dhe dhunë të shumëllojshme. Njerëz të panumërt kërcënohen nga forma të ndryshme padrejtësie në sferën sociale dhe private. Padrejtësia i çon shumë njerëz drejt privacioneve, varfërisë dhe mjerimit. Diçka që vepron, pa u dalluar qartë, kundër jetës njerëzore, është indiferenca ndaj cilësisë së jetës së bashkënjerëzve tanë. Ky fenomen nuk dënohet nga ligji, por nuk resht së minuari jetë të panumërta njerëzore. Madje në një epokë krizash, siç është kjo e jona, indiferenca shpesh kthehet në vdekjeprurëse. Detyra imediate e të gjithëve ne, është të mbrojmë çdo jetë njerëzore me ndihmë konkrete, të shprehur në praktikë dhe solidaritet aktiv, duke mbështetur me fjalë dhe vepra, me dashuri të sinqertë, ata që ndodhen në sprova, ata që i ka plagosur varfëria, sëmundja dhe dëshpërimi.
Njëkohësisht, detyrimi i të krishterëve të ndërgjegjshëm është edhe dëshmia se përpos jetës biologjike, ekziston edhe një jetë e një cilësie më të lartë: ajo shpirtërore që fal dhe nxit besimin, që mundëson hapjen e zemrës sonë në zonën e Shpirtit. Një jetë që lëviz vazhdimisht duke u transformuar së brendshmi me sigurinë se Krishti erdhi “… që kushdo i cili shikon Birin dhe beson në atë të ketë jetë të përjetshme…” (Joani 6:40).

* * *

“Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10).
Mesazhi mahnitës i Krishtlindjes është se Biri i Perëndisë së Paafrueshëm u bë njeri. Bërja njeri e Fjalës Hyjnore shpall me bujë, vëllezërit e mi, vlerën e jashtëzakonshme të jetës njerëzore. Por në të njëjtën kohë, zbulon se Krishti erdhi të na injektojë një jetë më të lartë, “pjesëmarrjen e përsosur të Shpirtit”, që shtrihet në përjetësi.
Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore. Në të njëjtën kohë, le të forcojmë respektin për jetën e bashkënjerëzve tanë, duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën që e minojnë atë. Le ta mbështesim me solidaritetin tonë dashuror.
Krishtlindje të bekuara, me përpjekje të ndërgjegjshme për një shoqëri më njerëzore! Me frymëzimin e Krishtit, Viti i Ri le të jetë sa më shumë njerëzor!

Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Durim me zemër të gjerë – Krishtlindje 2012

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Zoti i drejtoftë zemrat tuaja… në durimin e Krishtit” (2 Thes. 3:5)

Shpëtimtari i botës, ardhjen e të Cilit kremtojmë në Krishtlindje, nuk erdhi në tokë si një udhëheqës plot ngut dhe i vrullshëm për të ndryshuar përnjëherësh realitetin mëkatar. Fjala e Perëndisë, i bërë njeri, nuk kërkoi të ndreqë gjithçka në pak kohë, të imponojë me forcë parimet që shpalli për një shoqëri të drejtë. Që në vitet e para të pranisë së Tij në historinë e njerëzimit, u soll me një DURIM të mahnitshëm: durim ndaj indiferencës së banorëve të Bethlehemit që nuk i ofruan as edhe një strehë të thjeshtë. Durim ndaj armiqësisë paranojake të pushtetit politik, që ndjeu se po kërcënohej dhe rendi të marrë masat më të dhunshme kundër Tij. Durim në kushtet e të qenurit i huaj, kur u detyrua, së bashku me nënën e Tij dhe mbrojtësin e Tij Josif, të gjejë strehë në një vend të huaj, në Egjipt. Dhe më vonë, për shumë kohë, punoi si punëtor krahu, me durim, duke marrë pjesë heshturazi në mundimin e popullit të thjeshtë.
Dhe kur mbërriti koha për misionin e Tij publik, për të krijuar parimet e një shoqërie të re dashurie, të Kishës, për shpalljen e së vërtetës, të paqes dhe të drejtësisë, përsëri tregoi durim të paepur: durim ndaj mospranimit të mesazhit të Tij nga skribët intelektualë dhe farisenjtë në dukje shpresëtarë, durim ndaj shpifjeve të pabaza, durim ndaj sjelljeve zemërngushta dhe mendjengushta të të Tijve. Durim ekstrem në poshtërimet e bëra nga ushtarët e pagdhendur të absolutizmit romak. Durim në kulmin e martirizimit të kryqit.

