Shenjtori i ditës – 14 Mars

Oshënar Benedikti. Bonifati i Skocisë. Mbretëresha Matilda. Oshënar Efskimon Rrëfyesi.

E martë, 14 mars 2023 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 13 Mars

Transferimi i lipsanit të Niqiforit të Konstandinopojës. Hierodëshmorët Mario, Publi. Oshënar Geraldi.

E hënë, 13 mars 2023 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 12 Mars

Omologjet Theofani. Oshënar Grigor Dialogu, Papë i Romës. Simeoni, Theologu i Ri.

E diel, 12 mars 2023 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 11 Mars

Oshënar Sofroni i Jerusalemit. Oshënare Theodhora e Artës. Dëshmore Alberta.

E shtunë, 11 mars 2023 – Leximet biblike.

E DIELA II E KRESHMËS

E DIELA II E KRESHMËS
(Marku 2:1-12)
“Bir, t’u falën mëkatet e tua.” (v. 2:5)

Gjendja e të paralizuarit, në pjesën e Ungjillit të sotëm, ishte më shumë se dramatike. Ishte një i vdekur i pakallur, i paaftë t’i afrohej Zotit të gjithëfuqishëm, që ndodhej në një shtëpi në Kapernaum. Duheshin disa veta për ta transportuar deri atje. Dhe u gjendën katër persona zemërdhembshur që e mbartën në një shtrat të rastësishëm.
Por, kur arritën në shtëpinë ku predikonte Zoti, ishte e pamundur të hynin brenda nga dendësia e njerëzve. Iu lutën turmës të lironin pak vend, por asnjë nuk krijoi një shteg për ta çuar brenda të gjymtuarin.
Me shumë mundim e ngjitën në çati shtratin me të paralizuarin. Zbuluan një pjesë të çatisë dhe e zbritën përpara këmbëve të Zotit. U habit atëherë Perëndinjeriu nga besimi dhe dashuria e tyre dhe, pasi dalloi arsyen morale të paralizës, që ishte pikërisht mëkati, rrënja e së keqes, thotë: “Bir, t’u falën mëkatet e tua”.
Disa shkrues të vendit, që ndodheshin atje, u skandalizuan dhe filluan të mendonin në zemrat e tyre: “Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?” Dhe menjëherë Jisui mori vesh, me fuqinë hyjnore të Shpirtit të Tij, mendimet e tyre të liga, si Perëndi që ishte, u tha: “Përse i mendoni këto në zemrat tuaja? Ç’është më kollaj, t’i them të paralizuarit, t’u falën mëkatet e tua apo t’i them, ngrihu i shëndoshë, merr shtratin mbi supet e tua dhe ec? Ju e konsideroni më të vështirë të dytën. Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate këtu mbi dhé i thotë të paralizuarit: – Ty që beson të them, ngrihu i shëndoshë, merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde”. Dhe në çast ai u ngrit i shëruar, mori shtratin mbi supe, si shenjë të mrekullisë, doli përpara të gjithëve duke lavdëruar Perëndinë. Kjo ua mbylli gojën shkruesve, por nuk i bindi. Për popullin ishte një habi e madhe. Dhe e gjithë gjindja vinin tek Ai dhe ndiqnin mësimet e Tij.
***
Fjala e Zotit edhe për ne është dritë, qortim dhe shërim. Ne, zakonisht, e shikojmë të keqen nga ana e jashtme. “Kam nerva, sepse jam i gjallë, jam gjaknxehtë thotë tjetri; jam i keq, sepse më detyron ambienti; kolegu, eprori më bëjnë të sillem keq; vjedh, betohem, zemërohem, gjykoj, sepse shoqëria është prishur, pretendon një i tretë. Por disa të tjerë shkojnë edhe më tej.
Fjala e Perëndisë, siç thamë më lart, është dritë, qortim, shërim, dhe e përcaktoi të keqen si tek i paralizuari, ashtu edhe te shkruesit, brenda tyre. Dhe me të vërtetë! E keqja është brenda nesh dhe jo jashtë. Dhe ja: Është e dukshme se ekzistojnë njerëz të këqij. Ekziston një dëshirë shkatërruese e trashëguar, ekziston Satanai. Është kaq e madhe e keqja jashtë nesh, saqë shën Pavli e quan Satanain “mbret të errësirës së kësaj jete” (Efes. 6:12). Gjithsesi, mbetet brenda nesh një zonë e vogël ose e madhe, në analogji me individin, në të cilën lëviz lirisht njeriu që është përgjegjës për bëmat e tij. Me këtë liri njeriu dallohet dhe tregohet më i lartë se kafshët.
