Oshënar Ambrozi i Milanos. Oshënar Grigori në Athos. Dëshmore Filothea në Arxhesh. Dëshmor Prisku. Oshënar Pavël Bindësi.
Shenjtori i ditës – 07 dhjetor

Oshënar Ambrozi i Milanos. Oshënar Grigori në Athos. Dëshmore Filothea në Arxhesh. Dëshmor Prisku. Oshënar Pavël Bindësi.
“Dhe do t’ia vënë emrin Emanuel, që e përkthyer domethënë, Perëndia bashkë me ne.”
(Matth. 1:23)
A
E kremtja e sotme shpall diçka të pakapshme nga mendja njerëzore: Perëndia erdhi për të qëndruar me ne. Erdhi për t’u bashkuar me njerëzimin, të ndajë me të dhembjen, t’i përgjigjet aspiratës për shpëtim. Gjurmë nga kërkimi i njerëzve për të Përtejshmen, Hyjnoren, gjenden nëpër sisteme të ndryshme fetare. Por, ajo që e dallon mesazhin e krishterë dhe e bën atë unikal është, se vetë Perëndia erdhi dhe u bë njeri, “që të hyjnizojë njeriun”. Kemi të bëjmë me një realitet tronditës.
Perëndinjeriu nuk erdhi si një engjëll ose si profet për të na zbuluar vullnetin e Perëndisë, për të caktuar Ligjin suprem dhe pastaj të largohet. Ai erdhi, që të bëhet një me ne “dhe qëndroi ndër ne” (Jn. 1:14). Hyri te njerëzimi me një lindje reale nga Virgjëresha Mari, që të mbetet përjetësisht “njëri prej nesh”, i njëjti me ne, përveç mëkatit, njëri që i përket me të vërtetë familjes sonë njerëzore.
Me sigurinë se Jisui është “Emanueli”, “Perëndia bashkë me ne”, fillon Dhiata e Re. Dhe me atë konfirmim të vetë Krishtit të ngjallur, “edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës” (Matth. 28:20), përmbushet vepra e Tij. Emri Emanuel përmbledh vetëm në një fjalë misterin e të bërit njeri.
Vasili i Madh, duke përmbledhur kuptimin e të kremtes së sotme, shpjegon se Fjala e Perëndisë erdhi në tokë që “ta ringrejë njerëzimin drejt vetes së Tij”. Ai erdhi që gjininë njerëzore ta risjellë në drejtimin e duhur, të cilin e kishte humbur; ta ribashkojë njerëzimin me rrënjën e tij, me Perëndinë. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”, shpalli Krishti gjatë predikimit të Tij publik. Urtësia, drejtësia, paqja, shpëtimi, që dëshirojnë aq shumë njerëzit, grumbullohen tek Personi i Tij. “Te Krishti janë fshehur gjithë thesaret e urtësisë e të diturisë”, siguron Apostull Pavli (Kol. 2:3). Bashkimi personal i natyrës hyjnore me atë njerëzore te Krishti, i dha njerëzimit një dinamikë të re. Me ardhjen e Tij në tokë, Perëndinjeriu risolli tek Perëndia Triadik, tek Dashuria e gjallë, “mbarë njerëzimin”, mbarë gjininë njerëzore, tërë natyrën njerëzore, tërë krijimtarinë njerëzore. Që t’i rikrijojë ato dhe t’i lartësojë brenda dritës së energjive të pakrijura hyjnore, që rrezaton dashuria e Tij.
B
Këtë siguri, se Perëndia është “bashkë me ne”, vjen për ta rigjallëruar në ndërgjegjen tonë e kremtja e Krishtlindjeve. Kisha, me himnologjinë e saj, na fton që t’i ndiejmë këto evenimente si të jenë të sotme. “Sot lind prej Virgjëreshës Ai që mbarë krijesën e ka në pëllëmbë të dorës”, dëgjuam në një tropar. “Të gjitha sot mbushen me gëzim, Krishti lindi prej Virgjëreshës”, në një tjetër tropar.
Zakonisht, shumë njerëz e mendojnë Jisuin si një person të largët të së kaluarës, dhe jo si Emanuelin, Krishtin e gjallë që qëndron me ne. Shumë besojnë më tepër në një Zot që mungon se sa në një Zot përjetë të pranishëm. Ndaj dhe emri Emanuel nuk u vjen në mendje, nuk u ngroh zemrat. Madje, edhe shumë nga ne, ndihen të qetë dhe me më shumë siguri me mendimin se “me ne është paraja, me ne është pushteti, me ne është mbrojtja e të fuqishmëve”, se sa në besimin se me ne është Perëndia. Prandaj, aq shpesh mbetet mes nesh mëria, frika, agonia dhe zhytemi në vetmi.
Sigurinë se Krishti qëndron pafundësisht me ne, e shpall gjithnjë Kisha e Tij. Këtë ndjesi të gjallë të pranisë së Tij dhe bashkimin organik me Të, e garanton me kryerjen e Mistereve të hirshme, që fillojnë me Pagëzimin dhe arrijnë kulmin me Eukaristinë Hyjnore. Premtimin e Zotit, pas Pësimit dhe Ngjalljes së Tij, se “ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës”, na e kujton dhe konsolidon në ndërgjegjen tonë Kisha. Krishti është me ne jo vetëm gjatë çasteve të lutjeve dhe të paqes, por edhe gjatë ditëve të turbullta të dyshimit dhe të dobësisë. Madje, edhe gjatë çastit të frikës ose të tradhtisë së pavullnetshme. Ndërgjegjësimi per praninë e Zotit Jisu, na fuqizon dhe na frymëzon.