* * *
Ndërsa kundrojmë personin e Mesias që po vjen, le të mendojmë më me kujdes rreth “durimit të Krishtit”. Dhe le të kërkojmë nga Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit (Rom. 15:5), Perëndia i dashurisë, të orientojë drejt këtij durimi zemrat tona.
Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar, ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Sigurisht, kur flasim për durimin e krishterë, nuk nënkuptojmë përballje pasive, një lloj qëndrimi stoik, një formë nirvane, heqje dorë nga përgjegjësitë dhe kërkesat e drejta, indiferencë për aksion social. Krishti artikuloi fjalë kritike- le të sjellim në mendje predikimet e Tij,- me fjalë të ashpra- le të kujtojmë zinxhirin e fjalëve “mjerë” kundër skribëve dhe farisenjve (Matth. 23:33). Dëboi nga tempulli ata që e kishin bërë “shtëpi tregtie” (Matth. 21:33, Mark. 11:17). Por njëkohësisht na fton të mësojmë prej Atij, i Cili është “i butë dhe i përulur në zemër” (Matth.11:29), durimin e thellë të brendshëm, që të gjejmë paqen dhe ekuilibrin në shpirtrat tanë.
Durimi i krishterë nuk përbën dobësi karakteri. Përkundrazi, ngjason me fuqinë e frenave që mbron nga aksidentet, që garanton sigurinë e udhëtimit. Mjerë ai që guxon të udhëtojë me makinë ose aeroplan që nuk kanë frena të fortë. Frenat e sigurt presupozojnë fuqi. E njëjta gjë ndodh edhe me durimin. Ai i transformon edhe hidhërimet, edhe sprovat më të mëdha. Nga përvoja e tij personale, apostull Pavli na siguron: “…se hidhërimi sjell durim, durimi sprovë (karakter të sprovuar), ndërsa sprova shpresë, shpresë e cila nuk turpëron” (Rom. 5:3-5).
Me anë të durimit, njeriu përdor më mirë fuqitë e tij intelektuale dhe sentimentale. Durimi i bashkuar me këmbënguljen e paqtë, çel kalime në shumë rrugë pa krye: në marrëdhëniet familjare, në krizat e shëndetit, në vështirësi të ndryshme ekonomike, gjatë procesit të edukimit, në hulumtimin shkencor, në përpjekjet krijuese. E udhëheq njeriun drejt pjekurisë. “Durimi vepër të përsosur ka, që të jeni të përsosur dhe të plotë duke mos mënuar në asgjë” (Jak.1:4).
Shkrimi i Shenjtë na ka dhënë shumë shembuj të durimit, nga të cilët më të njohurit janë ai i Avrahamit (Hebr. 6:15), i Jovit (Jak.5:11) dhe i Hyjlindëses. Por veçanërisht na fton të imitojmë “durimin e Jisuit”: “Me durim le të vrapojmë në betejën që qëndron përpara nesh, duke e pasur vështrimin te kryetari i besimit dhe përsosësi Jisu” (Hebr. 12:1-2,4). Dhe me shikimin tonë të përqendruar tek Ai, le të përballemi me durim zemërgjerë me sprovat që na dalin përpara. Në mënyrë të veçantë, të gjithë ata që përhapin Ungjillin, të vërtetën e Krishtit në kufijtë e vjetër dhe të rinj, sa janë “dhjakonë” dhe të dërguarit e Tij, janë thirrur në një pjesëmarrje më të ngushtë në veprën dhe Pësimin e Tij “në durim të shumtë, në hidhërime, në nevoja, në shtrëngime… (2 Kor. 6:4).
Mbi të gjitha kërkohet durim në ditët tona, për të arritur reciprocitetin dhe unitetin e brendshëm shpirtëror, për të cilat ka nevojë vendi, për ta kapërcyer krizën. Me durim do ta fitojmë jetën tonë (shih Llk. 23:19).
* * *
Të gjitha sa nxirren në pah në këto ditë kremtuese, vëllezërit e mi- paqja, dashuria, shpresa dhe durimi që theksuam ditën e sotme- janë gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu siç ndërlidhen në trupin tonë organet jetësore, sistemi nervor, i qarkullimit të gjakut dhe ai muskulor. Secili ndërvaret, mbështet dhe fuqizon tjetrin. Pra durimi nuk është aspak i veçuar dhe autonom. Vepron së bashku me besimin (sistemi nervor), shpresën (ai muskulor) e me dashurinë (sistemi i qarkullimit të gjakut) e cila “i duron të gjitha” (1 Kor. 13:9).
Le ta lusim fort Zotin, “Perëndinë e dashurisë” në këto festa të Krishtlindjeve që të orientojë mendimet tona drejt kësaj forme durimi, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë edhe me zemrat tona. Të na orientojë drejt “durimit të Krishtit” të paqtë, të fortë, rrezatues, të paepur. Dhe “Dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë vitit të ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara.

