Shenjtori i ditës – 13 Maj

Dëshmore Gliqeria. Dëshmor Laodiki. Omologjet Sergji. Oshënar Efthimi i Ri në Athos. Oshënar Efrosini i Ivironit.

E shtunë, 13 maj 2023 – Leximet biblike.

E DIELA E SAMARITANES

E DIELA E SAMARITANES

Ngrënia ime është të bëj dëshirën e atij
që më ka dërguar. (Joani 4:34)

E habitshme duket se të vërtetat e larta, që përmban Ungjilli i sotëm, i shfaqi Zoti në një grua samaritane, grua mëkatare. Nuk ishte virgjëreshë e qashtër, as bashkëshorte e ndershme. Ishte e njohur në shoqërinë e Samarisë për mëkatet e saj. Por pikërisht kjo gjë e detyron Zotin Krisht të rendë për ta takuar. A nuk erdhi Zoti në botë, që të kërkojë dhe të shpëtojë mëkatarët? Pra, në Veprën e Tij ndodhet tani Zoti. Sepse edhe Samaritania ka nevojë që të shpëtohet.
***
a) Ja, pra, Krishti, i palodhur dhe i përkushtuar në veprën e Tij shpëtuese, dëshironte të shkonte nga Judea në Galile. Merr rrugën për në Samari dhe ndalon në qytetin Sihar, afër pusit që kishte hapur që në lashtësi patriarku Jakov. I lodhur nga rruga e gjatë, i etur në atë orë të drekës, “qëndroi kështu pranë pusit” (v. 6). Pas pak vjen Samaritania që të marrë ujë, ndërsa nxënësit e Zotit shkuan në qytet për të blerë ushqime. Shpirti i mashtruar gjendet tashmë pranë Çlirimtarit Hyjnor. Por që të çlirohet, duhet ta njohë si shpëtimtarin dhe shpër- blyesin e saj.
b)Zoti, pra, i kërkon ujë, duke marrë shkak që t’i flasë “për ujin që jep jetë”, domethënë për mësimin hyjnor të Ungjillit. Pastaj i shfaq të fshehtat e jetës së saj dhe kulmon kur i thotë: “Pesë burra more, dhe ai që ke tani nuk është bashkëshorti yt i ligjshëm” (v. 18), për t’i treguar se nuk është njeri i zakonshëm, po profet dhe i dërguar nga Perëndia e kështu ta sjellë në ndjesën dhe në pendimin e vërtetë. Dhe në pyetjen e saj, ku duhet njerëzit ta adhurojnë Perëndinë, i shfaq Perëndinë e vërtetë dhe adhurimin e vërtetë hyjnor, që i përket t’i blatojnë adhuruesit e sinqertë: “Perëndia është shpirt, dhe ata që i falen, duhet t’i falen me shpirt e me të vërtetë” (v. 24), i tha asaj. Ç’mbeti tjetër për t’i shfaqur? Personalitetin dhe misionin e Tij. E bën dhe këtë Çlirimtari hyjnor. Kur Samaritania parashtroi çështjen e Mesias, që prisnin të vinte, atëherë Perëndia i trupëzuar denjoi që të shfaqet te një grua mëkatare. “Unë jam Krishti që të flas në këtë moment”, i thotë. Dhe kështu e ndihmon që të besojë tek Ai.
c)Ky është përkushtimi në veprën e Tij, përpjekja dhe përkujdesja, përulësia prekëse dhe bashkëzbritja e Tij për shpëtimin e mëkatarit. Kur, më pas, nxënësit e Tij u kthyen nga qyteti me ushqime dhe e ftuan për të ngrënë, Ai iu përgjigj, se “ngrënia ime është të bëj dëshirën e Atij që më ka dërguar, dhe të mbaroj punën e Tij” (v. 34). Ushqimi im, jeta ime, gjithçka për mua është vepra dhe vullneti i Atit tim, që ta përfundoj këtë. Të gjej mëkatarët dhe t’i udhëheq tek Ati im, të çliruar nga e keqja dhe të shpëtuar. Atëherë ngopem. Atëherë prehem. Atëherë dëfrehem dhe gëzohem.
d)Pra, kjo vepër e shpëtimit, sigurisht, është punë e Krishtit. Por është edhe vepër e cila lidhet edhe me ne, kur synon shpëtimin tonë dhe ka si kusht dëshirën dhe përpjekjen tonë. Dhe tani bëhet pyetja: A kujdesemi dhe ne siç kujdesej Krishti për veprën e shpëtimit tonë shpirtëror? A jemi vigjilues, mundohemi, lodhemi, siç mundohej Ai? E vendosim këtë vepër mbi çdo vepër të përditshme, ushqimi, gjumi, mbi çdo gjë që i punon qenies sonë materiale? Fatkeqësisht, për shumicën e njerëzve, punët tregojnë të kundërtën. Dhe, natyrisht, kur të krishterët e harxhojnë tërë kohën e tyre në vogëlsira, në llafazanëri të pafundme dhe nuk lënë as 10 minuta në ditë për studim fetar dhe lutje; kur gdhihen të shtunën në mbrëmje dhe flenë të dielën në mëngjes; nuk shkojnë në kishë dhe nuk dëgjojnë predikimin për rimëkëmbje shpirtërore; kur kanë vite pa u rrëfyer dhe pa u kunguar, apo kungohen pa rrëfim dhe pa pendim; kur jetojnë pa besim te Perëndia dhe pa dashuri, kur punojnë pa ndershmëri dhe drejtësi, në këtë moment a nuk janë indiferentë për veprën e shpëtimit shpirtëror? Por këtë vepër Zoti e punoi me mundim dhe me përkujdesje të përsosur dhe për këtë derdhi edhe gjakun e Tij. Çfarë apologjie, pra, do t’i japim kur ne tregohemi indiferentë? Le të ndërgjegjësohemi, pra. Mbi çdo përkujdesje tjetër qëndron vepra e shpëtimit tonë. Le ta zbatojmë me energji dhe përkujdesje të madhe. Kjo gjë do të na çojë në shpëtimin tonë, ndoshta dhe në shpëtimin e të tjerëve.
II
a)Pikërisht këtë shikojmë në vazhdim të pjesës së Ungjillit. Kur Samaritania e njohu tashmë Zotin Krisht dhe predikimin e Tij hyjnor, la shtambën e saj “dhe shkoi në qytet”. Dy mësime zhvillohen tani: njëri është mësimi i Zotit Krisht për nxënësit te pusi dhe tjetri, i Samaritanes për bashkëqytetarët e saj. Zoti u thoshte nxënësve të Tij: “ngrini përpjetë sytë tuaj, dhe shihni arat se janë tashmë të bardha për t’u korrur”. Kjo do të thotë se njerëzit janë gati të pranojnë të vërtetën dhe shpëtimin, dhe presin apostujt si bujq në të korrat e shpëtimit tonë shpirtëror. Profetët u munduan në këtë punë, ata mbollën farën dhe tani apostujt do të korrin, gëzim, pra, për të dy: “Edhe ai që korr merr pagë, dhe mbledh pemë për jetë të përjetshme, që të gëzohen bashkë edhe ai që mbjell, edhe ai që korr” (v. 36). Dhe, me të vërtetë, për punëtorin është gëzim i madh të shikojë mundimet e tij të japin fryte, të shikojë mijëra shpirtra që dëgjuan nga goja e tij fjalën e Perëndisë, të pendohen dhe të kthehen te Zoti.
b)Por këtë gëzim e shijon edhe çdo mëkatar i penduar. Për shembull, edhe Samaritania e sotme. Ajo u ndriçua dhe njohu të vërtetën. Vrapon te bashkëqytetarët e saj dhe i fton të vijnë të njohin Shpëtimtarin: “Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?” (v. 29). Dhe fjala e saj pranohet nga zemrat e tyre. E besojnë dhe e ndjekin. “Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek Ai” (v. 30). Vinin me dëshirë për shpëtim. Nuk mbetën të ftohtë ndaj Krishtit, por “prej atij qyteti shumë samaritanë besuan” dhe me një zë “i luteshin të rrijë pranë tyre. Edhe qëndroi atje dy ditë” (v. 40). Dhe besuan shumë më tepër dhe shpallnin bindjen e tyre “se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës, Krishti” (v. 42).

