Të jetojmë me frymën paskale – Pashkë 1993

“Krishti u ngjall prej së vdekurish…”

I
URREJTJA E THELLË NJERËZORE, duke përdorur dhunën brutale të pushtetit shtetëror, kërkoi të shfarosë “Birin e njeriut”, Jisu Krishtin, të Papërlyerin dhe të Vërtetin. Armiqtë e Tij e kryqëzuan, siguruan dhe varrin, duke besuar se kështu e kishin hequr qafe përfundimisht. Mirëpo Krishti, duke qenë njëherësh “Biri i njeriut” dhe “Biri i Perëndisë”, tri ditë pas kryqëzimit të Tij, u Ngjall. Dhe mbetet përgjithmonë Zoti i Ngjallur.
Ngjallja përbën vulën që na vërteton se kush është me të vërtetë Jisu Krishti. Gjatë shekujve miliarda njerëz ndërruan jetë. Shumë prej tyre mahnitën me mençurinë apo fuqinë e tyre dhe entuziazmuan popujt. Veçse, përfundimisht, të gjithë iu nënshtruan vdekjes. Ai, që me flijimin e Tij të vullnetshëm mundi vdekjen dhe shkallmoi pushtetin e saj, është Jisu Krishti, Zoti dhe sunduesi i gjithësisë. Me gjakun e Tij të tërëshenjtë na çliroi prej mallkimit të mëkatit, shkaku i vdekjes, dhe na çeli rrugën e jetës së përjetshme. “…atij që na deshi, dhe që na lau nga nga mëkatet tona… atij i qoftë lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin” (Zbulesa 1:5-6).
Mesazh themelor i Kishës nuk është vetëm se Krishti u Ngjall, por se fitorja e Tij ka një rëndësi për tërë gjininë njerëzore, për tërë natyrën njerëzore, të cilën e mori si “Adam i dytë”. Sikurse mosbindja dhe mëkati i Adamit të parë e çoi në vdekje mbarë njerëzimin, ashtu edhe bindja, rrjedhojë e dashurisë, deri në flijim në kryq e Adamit të dytë, e Krishtit, çon në Ngjallje. “Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur….Sepse sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin” (I Kor. 15:20-22). Me fuqinë e Krishtit të Ngjallur, shkojmë në një jetë të re, të amshuar. Dhe në të hyjmë me pagëzimin dhe me pjesëmarrjen tonë në misteret e Kishës. “Të bashkëkryqëzuar me Të”, bëhemi pjesëmarrës edhe në Ngjalljen e Tij.

