E enjte, 15 dhjetor 2022 – Leximet biblike.

Tjetërsimi dhe kuptimi esencial i Krishtlindjes – Krishtlindje 2017

Klerit dhe popullit besimtar
Bij fort të shtrenjtë më Zotin,
“Perëndia është dashuri. Në këtë u shfaq dashuria
e Perëndisë te ne: Se Perëndia, Birin e tij, të vetëmlindurin,
e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij” (1 Jn. 4:8-9)

E kremtja e Krishtlindjes, në shoqëritë tradicionalisht të krishtera, ruan diçka të veçantë. Ajo rrezaton dritë, paqe, dashuri dhe shpresë. Por, për shkak të mënyrës si kremtohet në vendet tona të shekullarizuara, shpeshherë kuptimi i Krishtlindjes tjetërsohet dhe humbet brenda zbukurimeve të shumta. Histeria e konsumizmit dhe indiferenca shpirtërore e rrudhin interesin fetar. Shfaqjet e luksit dhe të lavdidashjes e deformojnë bukurinë e thjeshtësisë dhe të pafajësisë. Nuk bëhet fjalë për fenomene të jashtme. Ky modifikim ndodh pakuptuar në ndërgjegjen tonë.
Tjetërsimi plotësohet me pushtimin e një figure që nuk ka lidhje me Krishtlindjen, që quhet “Shën Vasili” apo babagjyshi i Krishtlindjes, i cili na shfaqet si një plak i shëndoshë me rroba të kuqe, që vjen nga Veriu dhe shpërndan dhurata. Ky mit i krijuar, që rrëmben fantazinë e të vegjëlve dhe të mëdhenjve, në thelb është një shtrembërim i frikshëm i figurës së mrekullueshme të mësuesit të urtë ekumenik, Shën Vasilit të Madh, Kryepiskopit të Qesarisë, i cili e jetoi dhe e predikoi Ungjillin e Krishtit, duke lehtësuar vuajtjen njerëzore me vepra dashurie të realizuara për herë të parë në histori.
Kisha këmbëngul të zbulojë kuptimin esencial të së kremtes: “Perëndia është dashuri”. Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë për ne: dërgoi Birin e Tij, të vetëmlindurin, në botë, që të rrojmë me anë të Atij, duke përjetuar të vërtetën, fuqinë dhe hirin e Tij. “Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16). Kjo e dallon në mënyrë specifike besimin e krishterë nga çdo ideologji dhe sistem tjetër fetar. Duke theksuar se Perëndia është dashuri, shpallet qartë se Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një energji personale e përmbiepërme, dituri, fuqi, që njeriu do të kishte mundësi t’i afrohej me anë të aftësive të tij intelektuale. Është Perëndi personal dhe e shfaq dashurinë e Tij me marrëdhënie konkrete me gjininë njerëzore.
Biri dhe Fjala e Tij merr natyrën njerëzore, “mishërohet”. Kuptimi unikal i së kremtes formulohet saktë nga Athanasi i Madh: “Fjala e Perëndisë u bë njeri që t’i çojë njerëzit në hyjnizim”. Lindja e Krishtit i ngjan një vaksine dashurie, që vepron mistikisht dhe përhapet në mënyrë afatgjatë brenda trupit të njerëzimit. Gjithnjë e më tepër dashuria tërheq respektin dhe admirimin e gjithanshëm dhe pranohet si vlera kryesore mbarënjerëzore.
Gjatë periudhës së këtyre të kremteve, çdo besimtar ftohet në një riorganizim të brendshëm. Ftohet të ndërgjegjësohet më thellë rreth kuptimit të ardhjes së Shpëtimtarit Krisht në rrugëtimin historik të njerëzimit. Kjo Ngjarje vazhdon të mbetet rrënja e zbulesës së krishterë dhe ushqen çdo lloj propozimi dhe çdo vlerë tjetër të krishterë.