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Më lart pamë se vepra e Zotit Krisht është që të shpëtojë mëkatarët. Dhe shpëtoi Samaritanen mëkatare. Ajo tani na tregon cila është puna e mëkatarit të penduar, e çdo njeriu, që ecën në rrugën e Perëndisë. Detyra e tij është të tregohet shkak shpëtimi për të tjerët. Madje, nëse dikush ka tërhequr dhe të tjerë në mëkat dhe është bërë skandal publik me jetën e tij të shfrenuar apo me idetë e tij të liga, atëherë, pasi të pendohet, duhet të tregohet shembull pendimi dhe rimëkëmbjeje morale. Ata, që për shkakun e tij ishin larguar nga rruga e Perëndisë, duhet tani, nëpërmjet këtij, të gjejnë udhën e kthimit. Shoqëria, e cila ishte skandalizuar nga ky, duhet që në personin e tij të gjejë shembullin e mëkatarit, i cili me të vërtetë pendohet dhe korrigjon gabimet e tij, duke ndjekur rrugën e ndershme të virtytit. Me fjalët tona do të pohojmë Shpëtimtarin, do të shpallim detyrën e pendimit tek të afërmit tanë, por edhe gëzimin që ekziston pranë Zotit Krisht. Por, sigurisht, më tepër do të flasë shembulli i jetës sonë të krishterë, do t’u japë guxim dhe të tjerëve që të ndjekin rrugën e pendimit. Çfarë gëzimi për ne: u bëmë shkaktarë pendimi për të afërmit tanë! Do të jetë gëzim dhe lavdi, dhe lumturi e përjetshme për ne dhe për ata. U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009)25.05.2008