Dhe, rrjedhimisht, ti që justifikohesh se nervat e tua janë shkaku i zemërimit tënd, pse nuk kujdesesh, me vullnetin tënd dhe me ndihmën e Perëndisë, të qetësohesh?
Kanë ekzistuar njerëz që zemëroheshin shpejt, të cilët, me dëshirën e tyre dhe me hirin e Perëndisë, aq shumë ndryshuan, saqë u bënë të panjohshëm. Thua se e ka fajin shoqëria ku jeton? Mashtrim! Shoqëria është ti dhe unë. Dhe nëse këtë e themi të gjithë, domethënë se e ka fajin shoqëria, cili do të jetë viktima dhe cili shkaktari? Kush e ka fajin që unë jam viktimë, kur edhe unë jam gjymtyrë e shoqërisë? Thua se e ka fajin trashëgimia? Por kush u fut në burg, se gjyshi i tij ishte hajdut? Në fund vendos si shkak të së keqes Perëndinë. Çfarë arrogance!
***
Por Krishti është dritë, qortim, dhe shërim. Predikimi i Tij të ndriçon. Nuk kanë faj nervat e tua, por pasionet e tua, që ngrihen dhe vendosen përpara teje si mur, si mjegull e dendur dhe të fshehin pamjen e Perëndisë dhe “urdhërimet e Tij që janë dritë mbi dhé”. Nuk e ka fajin shoqëria, prej së cilës ndikohesh negativisht, por fajtor je ti, sepse nuk ndikon pozitivisht në rrethin tënd shoqëror. Perëndia të ndriçon. Sado trashëgimi të keqe të kesh, Krishti ka aq fuqi, sa nga ferra të nxjerrë trëndafilin, sipas fjalës së popullit, domethënë nga prindër të këqij është e mundur të dalë një fëmijë i mirë. Ka aq dritë Krishti, sa të të thotë ty ato që u tha shkruesve “përse i mendoni këto në zemrat tuaja?” Pra, pse mendon keq për të tjerët dhe aq shumë e vlerëson veten tënde?
Fjala e Perëndisë nuk është vetëm ndriçim, por edhe qortim dhe shërim. Kur thua se e kanë fajin të gjithë të tjerët dhe se ti nuk ke faj, nuk mendon se je njeri zemërgur? Kur pretendon se trashëgimia jote është e keqe dhe nuk mund të bëhesh i mirë, nuk kupton se je i paaftë të përparosh? Nuk ekziston gjykim më i madh ndaj teje dhe lak shpirtëror më i keq!
Ky qortim do të të bëhet shpëtim. Do të vuash kur do të dëgjosh se je fajtor dhe e keqja është brenda teje. Do të djersitesh kur do të vendosësh ta mposhtësh të keqen brenda dhe jashtë teje, me vullnetin tënd. Dhe, kur të djersitesh e të vuash, vetëm atëherë do të shërohesh. Shërim, pa qortim dhe dhimbje, nuk mund të ketë.
***
“Bir, t’u falën mëkatet e tua.”
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Epoka jonë është një epokë e mbushur me shumë tmerre që torturojnë njerëzimin. Të gjithë dëshirojmë që të mos ketë më luftëra, të largohet ankthi dhe frika që torturojnë individë dhe popuj dhe të mbizotërojë mbi tokë paqja.
Por, që të jepet paqja, duhet t’i paraprijë pendimi i sinqertë dhe falja. Periudha e kreshmëve të mëdha, në të cilën gjendemi, në mënyrë të veçantë, është e përshtatshme që të shkojmë në misterin e Rrëfimit. Ky do të na pastrojë dhe do të na denjësojë të marrim pjesë në misterin e Kungatës Hyjnore. Përbuzi, pra, mendimet e dyshimta dhe mënjano turpin që të sjell i ligu për të të penguar takimin me Zotin Krisht, nëpërmjet pendimit dhe rrëfimit. Mos i vër re ata njerëz që reklamojnë mjete të tjera, gjoja qetësuese të ndërgjegjes. Argëtimet, shëtitjet dhe “gëzimet e botës”, që të propozojnë, nuk sjellin as harresë, as shërim. Lënë vetëm helmin e mëkatit që të bëjë shkatërrimin tënd, siç ndodhi me të paralizuarin. Mjek dhe shërues i shpirtit dhe i trupit është vetëm Njëri, Perëndinjeriu i Tërëfuqishëm, Zoti ynë Jisu Krisht, i cili u dha apostujve pushtetin për të falur mëkatet e njerëzve dhe, nëpërmjet apostujve, u transmetua te pasardhësit e tyre, etërit shpirtërorë, në gjithë brezat.
***
Le t’i afrohemi me pikëllim dhe pendim Shpëtimtarit. Zoti na fal mëkatet dhe na plotëson kushtet për një jetë të paqshme dhe të gëzuar mbi tokë.
Më e rëndësishmja është se do të përsërisë për secilindo nga ne, fjalët që i tha të paralizuarit: “Bir, t’u falën mëkatet e tua!”
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 23.03.2008