II
Edhe në Shqipëri, pas një periudhe të frikshme persekutimi të egër, ku shteti ateist, me di- nakëri dhe pasion, kryqëzoi shpresën te Perëndia dhe te Perëndinjeriu dhe luftoi me tërbim për ta zhdukur përgjithmonë, besimi u ngjall përsëri shkëlqimplotë.
Krishti u Ngjall! Përsërisim dhjetëra herë me llambadhe të ndezura, duke shpallur se kjo siguri e jona ndriçon mendjen, zemrën, vullnetin dhe përcakton jetën tonë shpirtërore dhe rrugën shoqërore. Me këtë besim përpiqemi për krijimin e një shoqërie të re, të çliruar nga iluzionet, nga frika e të një shoqërie që do të respektojë njeriun dhe do t’i ofrojë me të vërtetë të drejta të barabarta dhe shanse të barabarta.
Krishti u Ngjall! Përshëndetja e Tij e parë pas Ngjalljes ishte “Paqe mbi ju” (Jn. 20:19). Përshëndetje kjo, por njëkohësisht porosi dhe përcaktim i detyrimit të përjetshëm të njerëzve të Tij: që të jenë gjithmonë paqësorë, faktorë që do të punojnë për një paqe të ndershme, e cila zhvillohet në dritën e së vërtetës, të drejtësisë dhe lirisë së ndërgjegjes. Dhe sot kur zjarri i luftës vrundullon në zonën tonë, të gjithë ne, duhet të falemi me zell dhe të përpiqemi me nisma pozitive për t’i dhënë fund dhunës, për pajtim dhe për bashkekzistencë paqësore.
Krishti u Ngjall! psal në gjuhë të ndryshme Kisha, duke shpallur me zë të lartë se Ungjilli i Krishtit i drejtohet gjithë botës, hedh ura në mosmarrëveshjet dhe kontradiktat e vjetra, vëllazëron popujt në një shoqëri botërore paqeje, respektimi të ndërsjellë dhe solidariteti.
III
Veçse, pjesëmarrja jonë në gëzimin e Ngjalljes, vëllezër të mi, nuk është mjaftueshme të kufizohet vetëm në urimet e Ngjalljes dhe në zakonet e jashtme të Pashkës, por nga viti në vit kjo pjesëmarrje duhet të bëhet më thelbësore dhe më personale. Nuk mjafton që ta psalim me gojë “Krishti u Ngjall”. Duhet të marrim frymë ngjalljeje dhe të jetojmë me frymë Pashke. Të rrezatojmë Ngjalljen. Jetoj me frymë Pashke do të thotë:
1. Kam besim absolut tek Ai që u bë njeri, te Biri i Perëndisë, i Cili me doktrinën, veprën, flijimin, Ngjalljen e Tij mundi vdekjen dhe forcat demoniake që përhapin kudo frymën e Ferrit, dhe e drejtoi njerëzimin në një hapësirë të re jete.
2. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga besimi në jetë; nga siguria se jeta është më e fortë se vdekja; se fundi i ekzistencës së njeriut nuk është shuarja e tij, por ngjallja; se punët dhe veprimet tona kanë një rëndësi vendimtare, dhe se jeta njerëzore mbyll në vetvete përjetësi dhe pafundësi.
3. Kushdo që jeton me frymë Pashke rrezaton një dashuri të guximshme. Me Ngjalljen triumfale të Krishtit u përmbysën tinëzitë dhe urrejtja e armiqve të Tij. Por fitorja e Tij nuk kishte asnjë gjurmë hakmarrjeje. Pashka është triumfi i dashurisë. Asnjë hije antipatie ose pakënaqësie nuk i rreziston dritës së saj. Prandaj, në veçanti këto ditë, kisha jonë i fton të gjithë në falje, në pajtim dhe në përqafim të përzemërt dashurie. Kjo ndjenjë e fuqishme e dashurisë i çon të krishterët në vepra të guximshme vetëflijimi, sepse ata e dinë se nuk ka Pashkë pa Kryqëzim dhe se sakrifica e vetvetishme dhe e painteres e lartëson dhe e denjëson njeriun.
4. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga shpresa dhe ngazëllimi që i përshkojnë gjithë qenien dhe shpërndajnë çdo re melankolie dhe dëshpërimi. Eshtë fjala për një gëzim paqësor, i cili shumëfishohet duke u ofruar. Kushdo që akordohet në ngazëllimin e Pashkës, bëhet edhe vetë bartës shprese dhe optimizmi.
IV
Fryma e Pashkës është dhuratë dhe hir Perëndie. Ngjallja bashkekziston në mënyrë mistike në jetën e kryqëzuar më Krishtin. U dhurohet gjithë atyre që besojnë tek Ai, i cili tha se “Unë jam ngjallja edhe jeta” (Jn. 11:25) dhe përpiqen të jenë të bashkuar me Të. Ky moral ngjalljesor nuk fitohet me anë të përgjithësimit të një feste, formohet nga devotshmëria ndaj të Ngjallurit dhe nga përpjekja për Ta njohur përditë e më tepër me gjithë qenien tonë. Nuk është fjala vetëm për njohjen e një të vërtete historike, por për njohjen e një Personi, Krishtit të Ngjallur dhe të një fuqie, fuqisë së Ngjalljes. “Të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së Tij, dhe pjesëmarrjen e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij” (Filip. 3:10). Thelbësorja nuk është që të mësojmë për Krishtin, por ta njohim vetë Krishtin, duke marrë pjesë në dashurinë e Tij të Kryqëzimngjalljes; t’i afrohemi përditë e më tepër dhe, duke vështruar Fytyrën e Tij, të mund të thërrasim si Thomai: “Zoti im dhe Perëndia im” (Jn. 20:28).
Më e rëndësishmja pra që kemi për të uruar këtë Pashkë është të shtohet pandërprerë brenda nesh përjetimi i Ngjalljes dhe të jetojmë gjithmonë me frymë Pashke. Me besim dhe përkush- tim te Zoti i me besim në vlerën e njeriut dhe të jetës; me një ofertë dshurie pa interes; me gatishmëri për flijim, duke transmetuar shpresë dhe paqe kudo që gjendemi.
Krishti u Ngjall! Gëzuar, pra, Pashkën, vëllezër të mi me Ngjalljen gjithmonë brenda nesh!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Shenjtori i ditës – 10 Shkurt