E Diela e Samaritanes

Shfaqja e së vërtetës qartë dhe me dashuri
E Diela e Samaritanes
(Jn. 4:5-42)

“Jisu i thotë asaj: Shko, thirr burrin tënd”

Zoti e ndërpret për një çast mësimdhënien e Tij lartësuese rreth “ujit të gjallë”, për të kaluar në një çështje konkrete, në atë të Samaritanes. Nuk e bën për të ndërprerë bisedën, por që të zgjojë një ndërgjegje që ndodhet në gjumë. Për t’i dhënë mundësi kësaj gruaje që të shikojë të vërtetat e mëdha, të cilat do t’i zbulojë pak më vonë. Disi e tronditur, ajo kërkon t’i bëjë bisht pohimit, duke dhënë një përgjigje të paqartë: “Nuk kam burrë”, duke nënkuptuar se mund të jetë një vejushë e pamartuar. Por, Krishti ngul këmbë. Me delikatesë, por edhe me vendosmëri, Ai prek plagën e shpirtit të saj që, pavarësisht nga gabimet, është i etur për të vërtetën, për shërim. “Mirë e the që nuk ke burrë. Sepse ke marrë pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e the drejt “.
Prekja e plagës personale
Jisui nuk vonon të mbërrijë në anën e veçantë të jetës së njeriut, me të cilën komunikon. Të njëjtën taktikë e shikojmë dhe në dialogun e Tij me të riun e pasur (Llk. 18:22). Ai depërton në shtresën më të thellë të ndërgjegjes ose të britmave subkoshiente.
Nuk është e mundur të bashkëbisedojmë me Krishtin, nëse biseda me Të nuk ka karakter të pastër personal. Ai nuk na lë të qëndrojmë në gjëra të përgjithshme e teorike, por na nxit të thellohemi në realitetin konkret, në themelin e jetës. Në çastet kur arrijmë të kemi një dialog thelbësor me Të, Ai na zbulon konformizmin e jetës sonë me një qartësi të dallueshme dhe na tregon një plagë të fshehur, që nuk mund ta shpërfillim përgjithmonë. Ai do të hedhë dritë të plotë mbi prirjen ose zakonin tonë të gabuar, që e helmon jetën shpirtërore. Ai kërkon të nxjerrë në sipërfaqe mëkatin, që ne e strukim në thellësinë e errët të ndërgjegjes sonë. Sepse, vetëm kur e kundrojmë dhe e shohim në sy mëkatin tonë dhe ndërgjegjësohemi për të, atëherë do të shpëtojmë nga ndikimi vdekjeprurës, që mëkati përcjell në botën tonë të brendshme.