C
“Dhe emrin do t’ia vënë Emanuel, që e përkthyer do të thotë Perëndia bashkë me ne”. Festa e Krishtlindjeve na fton që ta forcojmë këtë ndjesi të pranisë së vazhdueshme të Emanuelit. Që të lëvizim me vizionin, me kriteret dhe me fuqinë e Tij. Me sinqeritetin, dëlirësinë dhe me dashurinë e Tij. Që të jemi të çliruar nga fobitë dhe ankthet, duke vështruar drejt Personit të Tij, duke u mbështetur tek dora e Tij. Që të jemi mbartës të paqes, të drejtësisë, të pajtimit dhe të optimizmit në rrethin tonë të ngushtë dhe në atë më të gjerë. Që të tregohemi të paepur e krijues, edhe në kushtet shoqërore më të vështira dhe të pasigurta. Karakteristikë e besimtarit orthodhoks mbetet, së pari, ndjesia e gjallë e pranisë së Emanuelit; dhe së dyti, përpjekja e vazhdueshme që të bëhet e ndjeshme prania e Krishtit edhe tek të tjerët – me fjalën, me punën, me heshtjen, me tërë ekzistencën tonë.
Në kohën kur dhuna, padrejtësia dhe varfëria mundojnë njerëzimin dhe na mbushin zemrat me turbullirë dhe ankth, e kremtja e Krishtlindjeve vjen përsëri për të ndezur në shpirtrat tanë dritën e besimit dhe të shpresës. Në epokën e sotme, kur dituria njerëzore na zhyt në pafundësi, në vogëlsinë e pafund të materies dhe në madhësinë e pafund të hapësirës kozmike pambarim, zemra jonë merr hov para mesazhit të besimit të krishterë, se Perëndia i Pafund, vjen për të marrë natyrën tonë njerëzore dhe për të na çuar në pikën më të lartë të zhvillimit: në hyjnizimin e njeriut sipas hirit.
Fjala e Perëndisë, vëllezër, erdhi që “mbarë njerëzimin ta ringrejë drejt vetes së Tij” – pra drejt jetës dhe dashurisë së vërtetë. Le ta presim me më shumë përkushtim, duke i hapur tejpërtej dyert e mendjeve dhe zemrave tona. Dhe le të punojmë që ta takojnë Atë sa më shumë nga vëllezërit tanë, që ndodhen afër dhe larg. E tërë jeta jonë mund të transformohet në një festë ngazëlluese, nëse e vërteta se “me ne është Perëndia” bëhet atmosfera, në të cilën do të marrim frymë dhe do të lëvizim.
Të bekuara qofshin Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Me ndjesinë e vazhdueshme të pranisë së Tij.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
“Ndonëse ishte i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheni ju të pasur me anë të varfërisë së tij.” (II Korinth. 8:9)
A
Krishti i porsalindur është një fëmijë i pastrehë në një vend jomikpritës, me një indiferencë të akullt, me ngrohtësi të vetme njerëzore, butësinë e Nënës së Tij të Shenjtë dhe interesimin plot dhembshuri të Josifit. Në bujtinën ku shkoi për të kërkuar strehë e Tërëshenjta, e sfilitur nga udhëtimi i gjatë, bashkë me mbrojtësin e saj, Josifin e drejtë, nuk u gjet vend për ta. Dhe kur u lind Jisui, “e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Luk. 2:7). Në këtë kuadër të varfërisë së vullnetshme ka lëvizur edhe tërë jeta e Tij në tokë. Ende foshnjë mërgoi për në Egjipt. Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë i kaloi duke bërë punë krahu në Nazaret. Në jetën publike, Ai gjendej vazhdimisht duke udhëtuar, “s’kishte ku të mbështeste kryet” (Luk. 9:58). Dhe kulmi ka qenë zhveshja mbi Kryq.
“Ndonëse ishte i pasur, për ne u bë i varfër”.
Kur u bë njeri “Sunduesi dhe Krijuesi i të gjithëve”, mohoi të gjitha sa ne i quajmë pasuri – pará, komoditete, fuqi – duroi sprovat dhe padrejtësitë e jetës në tokë, duke marrë pjesë në dhimbjen e njerëzve. Si parim përcaktues i Tij ishin fjalët e Profetit Isaia për Mesinë: “Shpirti i Zotit është mbi mua, prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u jap lajmin e mirë të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer,…” (Luk. 4:18). Ai theksoi dinjitetin njerëzor të të varfërve dhe vlerën e tyre të pamohueshme para Perëndisë.
Por Krishti, pranimit të varfërisë nuk i dha një përmbajtje shpëtuese më vete, siç pohojnë disa doktrina fetare indiane. Ai e lidhi me lirinë e brendshme dhe modestinë. Dhe i ftoi të gjithë ata që vuajnë – pra shumicën e njerëzve – që të shkojnë tek Ai, që është “i butë e i përulur në zemër”, për të gjetur prehje në shpirt (Matth. 11:29). Shpalli çlirimin e brendshëm nga të mirat e kësaj bote, qoftë kur njerëzit i kanë ato, qoftë kur janë të privuar dhe i dëshirojnë. Njëkohësisht, Ai stigmatizoi makutërinë dhe mizorinë e të pasurve, padrejtësinë dhe shfrytëzimin e të fuqishmëve.