E Diela e 2-të e Kreshmës (1)

Besim kolektiv
Falja dhe shërimi

E Diela e 2-të e Kreshmës (1) (Mark. 2:1-12)
“Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit…”

Fakti që Jisui nuk i referohet vetëm besimit të njeriut të sëmurë, të cilin e sheron, por edhe besimit “të tyre”, pra, të atyre që e sjellin me vig, na bën përshtypje të thellë. Nuk është e pamundur, sipas një qasjeje tjetër, që fjala “e tyre” të nënkuptojë jo vetëm besimin e katër burrave që mbanin vigun, por edhe vetë të paralizuarin. Në mrekullinë që na përshkruan Ungjilli ditën e sotme, është e sigurt se vërejmë:
Një besim kolektiv
Besim që shprehet me: a) bashkëpunim, b) planifikim të përbashkët, c) veprim të përbashkët. Të gjitha këto gërshetohen me interesimin e vërtetë për të sëmurin dhe lidhen me guximin e zgjuarsinë për të gjetur mënyrën e duhur për t’i ardhur atij në ndihmë. Kur indiferenca e botës ua mbyll si me mur derën e shtëpisë ku po mëson Jisui, ata arrijnë të gjejnë një hyrje aty ku nuk e mendon njeri; ngjiten mbi çati, hapin një vrimë në tavan dhe e zbresin shtratin mbi të cilin dergjej i paralizuari në mes të turmës, përpara Mësuesit. Për t’i hyrë një sipërmarrjeje të tillë, pikësëpari është dashur që i tërë grupi të bindej fillimisht vetë se ia vlente çdo lloj mundimi për t’iu afruar Jisuit dhe, për më tepër, nevojitej pasja e një besimi të përbashkët dhe bashkërendimi i përpjekjeve të tyre. Nëse do të ishin vetëm një ose dy veta, do të ishte e pamundur një hap dhe një arritje e tillë.
Kur besimi ynë personal bashkëvepron me atë të të tjerëve, duke pasur si shtysë dashurinë, fuqia e tij shumëfishohet. Që në fillim, nxënësit e Krishtit nuk punuan më vete, ata u grumbulluan pranë Tij dhe krijuan një komunitet të veçantë. Në vazhdim, me praninë e Ngushëllimtarit, u krijua Kisha. Në këtë unitet organik, besimi, dashuria dhe lutja e çdo besimtari fuqizohet nga prania e të tjerëve. Lutja dhe besimi “individual” bashkohen me lutjen dhe besimin e të gjithë shenjtorëve, të të gjallëve sot dhe në përjetësi -të mbarë Kishës (qelizë organike e së cilës është çdo besimtar) – dhe kështu, ato lartësohen në një tjetër ni- vel, fitojnë të tjera përmasa, shkëlqim dhe fuqi; ato bëhen “kishtare”.
Ndërhyrjet e mrekullueshme të Krishtit lidhen me besimin, jo vetëm të të interesuarit, por edhe të të afërmve të tij, që e duan. Për këtë arsye, në Traditën Orthodhokse kërkojmë vazhdimisht lutjet e të tjerëve, të njerëzve tanë të dashur në Kishën milituese dhe në atë triumfale. Njëkohësisht, duhet të lutemi edhe për të tjerët dhe kemi privilegjin për t’iu drejtuar shenjtorëve. E dimë se nuk jemi vetëm. Jemi bashkëtrupëzuar me anë të Pagëzimit të shenjtë në Trupin mistik të Krishtit dhe ruajmë marrëdhënie të gjallë me Të, me anë të pjesëmarrjes sonë në Misteret e Kishës. Prandaj nuk jemi të vetmuar në përpjekjen tonë shpirtërore vetjake. E dimë se besimi i të krishterëve të tjerë ka pasoja bamirëse për ne, ashtu si dhe besimi ynë i paktë i ndihmon njerëzit e tjerë. Kështu ndiejmë mirënjohje për vëllezërit tanë, të njohur e të panjohur, që na mbështesin me dashurinë dhe lutjen e tyre, që jetojnë pranë nesh ose ndoshta në ndonjë manastir apo shkretëtirë, duke adhuruar vazhdimisht Perëndinë. Dhe ne nuk na ndot ndjesia e gënjeshtërt se ajo pak gjë që kemi arritur është një arritje “vetjake” jona. Besojmë se vjen nga Perëndia dhe Kisha e besimtarëve. Brenda Trupit mistik të Krishtit, ku kryhet misteri i Dashurisë Hyjnore, ekziston dhënia e ndërsjellë dhe e vazhdueshme.