Veçanërisht e rëndësishme është se Perëndia është Ai që i pari shfaq dashurinë e Tij: “Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shpërblim për mëkatet tona” (1 Jn. 4:10). Nga ky burim i dashurisë buron edhe detyrimi i dashurisë sonë: “Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin” (1 Jn. 4:11). Perëndia dashuron pavarësisht nëse të tjerët janë ose jo të denjë për dashurinë e Tij, dhe nëse në fund i përgjigjen siç duhet kësaj dashurie. Rrezaton atë që Vetë është: Dashuri. Dhe ata që e ndjekin, i fton pikërisht në këtë cilësi të dashurisë.
* * *
Por ekziston akoma edhe një tjetërsim. Ky e plagos rëndë kuptimin e dashurisë. Dashuria, kjo fjalë e mrekullueshme, përdoret me semantika të ndryshme që e modifikojnë kuptimin e saj të vërtetë. Ky tjetërsim i saj mbizotëron në aq shumë forma të artit të epokës sonë, saqë njeriu pyet veten: Ku është dashuria që humbi në erotizëm? Dhe ku është erosi që humbi në pasione, të cilat vështirë se mund t’i nxërë goja e njeriut?
Kisha, si “Trup i Krishtit”, nxjerr vazhdimisht në pah kuptimin e dashurisë, siç e zbuloi Jisu Krishti me Lindjen e Tij, me tërë jetën dhe doktrinën e Tij. Dashuria gërshetohet me përulësinë e vullnetshme. Çlirimtari erdhi në botë si foshnjë e pafajshme. Ky është një veprim i mahnitshëm i Perëndisë së pashprehshëm dhe të pakonceptueshëm të dashurisë. Është diçka e pakapshme për frekuencat e kapacitetit perceptues njerëzor.
Dashuria është një lëvizje lirie për t’u çliruar nga robëria e egocentrizmit. Ajo përcakton sjelljen njerëzore në të gjitha shprehjet e saj. Dashuria është zemërgjerë, ka fuqinë për të falur, nuk ka smirë, nuk mburret, nuk mbahet me të madh, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të keqen për të tjerët, nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet kur shikon të mbizotërojë e vërteta (shih 1 Kor. kap. 13). Dashuria nuk njeh kufij racorë, socialë apo politikë.
Reagimi i të krishterëve besimtarë ndaj epidemisë së lakmisë dhe padrejtësisë që fshikullon shoqëritë e shekullarizuara kapitaliste, si dhe ndaj amokut të dhunës dhe të urrejtjes që në shekullin tonë shpërthejnë me parulla fetare, është përjetimi dhe ofrimi i dashurisë me përulësi dhe predispozitë flijuese. Asnjë institucion social nuk e zëvendëson dot Kishën në këtë kontribut. Ajo është punishtja diakronike e dashurisë. Duke pasur si krye të saj Krishtin, i Cili është Dashuria e Mishëruar e Perëndisë, shpall se: “Perëndia është dashuri” (1 Jn. 4:16) dhe se mënyra e vetme për një jetë të vërtetë është të përjetojmë dashurinë, siç e përjetuan shenjtorë të panumërt në të gjitha epokat. Vetëm kështu “do të rrojmë me anë të tij” dhe të jemi në kungim me Atë: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1 Jn. 4:16).
Vëllezërit e mi, e kremtja e Lindjes së Krishtit zbulon një dimension të pamasë të dashurisë. Le t’i përqasemi asaj me meditim, lutje dhe mirënjohje për këtë dhuratë të mrekullueshme të Perëndisë. Krishtlindje të bekuara me dashuri jo të shtirur në zemrën tonë, por me dashuri të mbushur me përulësi, paqe dhe ndjeshmëri sociale, siç na e zbuloi Jisu Krishti, Çlirimtari dhe Zoti ynë.
Me lutje të zjarrta te Zoti
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Shenjtori i ditës – 14 dhjetor