Shpalli qartë, se pasuria e vërtetë është ajo shpirtërore, liria nga mashtrimi dhe konfuzioni, çlirimi nga pasionet, egoizmi dhe mëkati i shumëllojshëm, dhënia kuptim jetës dhe vdekjes. Theksoi se pasuria e shpirtit përbëhet nga besimi, pajtimi me Perëndinë, nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë që banon te njeriu, i cili imiton Krishtin. Zbuloi se pasuria e vërtetë e njeriut qëndron në dashurinë, e cila e bën atë kungues të jetës së Perëndisë.
B
Në ritmin e shfrenuar të shoqërisë sonë të konsumit, për shumë njerëz edhe vetë festa e Krishtlindjes është kthyer në një festë konsumi, ku sundon akumulimi dhe shijimi i të mirave materiale. Kështu, nuk është e vështirë të vihet re, madje edhe nëpër mjedise të krishtera, një lloj paranoje. Shumë të krishterë admirojnë fjalën dhe veprën e Krishtit, por në praktikë ata adoptojnë mentalitetin se vetëm pasuria ka vlerë. Ndaj dhe konstatojmë se në shumë vende tradicionalisht të krishtera ka një Krishterim me besim të plasaritur, me dashuri të krisur, përfundimisht me vetëdijen e tij të traumatizuar.
Në këtë gjendje, zëri plot ankesë dhe rreptësi i Krishtit të lindur në varfëri, vazhdon të pyesë: “Pse më thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?” (Luk. 6:46). Me fjalë dhe vepra iu gjenda pranë të varfërve dhe të përulurve. Këmbëngula në detyrën e solidaritetit ndaj çdo njeriu dhe e shtriva tej çdo kufiri racor apo fetar; ndaj të panjohurit, të huajit dhe ndaj atij që është ndryshe. Kërkova të jeni të dhembshur dhe bujarë ndaj atyre që kanë nevojë. Përcaktova si parim praktik të jetës suaj thënien “gjithë sa të doni, pra, t’ju bëjnë juve njerëzit, kështu u bëni edhe ju atyre” (Matth. 7:12). “Pse më thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?”
Bërthama shpirtërore e festës së sotme na fton në një rishqyrtim të kthjellët të sjelljes sonë dhe në një autokritikë ndaj ritmit të jetës sonë. Në një kthesë për një jetë të thjeshtë, që kërkon çlirimin nga gjuetia e shfrenuar për pasuri materiale, kërkesa të fryra dhe komoditete të tepërta.
Ai ndriçon me një mënyrë të veçantë vlerën e çdo njeriu, i cili për arsye të ndryshme rron në skamje. Për të gjithë ne që ndodhemi në kushte të vështira dhe privime, fal paqe, dinjitet dhe besim te Krishti, miku dhe vëllai i të varfërve, për të qëndruar në këmbë para sprovave. Veç kësaj, na nxit të gjithëve – qoftë kur kemi shumë apo pak, për të treguar interes të vërtetë ndaj çdo njeriu që gjendet në nevojë; duke filluar nga mjedisi i lagjes sonë, i vendit tonë, dhe duke e shtrirë më tej fushën e veprimit të mendjes dhe zemrës sonë, për zbutjen e varfërisë kudo në tokë.
Ndërsa në shekullin tonë po krijohet një shoqëri e ndërvarur, problemi bazë është ndërgjegjë- simi për detyrën ndaj të varfërve dhe solidariteti real, brenda qyteteve tona, shteteve tona, madje edhe nga njëri vend tek tjetri, nga njëri fis njerëzor tek tjetri, nga njëri popull tek tjetri. Nuk mundemi më të pretendojmë se nuk e dimë ose nuk na përket neve fakti që miliona fëmijë rrojnë në kushte të mjerueshme, pa ngrohtësinë elementare.Se mbi 800 milionë njerëz si ne vuajnë nga uria, ndërsa 3 miliardë rrojnë me më pak se 2 euro në ditë. Për më tepër, se shumë nga këta lëvizin pranë nesh me të ardhura edhe më të ulëta.
Kritika e rreptë e Vasilit të Madh ruan një aktualitet mahnitës edhe për të pasurit e sotëm, individë apo grupe: “Nëse atë që zhvesh një njeri të veshur mirë e quajmë hajdut, atë që e lë tjetrin zhveshur, ndërkohë që mund t’i ofrojë veshmbathje, a mund ta quajmë ndryshe?” Dhe konkludon: “Domethënë, u bën padrejtësi aq njerëzve, sa do të mund t’i ndihmoje”. Këtë dimension të drejtësisë dhe dinamikën e solidaritetit shoqëror duhet ta shpallë në çdo kohë Kisha e Krishtit, e mbrojtësit të të varfërve, në çdo nivel, lokal, ndërkombëtar, mbarëbotëror.
Në veçanti gjatë këtyre ditëve të Krishtlindjes, Kisha na fton që ta adhurojmë Krishtin, mbrojtësin e të varfërve, “i Cili ishte i pasur dhe për ne u bë i varfër, që të mund të pasurohemi me varfërinë e tij”.