Hierodëshmor Harallambi e 2 dëshmorët: Bato dhe Porfiri. Oshënar Zinon Postieri. Ana Suedezja. Oshënar Prohori i Lavrës së Kievit. Joan Filozofi.

E premte, 10 shkurt 2023 – Leximet biblike.

E DIELA E DJALIT PLANGPRISHËS

“Yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet.” (Llukai 15:32)
I
Shëmbëlltyra më prekëse dhe tepër inkurajuese është, pa diskutim, shëmbëlltyra e djalit plangprishës.
E karakterizuan si Ungjillin e ungjijve, sepse në të përshkruhet rebelimi dhe mëkati i njeriut, që e çon atë në rënien përfundimtare, në poshtërim dhe në humbje. Aty shfaqet, në mënyrë të theksuar, dashuria e paanë e Perëndisë, e cila e tërheq njeriun në kthim dhe në pendim, dhe e rivendos në nderin dhe lavdinë e bijve të Tij.
Në të, në mënyrë të veçantë, Zoti paraqiti, nga njëra anë, katandisjen e vajtueshme të njeriut, i cili largohet nga Perëndia dhe, nga ana tjetër, dashurinë e thellë me të cilën Ati Qiellor pranon çdo mëkatar që pendohet sinqerisht.
***
Një njeri, tha Zoti, kishte dy djem. Një ditë, më i vogli shkon tek ati i tij dhe i kërkon pjesën e pasurisë që mendonte se i takonte. Sigurisht, babai do ta ketë këshilluar që të mos nxitohej, sepse nuk kishte moshë dhe pjekuri që të jetojë larg kujdesit atëror. Meqenëse djali nuk iu bind këshillave të të atit, ky e la që ta mençuronte pësimi, duke i dhënë pjesën e tij. Pas disa ditësh djali mblodhi gjithçka që i dha babai dhe u nis për në një vend të largët. Atje, larg përkujdesjes së atit të tij të mençur, e shpërdoroi të gjithë pasurinë prindërore, duke bërë një jetë të shthurur e mëkatare. Fjala “e shthurur” i përmbledh të gjitha: domethënë korruptimin, imoralitetin, pandershmërinë, dehjen dhe grykësinë e shfrenuar. Në vend të pavarësisë dhe lumturisë që kërkonte, gjeti skllavërinë, mjerimin, urinë, skamjen, nëpërkëmbjen. Mosbindja e tij e çoi në katastrofe materiale dhe morale. Nga princ, ruajtës derrash. Nga i lirë, i robëruar; nga pronar, shërbëtor. Kënaqësia e imagjinuar u shndërrua në dhimbje të papërshkruar.
II
Në një ditë prej ditësh u zgjua nga letargjia e gjatë e mëkatit, u përmend nga dehja dhe nga çmenduria e dëfrimeve, u kthjellua në mendime të sakta dhe mori vendime shpëtimtare. Duke folur me veten e tij tha: “Sa shërbëtorë të atit tim kanë aq shumë bukë, sa u tepron, kurse unë rrezikohem të vdes nga uria. Nuk është më jetë kjo! Do të ngrihem dhe do të kthehem tek ati im. Do t’i bie ndër këmbë dhe do t’i lutem e do t’i them“Ati im, mëkatova në qiell, ku zbatohet dëshira jote hyjnore prej engjëjve të shenjtë, por mëkatova dhe tek ti, sepse përbuza dashurinë tënde dhe nuk llogarita hidhërimin që provove kur unë ika larg teje! E ndiej dhe e pohoj se nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Nuk kam të drejtë as të pranohem në shtëpinë tënde si shërbëtor. Të lutem, të të vijë keq për mua dhe të më marrësh si një shërbëtor rrogëtar. Këto mendoi dhe vendimi shpëtimtar u vu në zbatim.
III