Por, në shumicën e rasteve, ne i kundërvihemi kësaj qasjeje. Do të donim t’i bënim bisht zbulesës, ashtu si gruaja samaritane, që në fillim u mundua të jepte një përgjigje të vagullt e jo bindëse. Prandaj edhe ne parapëlqejmë të mbetemi në diskutime të përgjithshme rreth Perëndisë, rreth dashurisë, vuajtjes dhe mirësisë. Shumë veta e largojnë dorën e Krishtit, e cila vjen për të na treguar dhe prekur mëkatin tonë personal: padrejtësinë që i bëjmë një miku ose të afërmi, shpifjen që përhapëm ndaj një kolegu, për të penguar përparimin e tij ose të saj në detyrë; njollosjen e nderit të një vajze, shfrytëzimin e një nëpunësi të varfër etj. Por, Zoti e di se diskutimet dhe analizat “fetare” janë një diskutim i shterpët, përderisa nuk e kuptojmë thellësisht mëkatin tonë personal. Nuk ka asnjë vlerë të trumbetojmë disa ide të krishtera, t’i ngrohim kohë pas kohe në mendjen tonë, kur shpirti ynë nuk ka dëshirë të identifikohet me to.
Gabimi ynë personal, sado i vogël të duket në sytë tanë, është kokrra e rërës që futet brenda mekanizmit të orës dhe e pamundëson funksionimin e saj normal. Është e kotë të dëgjojmë e të flasim; është e kotë të lexojmë dhe të shkruajmë për Krishtin, nëse nuk e zbulojmë plagën tonë shpirtërore para shikimit të Tij hyjnor, që “shqyrton zemrat dhe veshkat”, nëse nuk e lejojmë ta prekë dhe ta shërojë atë.
Me dallueshmëri dhe me mirësjellje
Krishti vijon të këmbëngulë me një delikatesë të veçantë. Fjalët që përdor Samaritania për të fshehur gjendjen e saj, Ai i kundërshton me takt, duke bërë edhe një zbulesë: “Mirë the, se s’kam burrë… këtu fole drejt”. Nuk e qorton, duke i thënë se po fsheh gjendjen e saj të vërtetë, se është fajtore. Por, me një dallueshmëri të jashtëzakonshme, Ai përdor anën pozitive të përgjigjes së saj, për t’ia bërë më të lehtë pohimin. Me kujdes e dhembshuri i afrohet plagës, duke mbajtur bisturinë në dorë. Ai largon paqartësinë e saj, thekson të vërtetën, por të gjitha këto i bën me një dashuri të thellë, që në fund fare e çliron dhe e bën tjetrin të ndiejë përgjegjësinë e tij.
Kur duam të ndihmojmë dikë që ta kuptojë gabimine tij, le të mos mënojmë të përdorim të gjithë kujdesin dhe delikatesën tonë. Shpesh, në jetën tonë të përditshme, në punë, në familje, na jepet rasti të kuptojmë gabimet e njerëzve, me të cilët jetojmë dhe bashkëpunojmë. Duam t’i ndihmojmë të kuptojnë dhe të korrigjojnë gabimet e tyre. Por, në përgjithësi, jemi të vrazhdë, të pazotë, shpesh të hidhur, dhe nuk është dashuria që na shtyn të flasim, por dashuria e sëmurë për veten tonë, e cila bezdiset nga sjellja e tjetrit dhe reagon duke theksuar anët e tij të dobëta. Sigurisht, mund të ngulim këmbë se e bëjmë “për të mirën e tij”, se e bëjmë ngaqë “e duam të vërtetën” dhe gjëra të ngjashme. Por në thelb kërkojmë të fshehim nga vetja shtysat e vërteta. Dashuria për të vërtetën nuk justifikon përbuzjen e dashurisë, vrazhdësinë në sjellje dhe hidhërimin e tjetrit. Sigurisht, duhet të japim ndihmesën tonë në zbulimin e së vërtetës dhe të ndihmojmë pozitivisht ata që kërkojnë ta mënjanojnë. Por, në këtë përpjekje, le të mos harrojmë kurrë delikatesën dhe fisnikërinë, që na mësoi Jisui me anë të shembullit të Tij.
***
Samaritania nuk reagon kur Krishti i zbulon mëkatin e saj personal, por e pranon Jisuin si të dërguarin e Perëndisë. Pikërisht, ajo nxjerr në pah këtë gjë, kur i fton bashkëkombësit e saj të shpejtojnë të takojnë Jisuin. “Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?”. Kur Krishti i prek çështjet tona personale në këtë mënyrë, atëherë arrijmë të njohim më mirë misionin e Tij shpëtimtar. Dhe, përmes përvojës sonë personale, do të arrijmë të ftojmë edhe të tjerët për ta njohur Atë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)

Shenjtori i ditës – 12 Maj

Oshënar Epifani i Qipros. Gjermani i Konstandinopojës. Dëshmore Domitila në Romë. Dëshmor i ri Joan, vllahu.

E premte, 12 maj 2023 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 11 Maj

Oshënarët Kirili e Metodi, ndriçues të sllavëve, të barabartë me Apostujt. Hierodëshmor Moki. Dëshmorët Fabio, Vaso. Kujtimi i përurimit të Konstandinopojës (402).

E enjte, 11 maj 2023 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 10 Maj

Apostull Simeon Zelloti. Oshënar Laurenti. Dëshmorët Filadelfi, Alfi, Kiprini.

E mërkurë, 10 maj 2023 – Leximet biblike.