Të gjithë ne, që ndodhemi para sprovës së varfërisë, të ndiejmë se Ai është pranë, për të na falur rezistencë dhe mbrojtje.
Të gjithë ne, që bëjmë jetë komode, t’u japim me gëzim dhe bujari – edhe kur vetë na mungon – atyre që ndodhen në fatkeqësi, afër dhe larg nesh.
T’i afrohemi të gjithë me më shumë besim, që të pasurohemi me thjeshtësinë dhe dashurinë e Tij, me qëllim që të shpëtojmë nga varfëria shpirtërore e mentalitetit të plogësht dhe egocentrist të epokës së sotme.
Krishtlindje të gëzuara, vëllezër! Për shumë vjet dhe i bekuar qoftë Viti i Ri. Me bujari dhe me më shumë përpjekje për të zbutur varfërinë rreth nesh. Duke pasur si objektiv, një shoqëri solidariteti të vërtetë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
“Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit.”
(Luk. 2:14)
Brenda shqetësimit dhe panikut që kanë shkaktuar gjatë muajve të fundit format e reja të te- rrorizmit, brenda pasigurisë që trondit botën, ky himn engjëllor merr një aktualitet të veçantë. Por, veç ngjarjeve tronditëse, që paraqiten herë pas here nga mjetet e informimit, paqja minohet dhe shkatërrohet nëpër qytete e fshatra, në familjet dhe brenda zemrës sonë me mënyra të ndryshme, të cilat nuk ngjallin dyshime. Jo të gjitha nga këto bëjnë zhurmë, por mbeten shkatërruese, ashtu si kanceri për organizmin. Pasionet prishëse dëbojnë paqen nga shpirtrat e njerëzve. Ato imponojnë përshtjellim dhe tronditje.
A
Në këtë situatë të zymtë që rëndon zemrat e njerëzve të panumërt, Kisha na fton që të tregojmë kujdes dhe të përsërisim me shpresë himnin engjëllor “Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhé”. Për të gjithë ata që janë rritur pa besim, kjo zakonisht dëgjohet si përrallë. Për të gjithë ne që besojmë te Perëndinjeriu Jisu, himni i engjëjve gjatë Lindjes së Tij përmbledh shpresën dhe fuqinë tonë për neutralizimin e trazirës shumëformëshe, që shtrihet, si një radioaktivitet i rrezikshëm, në tokë; por edhe për kapërcimin e shqetësimit tonë personal.
Njëkohësisht, duke u bërë njeri i Biri i Perëndisë, përcaktohen edhe rrjedhojat bazë të veprës së Tij: Lavdia dhe Paqja. Lavdi madhështisë hyjnore të paanë dhe paqe mbi dhé. Nuk është fjala thjesht për një urim, por për një premtim thelbësor që i referohet shpëtimit të krejt njeriut, i cili fillon me mishërimin e Fjalës së Perëndisë, duke pasur si perspektivë që të përfundojë në fundin e historisë, “në fundin e botës”. Kjo paqe nuk varet nga konsultimet njerëzore dhe interesat vetjake të të fuqishmëve. Ajo ka si pikënisje Perëndinë e dashurisë. Ndaj, fraza e parë është “lavdi Perëndisë që është në të lartat”. Eshtë fjala për ngjarjen kryesore që lavdëron Perëndinë.
Në jetën e Krishtit, që arriti kulmin në Kryq dhe në Ngjalljen e Tij, u zbulua paqja poliedrike që Ai i fal botës. Perëndia, tek i Cili kemi mbështetur besimin, është “Perëndi i Paqes” (Filip. 4:9). Paqja zë fill nga thellësia e qenies njerëzore, për t’u bërë fuqia mirëbërëse që qetëson mbarë botën. Paqja, të cilën shpall Dhiata e Re, është shumëdimensionale: personale, shoqërore dhe njëkohësisht, shenjtëruese, totale, eskatologjike.
Kuptimi i krishterë i paqes së brendshme është diçka më e thellë dhe më e gjerë se qetësia e stoikëve apo nirvana e budistëve, dhe nuk ka të bëjë fare me apatinë për çka ndodh rreth nesh. Ungjilli na zbuloi se e kundërta e paqes nuk është lufta, por egoizmi, egocentrizmi personal, komunitar, kombëtar, racial. Këtu gjendet rrënja e kërcënimit të paqes dhe këtu duhet të përqendrohet vëmendja dhe përpjekja jonë.
Përvoja orthodhokse shpirtërore nuk synon një paqe konvencionale, sipërfaqësore, të kushtëzuar vetëm në disa rajone, por paqen e plotë, me të tjerët, me veten tonë, me Perëndinë, me mbarë krijesën.
B
“Lavdi Perëndisë që është në të lartat dhe paqe mbi dhé”. Kohët e fundit, në leksikun e njerëz-ve, të vegjël dhe të mëdhenj, mbizotërojnë fjalët “terrorizëm”, “dhunë”, “luftë”. Por, me gjithë interesimin e shumanshëm për sundimin e paqes, shumë deklarata ngjajnë me maska që fshehin interesa vetjakë. Dhunimi më tragjik sot është dhunimi i paqes aq të dëshiruar. Ndonjëherë e ndiejmë veten të lodhur duke dëgjuar për paqen e përbotshme të tradhtuar dhe të dhunuar. Gjithsesi, e përhershme mbetet dëshira e njerëzve për bashkëjetesë paqësore. Dhe Kisha jonë lutet vazhdimisht “për paqen e mbarë botës”, “për paqen nga lart”. Paqja nuk mund të sigurohet në mungesë të Perëndisë. Këtë të vërtetë, shumë njerëz në epokën e sotme, madje edhe ndërmjet të krishterëve, e harrojnë lehtësisht.