Por si e priti i ati djalin e tij plangprishës të penduar? Ishte ende larg plangprishësi, kur i penduar kthehej tek ati i tij. Babai e pa dhe iu dhimbs. Nuk priti të afrohej. Vrapoi vetë ta takonte. Dhe kur e takoi, e përqafoi dhe e puthi me shume dashuri. Pranoi rrëfimin dhe i dha vendin në pozitën e tij të mëparshme. Sa na mëson kjo pritje! Si e pranoi Perëndia mëkatarin!
IV
Perëndia, sigurisht, sipas dëshmisë së psalmistit, përsëri e dërgon mëshirën e Tij të pafundme dhe na ndjek për të na shpëtuar. Por sot ekzistojnë shumë njerëz që kanë mendim të gabuar dhe të çuditshëm për Perëndinë, pretendojnë se, edhe pse ekziston Perëndia, nuk është e mundur të kujdeset për njerëzit. Përgjigjen, do ta lëmë të na e japë një histori e shkurtër nga Jerondikoja.
Një bindës pyeti dikur ava Mionin, nëse në të vërtetë Perëndia e pranon pendimin. Pas shumë e shumë këshillave, jerondi i tha: “Pa më thuaj, i dashuri im, ti ç’bën nëse rastis që të të shqepet rroba jote? Do ta hedhësh në plehra?
-Jo! – u përgjigj ai, – e arnoj.
– Pra, i tha jerondi, – nëse ty të dhimbset rroba jote, Perëndisë nuk do t’i dhimbset krijesa e tij?”
Për pendimin duhet besim. Pa u thyer zemra e ashpër njerëzore, e errësuar dhe e thellë si humnerë, nga drita e besimit, nuk mund të ketë pendim. Drita e besimit ndriçon dhe tregon qartë gabimet e njeriut, plagët e shpirtit, pasionet e ndyra. Nëse nuk beson te Perëndia, atëherë nuk e ke brenda teje kriterin e palëkundur, që do të të ndihmojë të shikosh cili je në të vërtetë e kështu, sipas frazës së frikshme të Dostojevskit “të gjitha lejohen”, nuk ekziston asnjë pengesë për ligësinë e njeriut. Për gjestin e madh dhe vendimtar të pendimit, për të ardhmen tonë, nuk ekzistojnë raste dhe periudha të veçanta të jetës sonë. Çdo moment është i volitshëm dhe mund të bëhet nisja e njeriut drejt Perëndisë. Pezullimet e pendimit tonë varrosin shpirtin dhe poshtërojnë dëshirën tonë të mirë. Dhe, siç shkruante Vasili i Madh: “Vëllezërit e mi, është i zgjuar i ligu në veprimet mëkatare. E di mirë se në këtë jetë ftohemi të punojmë dhe çdo veprim i mirë bëhet në këtë jetë. Me teknikë, pra, na vjedh ditën e sotme dhe na lë shpresën për të nesërmen. A mos nuk na ofron të mëkatojmë sot, me shpresën që të pendohemi të nesërmen? Dhe kur të vijë dita e nesërme, prapë vjen këshilltari i lig dhe na detyron t’ia japim atij, kurse Zotit ditën tjetër. Dhe kështu, gjithmonë na e shkatërron të tashmen me dëfrimet mëkatare dhe të ardhmen tonë ia lë shpresës dhe, pa u kuptuar nga ana jonë, na mashtron gjatë gjithë jetës”.
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Njeriu i sotëm duhet të pendohet për gabimet e shumta dhe të këqijat e tmerrshme. E ofendon Perëndinë me ligësinë djallëzore dhe, i rënë në grackë nga egoizmi i tij, humb kontaktin me Qiellin. Është koha të pajtohet. Dhe këtë pajtim shpëtimtar e krijon pendimi i sinqertë.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 24.02.2008