Krishtlindje të bekuara!
Me të gjithë dashurinë time më Krishtin
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Shenjtori i ditës – 10 dhjetor

Dëshmorët Minai, Hermogjeni, Efgrafi. Dëshmorët Gemeli, Mariani. Oshënar Thoma Defurkinos.

E shtunë, 10 dhjetor 2022 – Leximet Biblike.

Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore – Krishtlindje 2011

Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16)
Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi themelor i të kremtes së madhe që feston sot bota e krishterë. Madje edhe mendja më e guximshme nuk e kishte përfytyruar se “vetë Perëndia i paafrueshëm dhe i pakapshëm do të merrte natyrën njerëzore dhe do të shfaqej në mish”. Për logjikën klasike, diçka e tillë i takon sferës së të pamundurës.
Pikërisht, këtë kapërcim të së pamundurës nga ana njerëzore festojmë sot me madhështi. Dhe thirremi ta gëzojmë, pavarësisht realitetit të ashpër që përjetojmë. Biri dhe Fjala e Perëndisë u bë njeri, hyri në historinë njerëzore. Fakti “që u shfaq” nënkupton jetën e mëparshme e të përjetshme të Fjalës. “Duke qenë Perëndi dhe Bir i Perëndisë e duke pasur natyrën të padukshme, u shfaq në të gjithë, duke u bërë njeri (Theodhoriti, episkopi i Kiros). Liria e Perëndisë nuk njeh cak. Po ashtu dhe dashuria e Tij, që është cilësia e Tij thelbësore.
“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14). Biri dhe Fjala e Perëndisë, duke marrë trupin njerëzor shfaqi njëkohësisht vlerën e pashtershme dhe rëndësinë unikale që ka kjo krijesë e Tij e mrekullueshme. Dhe zbuloi se qëllimi final i njeriut është të bëhet banesë e Perëndisë. Me bërjen e Tij njeri, Krishti shfaqi dinamikën e lirisë dhe të dashurisë së Perëndisë personal, e pakapshme kjo për mendjen e njerëzore. I vendosi marrëdhëniet njerëzore me Atë mbi një bazë të re.
Të gjithë sa vështrojmë me besim e dashuri te Biri dhe Fjala e Perëndisë që u bë njeri, e kuptojmë se Ai mbetet përfundimisht rruga (Jn.14:6) që udhëheq mrekullisht nëpër shtigjet e jetës. Dhe shumë nga ne kemi përvojë vetjake, se atje ku të gjitha duken të mbyllura e të errëta, Ai hap rrugë shpëtimtare.
Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore, që na zbulojnë Krishtlindjet, nuk shpallet me trumbeta dhe me premtime pompoze publike. Ndërhyrjet e Perëndisë mbeten për çdo kohë jo të zhurmshme e mistike. Ato i karakterizon thjeshtësia dhe përulësia, ndërkohë që ruajnë origjinalitet të jashtëzakonshëm. Dhe këto ndërhyrje vazhdojnë në shekuj.
Ligjet e natyrës që rregullojnë botën nuk e përjashtojnë ndërhyrjen e Perëndisë Krijues, Ligjvënës dhe Providencial. Me lirinë dhe dashurinë e Tij, nuk resht së vepruari, kur Ai e gjykon me vend, për kapërcimin e së pamundurës nga ana njerëzore, me mënyra të mrekullueshme. Sigurisht, kur nuk ekziston besimi te Perëndia i dashurisë, i Cili është i lirë nga çdo lloj nevoje, njeriu mohon mundësinë e mrekullisë. Ndërkohë, i krishteri pranon me përulësi pafuqishmërinë e natyrës njerëzore dhe i kërkon Atij, i Cili është i pafund dhe i tërëfuqishëm, t’i falë mundësinë e përmbilogjikshme dhe ndriçimin për të pranuar mrekullinë.