Në vështirësinë e tanishme që po kalon vendi, kemi:
a. Nevojë për lutje të përbashkët;
b. Ndërgjegjësim për fuqinë dhe bekimin e lutjes kolektive;
c. nevojë për t’u kishëruar rregullisht. Veçanërisht në këtë epokë, ku shoqëria na sjell në mendje të paralizuarin e Ungjillit, është detyrë e ngutshme bashkërendimi ose harmonizimi i përpjekjeve të të gjithë besimtarëve, për të sjellë në besim te Krishti sa më shumë njerëz të tjerë.
2. Përgjigjja e Jisuit ndaj besimit kolektiv të njerëzve që shoqëronin të paralizuarin është e drejtpërdrejtë, por fjalët me të cilat e fillon të çudisin. Ai i drejtohet të paralizuarit dhe i thotë: “Bir, t’u falën mëkatet e tua”. Ajo që dikush pret të dëgjojë prej gojës së Jisuit do të ishte një fjalë ngushëlluese, shëruese dhe jo që të përmendë mëkatin e tij. Por Krishti nuk mbetet në sipërfaqe të problemeve, fjala e Tij është depërtuese dhe arrin:
Në zemër të problemit
Shkon në një nivel më të thellë, drejt e në thelb të çështjes. Në rastin konkret, tek i paralizuari, lidhja midis sëmundjes dhe mëkatit ishte e drejtpërdrejtë. Realiteti i sëmundjes nuk lidhet gjithnjë me shkaqe të thjeshta të jashtme, por me çarje të marrëdhënieve njerëzore me Perëndinë, pra, me thelbin e mëkatit. Nga këtu duhet të fillojë shërimi: nga largimi me anë të faljes i shkakut që sjell sëmundjen. Fjala e parë “bir”, korrigjon marrëdhënien e tronditur të të paralizuarit me Perëndinë dhe përbën parathënien e faljes së mëkateve dhe të shërimit përfundimtar.
Mesazhi i krishterë nuk ka reshtur kurrë së theksuari se sprova dhe hidhërimi lidhen shumë shpesh me largimin e njeriut nga Perëndia. Për këtë arsye, edhe më pas, në vazhdën e shekujve, shumë të krishterë të frymëzuar do të tregojnë interes për tërë fashën e vuajtjes – për sëmundjen dhe mëkatin, që mundojnë shoqëritë njerëzore – dhe do të shfaqen protagonistë në përpjekjen për kapërcimin e tyre.
Marrëdhënia e ngushtë midis paralizës dhe mëkatit, që zbulohet në fjalët e Krishtit në rastin e këtij njeriu, tregon mikrografinë e dramës më të thellë që luhet edhe në jetën e sëmurë të çdo grupimi shoqëror. Paraliza e shumëllojshme e një trupi të vogël apo të madh shoqëror nuk është thjesht fenomen i jashtëm, por lidhet organikisht me mëkatin shumëformësh, me maninë për fuqi të jashtme, me pabesinë, lakminë, me pangopësinë, me egoizmin e brendshëm, me shfrytëzimin e padrejtë dhe përbuzjen e vlerës së njeriut. Me indiferencën ndaj së vërtetës së Perëndisë; përbuzjen ndaj drejtësisë dhe zemërashpërsinë ndaj tjetrit që mendon ndryshe.
Në sprovën që po kalon shoqëria jonë dëgjohen shumë thirrje për paqe, për dialog, për vetëpërmbajtje dhe gjëra të tjera të ngjashme. Ne i pranojmë këto, por Kisha Orthodhokse guxon të kumtojë me fuqi profetike të vërtetën shumë të vyer: Është e domosdoshme dhe ur- gjente të ndërgjegjësohemi se për të këqijat që fshikullojnë shoqërinë tonë, përgjegjëse është përbuzja ndaj së vërtetës, drejtësisë, dashurisë; përgjegjësi kryesor është “mëkati” i shumëllojshëm; pra, përbuzja e gjithëfarllojshme ndaj Perëndisë. Për këtë arsye, duhet të kthehemi tek Ai, te pendimi.
Mendja jonë nuk duhet të shikojë si përgjegjës vetëm të fuqishmit. Edhe populli i thjeshtë ka përgjegjësi; meqë ka dëshirën e madhe për t’u pasuruar shpejt, në çast, në kurriz të të tjerëve. E kemi të lehtë të protestojmë kundër atyre që na kanë bërë padrejtësi e, në të njëjtën kohë, u bëjmë vetë padrejtësi njerëzve të tjerë. Pendimi duhet të nisë brenda secilit prej nesh.

