NA KËNDOJNË ENGJËJT E TIJ

Na këndojnë engjëjt e Tij
Lavdëruar Mbret i ri.
Qoftë paqe sot në botë
Dhe ndër njerëzit pëlqim.
Erdhi Krishti pra, gëzohu
Me korin qiellor bashkohu.
Epni me engjëjt lavd’rim (2x)
Se u lind në Betlehem.

Princ i paqes është Ai
Diell’ i drejtësis’ përdhe
Dritë e jetë po na sjell
Nga shtëpija tonë në qiell
Krishti la lavdinë e tij
Sot u bë porsi njeri,
Ky prej mishi na u lind (2x)
Të rrojmë nga Fryma e Shenjtë.

ERDHI KRISHTLINDJA

Erdhi Krishtlindja ç’do gjë është gati
Po vjen lindja e Shpëtimtarit.
Gëzoni, gëzoni, qeshni e lodroni,(2x)
Bëni gati këngët që do të këndoni.

G’zuar Krishtlindjet ju që dëgjoni
T’gjithë me ne, me një zë këndoni.
Gëzoni, gëzoni, qeshni e lodroni (2x)
Bëni gati këngët që do të këndoni.

KAMBANA QË KËNDON

Kambanat që dëgjojmë
Ding-dang (2x)
Diçka po lajmërojnë,
Ding-dang (2x)
Kambana tingullëmbël
Ding-dang (2x)
Këndojnë bashkë me engjëjt
Ding-dang. (2)

Këndojnë për Lindjen tënde
I vogli Jisu.
Këndojnë për ne fëmijët
Dhe për të gjithë ju.
Krishtlindjet festoni,
Si engjëjt këndoni
Lavdi n’më të lartat,
Atij i këndoni

I BUKURI BREDH

I buk’ri bredh, i buk’ri bredh
Me gjethe plot të gjelb’ra
Je ti përherë symbol.
Besimin ti mua m’kumton
I buk’ri bredh, i buk’ri bredh
Me gjethe plot të gjelb’ra.
I buk’ri bredh, i buk’ri bredh
Je gjelbërim gëzimi

Sa herë që shoh, më gjallëron
E shpirtin ti ma qet’son.
I buk’ri bredh, i buk’ri bredh
Je gjelbërim gëzimi.

I buk’ri bredh, i buk’ri bredh
Me gjethe pa ndryshuar
Më përkëdhel, më ledhaton
E shprehjen ti ma ndryshon.
I buk’ri bredh, i buk’ri bredh
Me gjethe pa ndryshuar.

ENGJËJT DUKE FLUTURUAR

Engjëjt duke fluturuar
Natën lart përmbi kët’ botë
Sonte shpallin shumë t’gëzuar
Lindjen e Jisuit Zot.
Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur,
Ejani, adhurojeni
Mbretin e prosalindur sot.

Dhe dëgjoni ju barinj të thjeshtë
Kët’ lajm prej engjëjve
Rron ndër ne sot Perëndia
Si një foshnje plot hare.
Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur
Ejani, adhurojeni
Mbretin e prosalindur sot.

Sonte engjëjt prej së larti
V’rejn me frik’ edhe me shpresë
Zoti papandehurazi
Shpejt në tempull do të zbresë
Ejani, adhurojeni
Mbretin e porsalindur
Ejani, adhurojeni
Mbretin e prosalindur sot.

Ç’LAJM GAZMOR

Ç’lajm gazmor dhe i çuditshëm
Po na vjen nga Betlehemi,
Se na lindi djalë (2x)
Djalë prej Shpirtit të Shenjtë
Virgjëresha Mari.

Se në Betlehem Maria
Udhëtimin si mbaroi
Në spilenë e thjeshtë, (2x)
Në atë qytet
Na lindi Mesia.

Zoti Krisht që është pa nisje
Dhe prej Atit i dërguar
Që të na shpëtojë e të na çlirojë
Nga thonjtë e mëkatit. 2x)

KRISHTLINJDA

Bie borë në natën e Shenjt’
Dhe dëgjohet kamban’ e akullt
Bie borë në natën e Shenjt’
Gjithë fshati është zgjuar.
Ding, dang, dong…

Që të gjithë po shkojnë në kish’
Për t’iu lutur Krishtit fëmijë
Që të gjithë po shkojnë në Kish’
Ndriçon sot e Tërëshenjta.
Ding, dang, dong…

Linde sot pa një kapuç
Ti, o Krishti im i dashur,
Linde sot pa një kapuç
Ti, o Krishti im i mirë.
Ding, dang, dong

NJË HERË NË NJË STALLË

Një herë në një stallë, pushonte në grazhd
Jisui i vogël, i shtrirë mbi kashtë
Gjith’ yjet e qiellit, gëzoheshin shumë
Të v’renin Jisuin, si foshnjë në gjumë.

Madje kur në stallë pëlliste bag’tia
Jisui nuk qante, po rrinte i mirë
Jisu un’ të dua nga qielli m’shiko
Dhe deri n’mëngjes, tek unë qëndro.

NJË NATË KUR CA BARINJ TË THJESHTË

Një natë kur ca barinj të thjeshtë
Mbi tufat bënin roj’,
Një engjëll u afrua
Me lavdi i rrethoi

Mos kini frikë, tha ai
Se u tmerruan shumë ata
Një lajm të mirë dhe gëzim të madh
Ju sjell për botën mbarë. (2x)

Për ju u lind një Shpëtimtar
I shtruar në Betlehem
Jisui, Zoti Perëndi,
Tek ju si foshnjë vjen.

Lavdi në më të lartin qiell,
Dhe paqja qoftë mbi dhé
Shpëtimi dhe pajtimi sot,
Të gjithë njerëzve.