Për të kremtuar më thelbësisht festën e Krishtlindjeve,- tej urimeve formale- duhet që ta pranojmë në jetën tonë paqen, duke pasur si udhërrëfyes dhe frymëzues “Princin e Paqes” (Isaia 9:16). Detyrë imediate e të gjithë neve që besojmë te “Perëndia i paqes”, që E lavdërojmë me himnin e engjëjve, është, së pari, të jemi në brendësi paqësorë. “Kërkoje paqen dhe ndiqe atë”, na nxit Davidi (Psalm. 33:15). “Kini paqe, dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë bashkë me ju” (II Korinth. 13:11), këmbëngul Apostull Pavli. Kjo është rruga e sigurt që të çon në përsosjen shpirtërore: “Kërkoni paqe me të gjithë, dhe shenjtëri- min, pa të cilin, asnjë nuk ka për të parë Zotin” (Hebr. 12:14).
Së dyti, duhet të jemi faktorë paqeje. “Lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie” (Matth. 5:9). “Asgjë nuk është aq karakteristike për të krishterin, se sa të luftojë për paqen; ndaj Zoti na ka premtuar për këtë shpërblimin më të madh”, thotë Vasili i Madh. Ndaj, sa varet nga ne, le t’i mbajmë marrëdhënie paqësore në të gjitha drejtimet (“në është e mundur për aq sa varet nga ju, bëni paqe me të gjithë njerëzit” – Rom. 12:18). Gjithashtu, të mos qëndrojmë pasivë ndaj tensioneve dhe konflikteve që ndodhin rreth nesh-në mjedisin tonë familjar, shoqëror dhe fetar. Le të kontribuojmë me fjalën e urtë, heshtjen domethënëse, me tërë praninë tonë paqësore, në kapërcimin e keqkuptimeve, në pajtimin e personave dhe grupeve.
Kryesisht, le të mos harrojmë se paqja nuk mund të bëhet vetvetiu. Ajo ka lidhje me vlera të tjera, të rëndësishme të jetës; dhe, para së gjithash, me drejtësinë. Një botë e padrejtë, e paligjshme, nuk mund të presë paqe. Dëshira e vërtetë për paqe në nivel mbarëbotëror, lokal ose personal, shprehet me përpjekjen për drejtësi. Por sot, paqja dhe drejtësia kanë tashmë edhe një tjetër emër: “zhvillim”. Dhe të gjithë ne që kemi mundësi, duhet të kontribuojmë në zhvillimin e rajoneve më të varfra. Kur të tjerët, larg ose afër nesh, janë të privuar nga gjërat më të nevojshme për mbijetesë elementare, nuk është e çuditshme që të orientohen në drejtime të tjera dhe të adoptojnë pikëpamje të tjera, të rrezikshme, fetare mbi rëndësinë e jetës dhe të vdekjes. Dhe, sigurisht, nuk janë përgjegjës vetëm ata për këtë orientim tragjik.
**
“Lavdi Perëndisë që është në të lartat dhe paqe mbi dhé”. Vëllezër, në këtë të kremte të madhe të Kishës sonë, le të përpiqemi më shumë për të kuptuar lidhjen e paqes dhe besimit te Perëndia, lidhjen e paqes dhe drejtësisë, lidhjen e paqes me dashurinë dhe gëzimin. Le të bashkohemi më tepër me “Princin e Paqes” të porsalindur. Dhe le të kërkojmë të na japë paqen e Tij, ashtu si Ai e shpalli dhe e jetoi. Në vend të dhuratave të tjera dhe urimeve, le të bëjmë përpjekje konkrete për ta shtuar paqen brenda vetes, brenda shtëpisë, në mjedisin ku rrojmë, në shoqëri, në vendin tonë.
“Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje (që është e pakapshme për trurin njerëzor) do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit” (Filip. 4:7).
Krishtlindje të mbara, vëllezër! Le të na mbushë zemrat, shoqërinë, botën me më shumë paqe, me paqe autentike!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Oshënar Nikolla i Mirës së Likisë. Dëshmor Niseri. Dëshmore Asela. Dëshmor Auksili.
“Edhe kjo do të jetë shenja për ju do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.” (Luk. 2:12)
A
Në agimin e mijëvjeçarit të tretë, ne psalim përsëri: “Lavdi Perëndisë që është në më të lar tat, edhe paqe mbi dhé”, ndërkohë që dhuna ka marrë revan. Me forma të shumëllojshme: me konflikte të armatosura, luftëra civile, trazira shoqërore dhe krimin e organizuar. Dhuna e çdo forme bëhet protagoniste si në ngjarjet mbarëbotërore, ashtu dhe në ato lokale. Pikërisht për këtë, përpjekja më e rëndësishme e të gjithë atyre që u dhimbset e tashmja dhe e ardhmja e njerëzimit është lufta kundër dhunës. E kremtja e Krishtlindjeve na zbulon sekretin shpirtëror për të mposhtur dhunën. Ajo shpall me ngazëllim atë që engjëlli u tha barinjve të Betlehemit: “Mos u frikësoni, sepse ja, tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd” (Luk. 2:11-12).