Kohët e fundit, kushtet e vështira për shkak të krizës së përgjithshme morale dhe ekonomike kanë çuar në rrugë të shumta pa krye. Në këtë atmosferë të mjegullt e mbytëse, e kremtja e Krishtlindjeve vjen që të dhurojë dritë ngushëlluese. Të sigurojë se Biri i Perëndisë u bë njeri që të qëndrojë gjithmonë “me ne”. Perëndia nuk na braktis, edhe kur shpesh E harrojmë dhe sillemi sikur të mos ekzistojë.
Krishti shfuqizon me mënyra të mrekullueshme të pamundurat nga ana njerëzore. “Se nuk ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë” (Lluk. 1:37). Por nuk është “Deus ex machina” i tragjedisë antike. Ai respekton lirinë tonë dhe shpreson që edhe ne të vëmë në përdorim mundësitë që i ka falur natyrës sonë njerëzore.
Ekzistojnë shumë gjëra që rëndom i quajmë “të pamundura”, të cilat ftohemi t’i kapërcejmë me hirin e Tij, duke filluar nga ato që kanë lidhje të drejtpërdrejtë e personale. Në pamje të parë, çlirimi nga pasionet tona, nga dashuria e sëmurë për veten, lakmia, epshi trupor, gënjeshtrat, nga indiferenca ndaj drejtësisë dhe ligjshmërisë, ndaj solidaritetit me të tjerët ngjan pothuajse e pamundur. Për më tepër, njëkohësisht shprehemi se është “e pamundur” të ndërmarrim iniciativa që lypin sakrifica, për hir të bashkësisë më të gjerë shoqërore. Në të kundërt, besimi dhe marrëdhënia personale me Krishtin, shpengojnë dhe vënë në lëvizje fuqi të fshehura brenda nesh për kapërcimin e të pamundurave nga ana njerëzore. Njëkohësisht injektojnë energji jetësore të mahnitshme në shpirtin njerëzor, që të rezistojë në kushtet më të disfavorshme të privimit, përndjekjeve, trysnive dhe të vazhdojë të veprojë me optimizëm krijues. Këtë përvojë e përmbledh dëshmia e apostull Pavlit: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Fil. 4:13).
Të kremtet e Kishës na ftojnë të rishikojmë jetën tonë. Të vijmë në vete nga turbullimi dhe depresioni. Të ripërtërijmë besimin dhe sigurinë tonë se Krishti, ardhjen në botë të të Cilit festojmë sot, qëndron gjithmonë “me ne”; se “të pamundurat për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë” (Lluk. 18:27). Të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes. Të bashkërendojmë jetën tonë me vullnetin e Tij. Dhe ky ndryshim personal reflekton gjithmonë me bamirësi në bashkësinë më të gjerë shoqërore; fuqizon durimin, solidaritetin me të tjerë, paqen, krijimtarinë, me mënyra që shpesh mbeten të padukshme, por që janë esenciale.
“Perëndia u shfaq në mish…”.
Vëllezërit e mi, kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore mbetet përherë mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe përvoja vetjake e atyre që jetojnë në Krishtin.
Uroj nga zemra, që kjo bindje të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë dhe të na mbështesë në vitin që vjen.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur me durim ngazëllues!