Lutje për paqe – Kushtet paraprake – Krishtlindje 2022

“Ti, që je Perëndi i paqes dhe Atë i dhembshur,
na dërgove Engjëllin e Këshillit tënd të madh,
që na dhuron paqe…”.
(Zbritësoret e së kremtes së Krishtlindjes)
Dëshira e zjarrtë për paqe së fundmi është kthyer në dhimbje të përditshme, klithmë dhe përgjërim për qindra mijëra njerëz. Për shkak të luftës së papranueshme katastrofike të Rusisë kundër Ukrainës, mbizotëron një hidhërim i pamasë. Në të njëjtën kohë, konflikte të armatosura ka në Siri, në Jemen dhe, përgjithësisht, në Azi e në Afrikë, dhe sulmet terroriste janë të shpeshta në qendrat e mëdha urbane perëndimore. Botën vazhdojnë ta mundojnë edhe luftërat e një lloji tjetër, ato ekonomike, diplomatike, ideologjike. Dhuna dhe arbitrariteti nuk kursyen së përdhosuri as vendet e shenjta. Për interesat e fuqive të ndryshme, keqinformimi përdoret si armë luftarake për të nënshtruar mendimin dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve.
E kremtja e Krishtlindjes thekson jo vetëm kërkesën dhe dëshirën për paqe, por tregon edhe mënyrën se si mund të arrihet ajo. Ardhja e Shpëtimtarit të botës, Jisu Krishtit, që u prit me himnin engjëllor: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Llk. 2:14), përbën përmbushjen e profecisë së Isaisë (shek. 8 pr. Kr.): “Se një djalë na lindi… dhe do të quhet Engjëll i Këshillit të madh, Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Mbizotërues, Princ i paqes, Atë i jetës së amshuar… dhe paqja e tij nuk do të ketë kufij…” (Isa. 9:6-7).
Paqja nuk është thjesht një urim, por është dhuratë hyjnore dhe arrihet përmes bashkëpunimit të njeriut me Perëndinë. Rrezatimi i hirit hyjnor është i mirëqenë, ndërsa përpjekja e njeriut pritet të ndodhë. Përvoja e krishterë orthodhokse dëshmon për një paqe të shumanshme me veten, me të tjerët, me Perëndinë, me krijimin. Në rrafshin profetik, Krishtlindja përmbledh, në trajtën e tyre fillestare, të vërtetat e mëdha, të cilat shpalosen plotësisht gjatë jetës së Krishtit, kulmojnë me Pësimin dhe Ngjalljen dhe jetësohen nga Kisha në të kremtet e mëdha.
Në pamje të parë, e kundërta e paqes mendohet të jetë lufta. Jam i bindur se e kundërta e paqes, thellë-thellë, është egocentrizmi, në trajta të ndryshme: mburrje, krenari, sedër e sëmurë, mendjemadhësi; është ky që prish marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e popujve dhe nxit konflikte të vogla e të mëdha. Brenda dritës së Lindjes së Krishtit shfaqet qartazi, gjithashtu, se egocentrizmi mposhtet përmes dashurisë dhe përulësisë, të cilat janë kushtet paraprake për vendosjen e paqes.
Thelbi i mesazhit të krishterë është ky: “Aq shumë e deshi Perëndia botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Jn. 3:16). Shprehjet e dashurisë, të përcaktuara nga besimi i krishterë, rrezatojnë pareshtur në Personin e Jisu Krishtit dhe të atyre që e ndjekin pas me përkushtim. Sikurse thekson edhe shën Maksim Omologjeti: “Mjaft njerëz kanë folur shumë për dashurinë, por nëse e kërkon atë, do ta gjesh vetëm te nxënësit e Krishtit, sepse vetëm ata kanë pasur si mësues të dashurisë vetë Dashurinë e vërtetë” (Rreth Dashurisë, 4, 100).
Biri dhe Fjala e Perëndisë nuk u bë njeri për të na parashtruar një teori të përgjithshme e të papërkufizuar rreth dashurisë, po për të na e zbuluar atë duke qëndruar mes nesh; për të hedhur dritë, përmes njohjes së Perëndisë, mbi të vërtetën që “Perëndia është dashuri. Kush qëndron në dashurinë, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (1 Jn. 4:16). Tufa e rrezeve të dritës së dashurisë përmban gjithë spektrin e virtyteve: drejtësinë, mirësinë, faljen, të vërtetën, që janë kushtet paraprake për forcimin e paqes.
Biri dhe Fjala e Perëndisë, i Gjithëfuqishmi dhe i Pakuptueshmi për mendjen, falë dhembshurisë së Tij pa kufi, merr natyrë njerëzore që ta lartësojë atë në mënyrë të paperceptueshme për mendjen e njeriut drejt hyjnizimit sipas hirit. Perëndinjeriu erdhi si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, dhe, me tërë jetën dhe flijimin e Tij, na nxit: “Mësoni nga unë, se kam zemër të butë dhe të përulur, dhe do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mt. 11:29).
“… Të udhëhequr drejt dritës së njohjes së Perëndisë”.
Me ndjenja mirënjohjeje për dritën e mahnitshme të njohjes së Perëndisë, që na dhuron Zoti ynë Jisu Krisht me Lindjen e Tij, le ta lavdërojmë Atë duke kultivuar paqen brenda vetes, me të tjerët dhe me Perëndinë; dhe le të përpiqemi të jemi bashkëpunëtorë të Tij, sipas porosisë së Tij: “Lum paqebërësit, se ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mt. 5:9).
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri 2023 qoftë paqeprurës dhe shëndetplotë!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.