Shpëtimi, që e dëshirojnë aq shumë njerëzit dhe që e shpall Ungjilli, nuk vjen si një hero i armatosur, me shtabe njërëzish të fuqishëm dhe të ditur. Ai vjen me një foshnjë duke përmbysur plotësisht agresivitetin klasik dhe taktikën tradicionale të mbrojtjes. Shpërblyesi “mishërohet”, integrohet te njerëzimi në një mënyrë që befason çdo arsye njerëzore. I kundërvihet dhunës, në formën mahnitëse të një fëmije të pafajshëm. Paralajmëron kapërcimin e tmerrit dhe të akteve të dhunës me një imazh të papritur: vështrimin e një foshnje që rrezaton dritë në një grazhd. “Edhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd”. Shpëtimtari i botës, e cila sundohet nga dhuna, vjen pa pasuri, pa pushtet tokësor. Ai nuk synon të bindë me natyrën e Vet hyjnore, duke e argumentuar lirinë njerëzore. Vjen qetësisht, për t’u bërë një me ne -jashtë mëkatit dhe, natyrisht, jashtë agresivitetit.
Foshnja i Betlehemit është “fëmija” që kishte parathënë Isaia, “në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë… dhe paqja e tij s’do të ketë mbarim” (Isaia 9:5-6). Sado që të duket se dhuna do të mbetet sunduesja e përhershme në skenën e njerëzimit, përfundimisht, e ardhmja i takon të porsalindurit, që është “Perëndi i fuqishëm, i pushtetshëm, sundues i paqes, atë i shekujve”. Kjo gjë lartësohet si një simbol i përjetshëm kundër dhunës. Në këtë përmbledhje tronditëse të profetit për Mesinë, bën pjesë siguria e të krishterëve për të ardhmen – për të ardhmen tonë dhe të botës – fuqia dhe shpresa jonë.
Shumë herët, “fëmija” përballet me dhunën e pushtetit politik, të tipit të Herodit, dhe më pas me atë të mentalitetit judaik – të farisenjve dhe saducejve. E tërë jeta dhe doktrina e Tij do të jetë fjalë dhe veprim kundër dhunës, kundër logjikës që mbështetet në thënien “Sy për syrin”. “Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd dhe t’i kesh mëri armikut tënd. Po unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve…” (Matth. 5:43-44). Në çastin e vdekjes, me Kryqin e Tij do ta shkatërrojë dhunën dhe me Ngjalljen e Tij do të shkatërrojë formën më të keqe të dhunës, atë të vdekjes. Të gjithë sa E besuan dhe E deshën, e dinë fare mirë se Foshnja i Betlehemit është Perëndia i pakrijuar, i pakohë dhe i pakonceptueshëm, që kthehet në qenien njerëzore që krijohet, prishet dhe vdes për ta çuar drejt kapërcimit të çdo forme shtrëngimi të dhunshëm, në pjesëmarrjen sipas hirit në jetën e Tij të ringjallur.
B
“Edhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd”.
Pra, kjo foshnjë, që veçanërisht këto ditë ndodhet në qendër të adhurimit tonë, është “shenja” e përjetshme, që frymëzon një luftë të vazhdueshme kundër dhunës, e cila lëndon jetën njerëzore në nivel ndërkombëtar dhe lokal, në forma të dukshme, por edhe të fshehta. Si rregull, me prirje më të madhe ndaj ngasjes së dhunës janë ata që kanë pushtet – politik, ekonomik, administrativ. Sepse ata kanë mundësi për të imponuar çka u intereson me mekanizma të ndryshëm; me metoda autarkike, me dhunimin e informacioneve, lavazhin e trureve elektronikë dhe njerëzorë, me kërcënime dhe blerje ndërgjegjesh.
Por, dhuna nuk gjendet vetëm aty ku janë fuqitë e mëdha, as vetëm aty ky mjetet e komuni- kimit masiv na drejtojnë vështrimin. Ajo vihet re edhe në vende më të vogla, në qytete, në fshatra, në komuna e kudo ku jetojnë njerëz. Zakonisht, viktima të saj janë anëtarët e pambrojtur të shoqërisë, të moshuarit, gratë dhe fëmijët. Shumica nga ne e kemi ndeshur fytyrën e ashpër të saj që në vitet e fëmijërisë. Më të vjetrit e kanë hasur që në vitet e pushtimit të huaj dhe të sistemit totalitar, ku dhuna ushtrohej hapur. Më të rinjtë e shohin herë pas here të lëvizë përsëri në vend me trazirat e brendshme të dhjetëvjeçarit të kaluar, por edhe në tragjedinë e shumanshme të Ballkanit. Dhuna na befason me format e shumëllojshme të kriminalitetit, të përdhunimit të grave të reja, por dhe të fëmijëve, si dhe të gjakmarrjes që mundon brezat; na tremb me asgjësimin e personalitetit njerëzor me anën e narkotikëve, me shpërthimin e akteve të dhunshme nëpër stadiume. Disa nuk ngurrojnë që, në vallen e egër të dhunës, të thurin edhe parulla fetare.