Me të gjithë dashurinë time më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Dëlirësi – Korrupsion – Krishtlindje 2010

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Fëmijë na lindi ne” (Is. 9:6)
Në ashpërsinë që mbizotëron në botë, Shpëtimtari vjen si “fëmijë”, duke theksuar që në çastin e parë dëlirësinë, që ka në vetvete dinamikë mistike dhe mundësi të panumërta. Me këtë pafajësi të qetë dhe pa frikë, Fjala e mishëruar e Perëndisë e shikon realitetin njerëzor të korruptuar e të mbushur me djallëzi dhe intrigë. “Sepse fëmija i sapolindur është simboli i paligësisë- meqë fëmija është krijesë e re”, thekson shën Kirilli i Aleksandrisë. Fëmija ka një bukuri me fuqi sa origjinale, aq edhe të brishtë.
Shpëtimtari i botës kërkoi nga të Tijtë dëlirësinë e zemrës – atje ku lindin dëshirat dhe predispozitat. Ai nuk kërkoi një shpresëtari sipërfaqësore, por pastërtinë e thellësisë së qenies. Më vonë, në moshë të pjekur, kur Krishti u përball me polemikën e farisenjve, të cilët gjoja kishin frikë Perëndie, dhe të saducenjve skeptikë, paralajmëroi: “Nëse nuk ktheheni dhe nuk lindni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiejve”. Dhe i bekoi e i përqafoi fëmijët, e tha: “Sepse e këtyre është mbretëria e Perëndisë” (Mark. 10:14), e gjithë atyre që janë si fëmijë në thjeshtësi, në mirësi. “E tyrja është, pra e gjithë atyre që kanë ndërtuar, prej natyrës, paligësinë e shpirtit dhe përulësinë me anë të vullnetit, gjë që fëmijët e kanë nga vetë natyra e tyre”, shpjegon kryepiskopi Theofilakt. Dhe Krishti këmbëngul: “Me të vërtetë, po ju them juve, ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si fëmijë, nuk ka për të hyrë në atë” (Mark. 10:15, Lluk. 18:17).
Në një rast tjetër, duke përshkruar moralin, qëndrimin ndaj jetës së atyre që i njeh si të Tijtë, siguron: “lum ata që kanë zemër të pastër, se ata do të shikojnë Perëndinë” (Matth. 5:8). Pra, sa kanë zemër të pastër, do të shikojnë Perëndinë ballë për ballë dhe do të kenë marrëdhënie të vërtetë kungimi me Atë. Këta janë me të vërtetë të lumur.
* *
“Fëmijë na lindi ne”. Pafajësia dhe dëlirësia e “fëmijës”, e Fjalës së mishëruar të Perëndisë, e “Adamit të ri”, shpejt do të përballej me zemërashpërsinë dhe djallëzinë e Adamit të vjetër dhe të rënë, të cilat dalin në pah me të gjithë intensitetin e tyre në personin e Herodit. “Shkoni e vëzhgoni mirë për djalin”, u kërkoi mbreti djallëzor të diturve të Lindjes, Magëve. “Edhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij” (Matth.2:8). Pushtetari i korruptuar dhe i pandalshëm para asgjëje, bën plane për të mbaruar punë sa më shpejt me kërcënimin që mbart Jisui i sapolindur, dëlirësia e mishëruar. Historia e Krishtlindjes zbulon fare qartë konfliktin: Korrupsioni kundër dëlirësisë dhe, dëlirësia e mendimeve, predispozitave, shtysave kundër korrupsionit- të çdo lloj pushteti, të madh apo të vogël.
Në pamje të parë, përfundimi i konfliktit duket se është i paracaktuar. Shkatërrimi i dëlirësisë, mbizotërimi i korrupsionit duken të pashmangshme. Por, në këndvështrimin afatgjatë, në ndërgjegjen mbarëbotërore imponohet pastërtia e kristaltë e Jisuit, ndërsa figura e korruptuar e Herodit zhytet në përbuzje. Sepse ky “fëmijë” që lind është në të vërtetë Biri i Perëndisë që ka pushtetin e vërtetë: “…. e do të quhet emri i tij engjëlli i këshillës së madhe, këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, pushtetar, princ i paqes, atë i jetës së ardhshme” (Is.9:6).
Pastërtia e Jisuit, shenjtëria e shpirtit të Tij, nuk ka asnjë lidhje me naivitetin dhe pafuqinë. Përkundrazi, ajo shfaqet e guximshme dhe e palëkundur. Jisu Krishti godet hipokrizinë, padrejtësitë, korruptimin. Kritika e Tij kumbon në mënyrë përcaktuese në vazhdën e historisë së botës, duke përmbysur sisteme të fuqishme e të korruptuara.