Shenjtori i ditës – 09 Shkurt

Dëshmor Niqifori. Hierodëshmorët Markeli i Siçilisë, Pankrati i Taorminës, Filagri i Qipros.

E enjte, 9 shkurt 2023 – Lexime biblike.

E Diela e 17-të e Llukait E Plangprishësit

Le ta pasojmë edhe në rrugën e kthimit
“Iku në dhe të huaj. Erdhi në vete…”

I riu i paravolisë kishte gjithçka në shtëpinë atërore: I komoditete, pasuri, dashuri, megjithatë gjithçka i dukej e mërzitshme dhe monotone. Edhe dashuria atërore ishte si një skllavëri për të. Ndaj në fund, pa ngurruar fare, kërkoi pjesën e tij të trashëgimisë. “Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon të marr…”. Kështu, pas disa ditësh, djali i vogël mori pjesën e tij dhe shkoi në një vend të largët. Atje e prishi pasurinë, duke jetuar si plangprishës. Paravolia e sotme nuk i referohet vetëm kësaj sjelljeje të keqe. Ajo na zbulon natyrën më të thellë të mëkatit, që është largimi, tjetërsimi, shkëputja e marrëdhënieve të lidhjes shpirtërore dhe të dashurisë.

Rebelimi i njeriut dhe mashtrimi i tij përfundimtar

Në kërkesën e djalit të ri ekziston një pështjellim dhe ashpërsi e çuditshme. Ai kërkon gjënë që nuk i takon para se të vdesë i ati. Për djalin, babai është thuajse i vdekur.
Mëkati merr penelin e fantazisë dhe ndryshon pamjen e gjërave veçanërisht tek të rinjtë, pra fsheh realitetin. Fjalët dhe porositë e Perëndisë na i shfaq si vargonj të rëndë; ngrohtësinë dhe paqen e jetës së krishterë si të padenja edhe për t’u zënë në gojë; përvojën e më të moshuarve dhe këshillat e tyre si koncepte të vjetruara. Dhe më kryesorja, shkatërron marrëdhënien personale me Perëndinë Atë. Njeriu kërkon nga Ai çdo gjë që mund të marrë: shëndet, fuqi, zgjuarsi, krijueshmëri dhe liri të plotë-për t’i përdorur këto larg tij, me kriteret e tij. Nuk do që të ketë “marrje-dhënie”, një marrëdhënie me Atin. A thua se Ai, nga i Cili mori të mirat, nuk ekziston më!
Thelbi i mëkatit qëndron në thyerjen e marrëdhënies personale me Perëndinë, në shfrytëzimin me pafytyrësi të dashurisë së Tij. Dua pasuritë e Tua, por nuk të dua Ty. Dua “të mirat” e Tua, jo personin tënd. Kjo është ndërprerje e plotë e komunikimit me Atin. Pas kësaj, çdo çarje që do të vijojë në marrëdhëniet ndërnjerëzore është vetëm vazhdimi dhe pasoja e kësaj plagosjeje fillestare të dashurisë. Më vonë, miqtë e tij do të sillen me të njësoj siç u soll ai me Atin e tij. Do ta braktisin. “Duam të mirat e tua, jo ty”. Dhe, ai do të mbetet i vetëm dhe i braktisur; shija e vetmisë pa gëzim është më e rëndë edhe se privimi, sesa jeta që bën pranë derrave e lendeve.
Më pas, në paravoli, na zbulohet me një ton të qetë tragjizmi i kësaj gjendjeje, kur na tregohet se djali “erdhi në vete”. Pra, deri atëherë djali i vogël ishte “jashtë vetes”, ndodhej në gjendje “paranojake”. Shkërmoqja e personalitetit, marrëzia në forma të ndryshme ecin së bashku me mëkatin. Madje, në një epokë rebelimi ndaj Perëndisë, siç është kjo e jona sot, kjo dukuri është bërë shfaqja më e zakonshme e jetës njerëzore.
Por, në këtë analizë të mëkatit ka edhe diçka shpresë- dhënëse: Fakti se ai “erdhi në vete” është një sjellje plot mirësi ndaj njeriut të mashtruar. Krishti e shikon si dikë që ka dalë “jashtë vetes”, por jo krejtësisht të pavlerë. Ai i ka të gjitha mundësitë për të kapërcyer rrethimin e marrëzisë. Dhe djali i paravolisë, në fund, e tejkaloi këtë rreth vicioz. Ai “erdhi në vete”.