Krishti e zbuloi realitetin mizor të mëkatit, që ndodhet brenda çdo realiteti të dhimbshëm. Ai do që ne të ndërgjegjësohemi për këtë fakt. Ai e fali mëkatin dhe, për mundjen e tij përfundimtare, ofroi fuqinë e Tij, hirin e Tij, gjakun e Tij, dhe dërgoi Shpirtin e Tij.
Në gjendjen e sotme të shoqërisë sonë duhet të theksojmë nevojën për falje. Nuk e kanë fajin vetëm disa; faji është më i gjerë. Pamë me sytë tanë fuqitë e errëta, që u derdhën në periudha krizash edhe nga zemrat e njerëzve të thjeshtë.
Shërimet e mrekullueshme që kreu Jisu Krishti, Biri i Perëndisë – dhe Biri i Njeriut – nuk janë vetëm përgjigje e thjeshtë ndaj një nevoje të caktuar, që u shfaq para Tij. Këto shërime mbartin mesazhe të thella dhe kanë rëndësi universale. Janë “shenja” dhe paralajmërime për një kapërcim tërësor të dhimbjes njerëzore dhe reflektojnë fitoren përfundimtare dhe universale të Krishtit mbi mëkatin dhe çdo lloj sëmundjeje. Për këtë arsye, Ungjijtë e të Dielave shpesh u referohen disa mrekullive të shërimeve të ndryshme, si “simbole” të Mbretërisë së Perëndisë, të mbretërisë së dashurisë, që nisi të lindë brenda historisë me Ardhjen e Tij në tokë, e që ka për t’u përfunduar në Ardhjen e Tij të Dytë, që do të bëhet me lavdi.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)