Por, më e rëndësishmja është se virusi i dhunës qëndron në pritje brenda nesh dhe në çaste kritike shfaqet në marrëdhëniet tona me të tjerët. Le të mos e nënvleftësojmë agresivitetin e fshehur në çdo zemër njerëzore. Kisha jonë, në mënyrë të përsëritur dhe në veçanti gjatë kësaj të kremteje të madhe, na fton në një përpjekje të ndërgjegjshme për mposhtjen e dhunës. Njëkohësisht, na zbulon se, pas shfaqjes së saj, normalisht gjendet pangopësia, ambicja, urrejtja, egoizmi, pasionet e çdo forme. Ajo thekson se “Princi i Paqes” lind brenda një thjeshtësie absolute. Kjo mbetet antidoti kundër grykësisë, që si rregull ndez dhunën.
Besimi orthodhoks na nxit për të filluar përpjekjet që brenda vetes, që nga mënyra se si men- dojmë ose kërkojmë për të imponuar pikëpamjet tona, në shtëpi, në mjedisin e punës dhe atë shoqëror. T’i shmangemi çdo sjelljeje të rrëmbyer e ofenduese dhe çdo tendence për dhunë. Sepse dhuna nuk shprehet vetëm duke ngritur zërin dhe me zemërim. Ajo shpesh lëviz me qëndrueshmërinë e një mjeti me zinzhirë, që e drejton inati dhe mendjemadhësia, duke sheshuar çdo gjë. Ndonjëherë ajo adopton edhe metoda joshëse për të dhunuar vullnetin dhe lirinë e të shumtëve.
**
Vëllezër, në këtë të kremte të madhe le t’i lutemi Shpëtimtarit, “Fjalës së përjetshme,… Atij që me dashje u shfaq si fëmijë i vogël, Perëndisë së para gjithë shekujve”, që të qetësojë planetin tonë të trazuar nga shtrëngata e dhunës. Le të lutemi me gjithë zemër që të ndërpritet çdo formë dhune në vendin dhe në rajonin tonë, dhe mbi tokë të mbizotërojë paqja e Tij. Njëkohësisht, le të marrim vendimin e palëkundshëm, për të luftuar e për të mposhtur dhu- nën kudo ku kemi mundësi: në jetën tonë familjare, shoqërore dhe politike, por edhe në kriza ndërkombëtare. Ndoshta, në pamje të parë dukemi të pafuqishëm, si zero të parëndësishme në llogaritë e të fuqishmëve. Por, pas Njëshit, mposhtësit të dhunës, të gjithë ne shtojmë miliona mundësi. Të mos e lëmë shpresën të na thyhet. Para së gjithash, le ta ndalojmë agresivitetin tonë-në veprat, fjalët, sjelljen tonë-duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga Princi i Paqes, Krishti, Lindjen e të Cilit kremtojmë sot.
Për shumë vjet, me paqe të thellë në zemrat tona!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Nat’ e qet’, Nat’ e shenjt’
Që u lind foshnj’ e shenjt’
Rreth fëmijëve At’ qiellor
Ndriçon drit’ e yllit tënd
Fli i qetë o Krisht (2x)
Nat’ e qet’, nat’ e shenjt’
Janë në gjumë njer’zit krejt
Veç Josifi me Marinë
Janë të zgjuar me shenjt’rin’
Fli me paqen qiellor’ (2x)
Nat’ e qet’, nat’ e shenjt’
Ca barinj, me të shpejt’
Lajmet e engjëjve i dëgjuan
Dhe në Betlehem vrapuan
Shpëtimtari u lind (2x)
“Zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit.”
(Filip. 2:7)
I
Kremtimi i Krishtlindjeve ka marrë sivjet një theks më solemn, sepse po mbushen dy mijë- vjeçarë nga Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht. Me shumë aspirata hyjmë në shekullin e ri, në mijëvjeçarin e ri, ku na presin, sigurisht, shumë evolucione teknologjike dhe mundësi të reja zhvillimi. Por, ajo që me sa duket nuk do të pushojë së tiranizuari jetën tonë dhe së munduari shoqërinë është egoizmi i çdo forme dhe mendjemadhësia shkatërruese. Në këtë kërcënim helmues, të vetmin antidot për shpëtim e ofron Krishti Shpërblyes, i Cili që nga Grazhdi deri në Kryq, “zbrazi veten” dhe na zbuloi fuqinë mistike të përuljes, për t’u çliruar nga mburrja tiranizuese.
Kisha jonë kremton ngjarjen e Lindjes lavdërues dhe meditim: “Fjala, edhe pse është e njëqenshme me Atin… u lind në shpellë; kjo është surprizë!” (Lavd. 21.12). Me ngrohtësi poetike, Shën Grigor Theologu e përmbledh kuptimin e së kremtes: Perëndia “varfërohet me trupin tim, që unë të pasurohem me hyjnësinë e tij … zbrazet për pak nga lavdia e tij që unë të marr përmbushjen… merr trupin tim, që edhe ikonën ta shpëtojë, edhe trupin ta bëjë të pavdekshëm”.