Dëshmorët Filemoni, Ariani, Apolloni, Thirsi, Lefki, Kaliniku etj. Dëshmor Ipati e 36 dëshmorët.

E mërkurë, 14 dhjetor 2021 – Leximet biblike.

Shenjtori i ditës – 13 dhjetor

Dëshmorët Efstrati, Afksenti, Oresti, Evgjeni, Mardari. Dëshmore Luçia.

E martë, 13 dhjetor 2022 – Leximet Biblike.

Mposhtja e arrogancës – Krishtlindje 2016

Klerit dhe popullit besimtar
Bij fort të shtrenjtë më Zotin,
“Zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori…” (Filip. 2:7)
“Bir na lindi ne” (Is. 9:6)
Të vërtetat që burojnë nga e kremtja e Krishtlindjes, befasojnë. Të magjeps qetësia, pafajësia fëmijërore, ngazëllimi, dashuria, lavdërimi dhe shpresa. Por ka edhe diçka tjetër brenda kësaj të kremteje, e cila shpesh nuk vihet re: mposhtja e arrogancës, e një prirjeje që e çon gjininë njerëzore në konflikte të frikshme, në tragjedi dhe rrugë pa krye.
Krishti “nuk erdhi me arrogancë” (1 Klementit), thekson ati apostolik, Klementi i Romës. Ngjarjet që lidhen me ardhjen e Perëndinjeriut, me anë të fytyrës rrezatuese të Foshnjës Hyjnore, e shfuqizojnë në mënyrë mahnitëse joshjen e arrogancës. Perëndia i Pashprehshëm, i Pakonceptueshëm dhe i Tërëfuqishëm, duke marrë natyrën njerëzore, nuk përzgjedh pamjen e një të dituri të pranuar nga të gjithë, të një gjigandi të fortë, të një perandori të fuqishëm. Ai vjen si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, që gjatë gjithë jetës së Tij, “e zbrazi veten duke marrë formë shërbëtori” (Filip. 2:7). Ai iu kundërvu çdo forme të arrogancës: pushtetit gjakatar të Herodit, egoizmit arrogant fetar të farisenjve dhe skribëve, krenarisë së pushtetshme të Pilatit.
Arroganca nuk ka reshtur kurrë së minuari bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe përparimin e shoqërisë. Dhe sot, mbi 2000 vjet pas Lindjes së Krishtit, arroganca vijon ta sundojë njerëzimin me mënyra nga më të ndryshmet. Karakteristika autentike e arrogancës na zbulohet nga shën Joan Gojarti: “Arroganca shfaqet tek ata njerëz që, ndërsa nuk janë asgjë, i mendojnë të gjithë tjerët poshtë vetes”. Arroganca shoqërohet nga zemërngurtësia, padrejtësia, paranoja, dhuna. Ajo nuk respekton dinjitetin dhe lirinë e të tjerëve. Mbi të gjitha, arroganca e përbuz të vërtetën; sipas shprehjes së shën Klementit, ajo “vepron larg së vërtetës”. Shkakton çdo lloj katastrofe, duke udhëhequr shpesh drejt vetëshkatërrimit.
Sot të gjithë e pranojnë nevojën e paqes së përbotshme dhe të solidaritetit. Por, ajo që zakonisht injorohet dhe është një e vërtetë e vyer, është fakti se e kundërta e paqes dhe e drejtësisë nuk është lufta dhe shfrytëzimi ekonomik, por egocentrizmi- rrënja e arrogancës. Egocentrizmi i individëve, i grupeve, i kombeve.