* *
Lindja e “fëmijës” Jisu na çel sytë për të përqendruar vëmendjen tonë në pafajësinë dhe pastërtinë e syve fëmijërorë, në çdo qoshe të planetit tonë ku ata panë dritën për herë të parë. T’i shikojmë me respekt e dhembshuri dhe të shprehim për sa më shumë fëmijë që mundemi interesim johipokrit dhe me vepra.
Por më kryesorja, të kërkojmë përbrenda nesh, në thellësinë e shpirtit tonë, “fëmijën”, dëlirësinë, e cila e ndjekur nga ana egoiste e vetes sonë- gjë që të kujton një Herod të korruptuar- është mërguar në ndonjë cep të subkoshiencës sonë. Me gjithë ndryshimet që sjell jeta, çdo njeri fsheh në ndonjë anë të shpirtit të tij diçka nga pafajësia e tij fillestare fëmijërore. Le t’i japim pastërtisë dhe dëlirësisë- së mendimeve, predispozitave, shtysave- vendin e duhur në jetën tonë.
Sigurisht, janë të mira shpalljet dhe të dobishme vendimet për të luftuar korrupsionin. Është i nevojshëm kërkimi i metodave dhe sistemeve për ta mundur atë. Por, nga sa dalin në dritë çdo ditë, është treguar qartazi, se mënyrat dhe metodat e shmangies së masave ligjore janë më të shumta. Korrupsioni buron nga mendja dhe zemra. Dhe pikërisht atje duhet, në mënyrë afatgjatë, bashkë me mjetet teknike të drejtpërdrejta, të drejtohet trajtimi kurues i shoqërisë sonë. Duke filluar nga edukimi i drejtë i fëmijëve, i të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke i bërë ata të duan bukurinë e dëlirësisë dhe të ndershmërisë. Të mësojnë të urrejnë mashtrimin dhe jo të mburren për të. Të ndërgjegjësohen se sinqeriteti, karakteri i palëkundur dhe drejtësia, të gjitha këto forma të dëlirësisë edhe kur dikush është në moshë të pjekur, nuk janë dobësi, por cilësitë e karakterit fisnik dhe të paepur- që si përfundim mbetet gjëja më e vyer për familjen, shoqërinë dhe qytetërimin.

* *
“Fëmijë na lindi ne”. Në këtë të kremte të madhe të Krishtlindjeve, le të lutemi me përgjëratë, që Fjala e mishëruar e Perëndisë të na falë diçka nga pafajësia e urtë dhe dëlirësia e Tij e patrembur. Le të na dhurojë pastërti në qëllimet, në ndjenjat, në shtysat dhe veprimet tona. Dhe të na ndriçojë me fuqinë e së vërtetës dhe të dashurisë së Tij, të rezistojmë fort ndaj çdo forme korrupsioni- të jashtëm apo të brendshëm.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur me dritë dhe shpresë!
Me dashuri të thellë më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.