Kjo “surprizë” nuk ka të bëjë vetëm me faktin se “çfarë” ndodh në thelb, por edhe se “si” realizohet kjo. Ngjarja tronditëse e Trupëzimit të Fjalës hyjnore, nuk shoqërohet me madhështi të jashtme që të verbon, por me një thjeshtësi dhe përulje që të mahnit; me “zbrazjen”, mohimin dhe përuljen absolute. Krishti, shpjegon Apostull Pavli, “duke qenë në formë Perëndie, nuk e quajti rrëmbim të qenët i barabartë me Perëndinë, por zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit” (Filip. 2:6-7).
Shkaku i rënies së qenieve shpirtërore, engjëjve, me e protagonist Eosforin, ishte mburrja. Ata kërkuan që të ngriheshin mbi Perëndinë. Adami ndoqi po atë rrugë; lakmoi që të bëhej Perëndi, duke iu kundërvënë Krijuesit të tij. Rruga e re, të cilën përcakton Fjala hyjnore e trupëzuar për rikrijimin e njeriut, fillon nga ana e kundërt: me përuljen, “zbrazjen”. Aty, djalli është i paaftë për të rezistuar, sepse është një hapësirë që nuk e njeh fare dhe nuk mund të lëvizë. E tërë jeta dhe predikimi i Shpëtimtarit Krisht zbuluan forcën mistike të kësaj përuljeje dhe “zbrazjeje”. “Dhe duke u gjendur me pamje si njeri, – vazhdon Apostulli, – e përuli veten e tij, duke u bërë i bindur deri në vdekje, dhe vdekje kryqi” (Filip. 2:8).
II
Ndërsa sjellim ndër mend mijëvjeçarët që kaluan, peripecitë dhe sprovat e popujve, vëmë re me lehtësi se konfliktet e tmerrshme, luftërat e përgjakshme, shtypjet tragjike të personave, grupeve, popujve, janë pasojë e mendjemadhësisë njerëzore. Ajo të verbon trurin dhe të shtyn drejt manisë shkatërrimtare; popuj të tërë i tërheq drejt nënvleftësimit të çdo forme të të tjerëve, më të dobtëve. Gjithashtu, të gjithë i njohim të këqijat që sjell të mburrurit në rrethin e ngushtë apo më të gjerë, tensionin, kontradiktat, ftohtësinë që krijojnë egoizmat e të tjerëve, por edhe prirjet egocentriste të vetes sonë, sepse mendjemadhësia nuk ka të bëjë vetëm me pozita të larta ose me persona me aftësi të jashtëzakonshme. Shpesh e shohim atë edhe tek individë të zakonshëm ose edhe të mangët. Ashtu, si në të kundërt, përulësia mund të stolisë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe ata me talente të veçanta. Eshtë fryt i pjekurisë, por edhe hir i dhënë nga Perëndia.
Natyrisht, ritmet moderne të shoqërisë sonë janë krejt në kundërshtim me mesazhin e përulë- sisë dhe të thjeshtësisë që transmeton e kremtja e Krishtlindjeve. Ai zhduket brenda zhurmave shurdhuese të demonstrimeve dhe të luksit. Vëmendjen e njerëzve normalisht e tërheq çka është impresionuese, çka lidhet me shkëlqim, me pará,me fantazmagori. Përulja dhe thjeshtësia në shoqërinë tonë të prosperitetit dhe të hapur duken si nocione jashtë hapësirës dhe kohës. Edhe brenda mjediseve kishtare, megjithëse shpesh bëhet fjalë për përuljen dhe për çdo gjë që lidhet me të, mënyra e mendimit dhe e sjelljes shkakton shpesh mburrje të fshehur, autarki, madje edhe mendjemadhësi.
Megjithatë, përulja sipas Krishtit përcakton qëndrueshëm sekretin e fuqisë shpirtërore dhe të rrezatimit të Kishës sonë. Në shekuj dëshmia e Ungjillit nëpër botë është dhënë me dashurinë flijuese dhe thjeshtësinë e atyre që iu përkushtuan Atij që u lind përpërulësisht
**
Vëllezër, këto ditë ofrohen për lutje dhe autokritikë. Le t’i afrohemi me shpresëtari Foshnjës Hyjnore dhe le t’i kërkojmë të na falë diçka nga thjeshtësia dhe përulësia e Tij. Të na bëjë të denjë për t’iu afruar, me ndjenjë dhe dërrmim shpirtëror, Potirit të shenjtë të Eukaristisë Hyjnore, që e bën të pranishme “zbrazjen” e Tij.
Le të lutemi që “Krishti, Perëndia ynë i vërtetë… i lindur në shpellë” të çlirojë nga krekosja, që të errëson mendjen dhe zemrën, të gjithë ata që ndodhen në pozita drejtuese, të mëdha apo ta vogla, t’i ndriçojë që të marrin vendime të drejta dhe paqësore.
Gjithashtu, le t’i urojmë njëri-tjetrit që të bëhemi më të përulur dhe të thjeshtë në jetën tonë private, në marrëdhëniet tona brenda rrethit të familjes dhe të punës, brenda shoqërisë sonë. Një qëndrim i tillë tërheq Hirin e Perëndisë dhe krijon klimën që të lulëzojnë të gjitha të tjerat, që vazhdimisht urojmë: para së gjithash, dashuria, gëzimi dhe paqja.
Krishtlindje të gëzuara, të ndriçuara nga drita e së vërtetës, që u Lind në Grazhd!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.