Rigjetja e komunikimit dhe marrëdhënies me Atin

Djali plangprishës e gjeti veten e tij kur rigjeti marrë- dhënien personale me të atin. Fjala e parë e pohimit të tij shëron marrëdhënien e plagosur të dashurisë. “Atë, jam yti, je imi. Këtë lidhje dashurie që shkela, këtë kërkoj ta kem përsëri”.
Pendimi, në përfundim të kësaj analize, është kapërcimi i çmendurisë njerëzore dhe shpërbërjes së brendshme, është rigjetja e vetes së vërtetë brenda marrëdhënies me Atin, që mishëron Dashurinë e pafundme. Tragjikja është se shumë njerëz ndjekin shembullin e djalit më të vogël të paravolisë deri në stadin e vetmisë në stallën e derrave. Por, u dalin shumë gjëra të parëndësishme, që e mpijnë dëshirën e kthimit. Te njëri është mëkati që pëshpërit: “lëre për më vonë”; tjetrit i pëshpërit dyshimin: “dhe kush të siguron se, duke ndryshuar mënyrën e të jetuarit, do të bëhesh më i mirë?”, ndërsa një të treti i hedh në sy pluhurin e dëshpërimit: “tani, kështu si je katandisur, nuk është e mundur të ndryshosh”, ose dikë tjetër e paralizon me ironitë e miqve të tij.
***
Gjatë këtyre ditëve, Kisha jonë na sugjeron përsëri ne të gjithëve që jemi larguar pak ose shumë nga Perëndia, që të pendohemi në mënyrë të sinqertë. Ajo na fton të rigjejmë veten tonë të vërtetë brenda dashurisë së Perëndisë. “Dhe ati… u sul dhe e përqafoi atë, dhe e puthi”. Nuk ia përmend fare të shkuarën. Ati ia fal të gjitha me bujari: edhe “stolinë e parë” që tregon nderin, edhe “unazën” që do të thotë pushtet, dhe “këpucët në këmbë”, gjërat që e dallonin të birin nga shërbëtori dhe që ishin simbol lirie. Ati urdhëroi të bëhej gosti e madhe gëzimi. Do të ishte më e saktë që kjo shëmbëlltyrë të mos quhej “e Birit plangprishës”, por e “Atit të dashur”.
A nuk është tragjikisht paranojake që ta shmangim Atin tonë me përbuzje, duke vrapuar larg Tij, ndërkohë që Ai vjen i pari për të na takuar me përqafim të hapur?
“Po kush e bën një gjë të tillë?”- mund të pyesë ndoshta dikush. Ne, vëllezërit e mi, e bëjmë këtë, nëse nuk pendohemi!

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)

Shenjtori i ditës – 08 Shkurt

Profeti Zaharia. Dëshmor i madh Theodhor Stratilati. Dëshmorët Likarioni, Marta dhe Maria.

E mërkurë, 8 shkurt 2023 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 07 Shkurt

Oshënar Partheni i Lampsakës. Oshënar Llukai në Stiri. Oshënare Mastridia. Aprioni i Qipros. Dëshmor i ri Gjergji.