Virusi i arrogancës transformohet më tej duke ndotur rrezikshëm shumë njerëz dhe jo vetëm ata që ndodhen në pozita të larta politike, akademike dhe kishtare. Shfaqet edhe te njerëzit inteligjentë dhe me integritet, por edhe te të pashkolluarit dhe mendjengushtët; ndot të pasurit dhe të varfrit.
* * *
Rreziku i arrogancës, me metastazat dhe format e shumëllojta, vihet re veçanërisht dhe në mënyrë të përsëritur, tek ata që zënë poste të larta. “Sa më i madh të jesh, aq më tepër përule veten tënde dhe do të gjesh hir para Zotit” (Urtësia e Sirakut 3:18). Literatura biblike dhe ajo patristike thellohen dhe e theksojnë këtë të vërtetë, se “Perëndia u kundërvihet kryelartëve, por të përulurve u jep hir”.
Sigurisht, ritmet e sotme të shoqërisë miklojnë forma të shumëllojshme të arrogancës dhe janë në kundërshtim me frymën e përulësisë, që transmeton e kremtja e Krishtlindjes. Ky mesazh humbet brenda zhurmës shurdhuese të dukjes dhe luksit, brenda shkëlqimit të rremë dhe fantazmagorisë. Përulësia dhe thjeshtësia në epokën tonë, e cila rend pas kënaqësisë, duken si gjëra jashtë vendi dhe kohe. Madje edhe brenda mjediseve kishtare, pavarësisht se flitet shumë për përulësinë, mënyra e të menduarit dhe e sjelljes shpesh tradhton një mendim të lartë për veten, që është i gabuar.
Pavarësisht nga këto, mposhtja e arrogancës që u realizua me ardhjen e Fjalës së Perëndisë dhe përulësia sipas Krishtit përcaktojnë në mënyrë të qëndrueshme të fshehtën e fuqisë shpirtërore dhe të rrezatimit të Kishës, të shoqëruar me dashurinë sakrifikuese “të atyre që kërkojnë Zotin”. Antidotin e efektshëm ndaj egocentrizmit kancerogjen na e ofron Jisu Krishti – i Cili lindi në mënyrë të përulur dhe e përfundoi misionin e Tij me përulësinë e skajshme të Kryqit- me shembullin e Tij, me fjalën e Tij: “Mësoni nga unë, se jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj” (Matth. 11:29).
Rrezatimin e Hirit të Krishtit, e kuptojmë dhe e pranojmë veçanërisht me misterin e Eukaristisë Hyjnore. Ky mister thekson mbi gjithçka tjetër përulësinë e Tij të skajshme dhe transmeton në mënyrë diakronike Hirin e Tij te njerëzimi. Dhe vazhdon të jetë, ashtu siç u shpall me fuqi në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të orthodhoksëve në qershor 2016, qendra kryesore e jetës shpirtërore orthodhokse dhe e unitetit të Kishës.
“Krishti, Perëndia ynë i vërtetë, që lindi në shpellë dhe u shtri në grazhd” le të na çlirojë nga çdo formë e dukshme apo e fshehtë e arrogancës dhe nga çdo lloj robërie ndaj egocentrizmit dhe varianteve të tij të shumëllojta. Dhe le të na bëjë të denjë të jetojmë me përulësi e thjeshtësi shpirti, duke ndjekur gjurmët e Tij.
Krishtlindje të gëzuara!
Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!

Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Shenjtori i ditës – 12 dhjetor

Oshënar Spiridhoni i Trimithundës. Hermani i Alaskës. Oshënar Finiani. Oshënar Anthi. Dëshmor Sinesi.

E hënë, 12 dhjetor 2022 – Leximet biblike.

Sprovat dhe prania e Perëndisë – Krishtlindje 2015

Klerit dhe popullit shpresëtar,
Bij fort të shtrenjtë më Zotin,
«Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.»
1. Shqetësim, dhimbje dhe frikë shtrihen sot në jetën tonë. Varfëri shumëformëshe, emigrime, privime të vështira për t’u përballuar. Shpërthime terroriste agresiviteti e dhune. Dhe pikërisht brenda kësaj trazire, e kremtja e Krishtlindjes vjen si dritë e tërëshkëlqyer ngushëllimi, paqeje dhe shprese.
Ngjarjet në lidhje me Lindjen e Krishtit, siç i përshkruajnë ungjillorët Matthe dhe Lluka, theksojnë se Jisu Krishti, ende foshnjë, përballet me një sërë vështirësish. Lindet pas një udhëtimi të gjatë të së Tërëshenjtës, Nënës së Tij, në një vend të varfër në Bethlehem, banorët e të cilit sillen ftohtë dhe indiferentë. Pason urrejtja e të fuqishmëve, plani djallëzor i Herodit, një persekutim i palogjikshëm dhe i padrejtë, që E detyron të gjejë strehë në Egjipt. Por, në çdo hap të vështirë të jetës së Jisuit të vogël mbizotëron prania e Perëndisë Atë.
Pra, le të mos çuditemi dhe të mos e humbasim mendjen kur gjendemi para vuajtjeve, armiqësive, padrejtësive, varfërisë, indiferencës dhe rrugëve pa krye. Sprovat janë pjesë e jetës njerëzore. Le të mësojmë të përballemi paqësisht me to. Mbi të gjitha, me besim dhe shpresë në përkujdesjen dhe praninë e Perëndisë. Madje edhe në fazat e errëta të jetës sonë, kur na shtrëngojnë kërcënime, privime, sëmundje, dështime, kumbon në mënyrë ngushëlluese vargu i Psalmistit: “Nëse eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga të këqijat, se ti me mua je” (Ps. 22:4).
Ndjesia e pranisë së kudondodhur dhe të përhershme të Perëndisë na ngushëllon, na fuqizon dhe na siguron rezistencë e paqe në dhimbje dhe në hidhërime. Gjithashtu, e mbush shpirtin me dritë ngazëllimi në kohë suksesi e krijimi.
2. Njohja e pranisë dhe e përkujdesjes së Perëndisë në botë ishte një e vërtetë e pranuar qysh nga zbulesa e Dhiatës së Vjetër. E Reja tronditëse që thekson e kremtja e Krishtlindjes është, se Perëndia jo vetëm që është i pranishëm në botë, por se Biri dhe Fjala e Tij “u mishërua”, mori natyrën njerëzore. Kjo zbulesë e dallon besimin e krishterë nga besimet e tjera fetare. Simboli i besimit të krishterë nënvizon: “Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri”.
Që nga ai çast, të gjithë sa besojnë në Atë dhe pagëzohen në emrin e Trinisë së Shenjtë bëhen gjymtyrë të trupit mistik të Krishtit “që është Kisha” (Kol. 1:24). Marrin Hirin dhe fuqinë për të qëndruar “në Atë”, të gjenden në një kungim personal me Krishtin.
Përjetimi që e paqëson besimtarin e krishterë është diçka më intensive sesa prania e thjeshtë hyjnore. Është “kungimi” ekzistencial me Fjalën e Perëndisë të bërë njeri, me Jisu Krishtin. “Fjala e Shfaqur, për këtë arsye e bashkoi veten e tij me natyrën e vdekshme të njerëzve, që ta bashkëhyjnizojë njeriun nëpërmjet kungimit me Hyjninë”, siç na e shpjegon shën Grigori i Nisës. Me “mishërimin” e Tij, Biri i Perëndisë na ofroi të drejtën e pakonceptueshme “për të qëndruar në Atë”, për të marrë pjesë mistikisht në jetën e dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Ungjillori Joan e formuloi në mënyrë lakonike të vërtetën e mrekullueshme, që e përmbledh në Dhiatën e Re: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16).
Krishti në mënyrë të përsëritur iu referua misterit të marrëdhënies së Tij me Atin e Tij Qiellor. “Besomëni se unë jam tek Ati, dhe Ati tek unë” (Jn. 14:11). Dhe “ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë” (Jn. 8:29). Në këtë marrëdhënie kungimi me Atë i fton të gjithë nxënësit dhe apostujt e Tij, ku me qartësi deklaroi: “Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai” (Jn. 14:23). Pra, parakusht për “kungimin” me Perëndinë është përshtatja e sjelljes sonë me fjalën e Tij, me vullnetin e Tij, me parimet që Ai përcaktoi: me drejtësinë, dashurinë për të vërtetën, zemërgjerësinë, faljen, dëlirësinë, përulësinë dhe vetësakrifikimin.
* * *
Vëllezërit e mi, dhurata më e madhe që na ofrojnë Krishtlindjet, është siguria se Perëndia “është me ne”. Perëndia i pafund dhe i tërëfuqishëm, i pakohshëm dhe i panxënshëm, Ai që është Dashuri, hyri në kohën dhe në hapësirën tonë. “Dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16). Ai që do dhe ndien vazhdimisht praninë e Perëndisë, kungimin me Fjalën e Tij të bërë njeri, nuk ka frikë askënd dhe asgjë. “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1Jn. 4:18), çdo formë frike.
Le të lutemi që Perëndia në Trini të na japë Fuqinë e Tij, që të mos përkulemi nga hidhërimet, padrejtësitë, vuajtjet që ngrihen në rrugën tonë; që të mbështesë ndjesinë e pranisë së Atit qiellor, sigurinë se në qendër të historisë njerëzore mbizotëron Emanueli- Krishti. Dhe me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, sprovat të transformohen në mundësi pjekurie shpirtërore dhe shenjtërimi.
Krishtlindjet le të na sjellin paqe, Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!
Me dashuri të thellë më Krishtin,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.