Oshënar Kirili i Jerusalemit. Dëshmor Eduardi në Angli. Frediani i Lukës.
Shenjtori i ditës – 18 Mars

Oshënar Kirili i Jerusalemit. Dëshmor Eduardi në Angli. Frediani i Lukës.
E DIELA III E KRESHMËS
(Marku 8:34, 9:1)
KRYQI I KRISHTERIMIT DHE KRYQI I TË KRISHRERIT
“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas” (v. 8:34).
Sot Kisha jonë, që të na fuqizojë në luftën tonë shpirtërore në këtë periudhë të Kreshmës së Madhe, na paraqet për adhurim Kryqin e Nderuar të Zotit. Këtij ftohemi t’i falemi dhe të kujtojmë kryerjen e veprës së madhe të shpëtimit të botës dhe të dëgjojmë kushtet e shpalljes së Mbretit tonë të madh, Jisu Krishtit.
Janë tri kushte:
1. Vendimi i lirë për t’iu përgjigjur ftesës,
2. Mohimi i vetes sonë dhe
3. Ngritja mbi supe e Kryqit.
***
Ftesa hyjnore tregon sinqeritetin e ftuesit. Nga momenti i parë, kur Ai i fton njerëzit, nuk ua fsheh të vërtetën, as përpiqet që të krijojë një atmosferë të rreme dhe ëndrra mashtruese, siç bëjnë shpesh ata që përpiqen të tërheqin pranë vetes turma njerëzish dhe sidomos të rinjtë. Shumë mashtrues, kur i drejtohen gjindjes, përdorin fjalët më joshëse, shprehjet më fantastike. U flasin gjoja për drejtësi, që nuk është gjë tjetër veçse një padrejtësi e maskuar. Ua mbushin mendjen për një jetë gjoja të lirë, e cila të drejton në skllavëri shpirtërore. U propozojnë ndryshime të institucioneve dhe të vlerave.
Kur Krishti ftoi nxënësit e Tij, u dha këtë porosi: “Më ndiqni mua”. Me të vërtetë, nxënës i Zotit është ai që e ndjek Atë, duke zbatuar detyrën e ngarkuar nga Zoti, për ta pasuar Atë edhe në lavdi. Nxënësi i Krishtit nuk e këshillon Mësuesin e vet, siç veproi Pjetri, duke harruar pozitën e tij, por e ndjek Atë siç e ndjek delja bariun, shërbëtori të zotin, ushtari komandantin, në përputhje me të njëjtin qellim, domethënë lavdinë e Perëndisë.
***
Që nga çasti kur na fton, Zoti na bën të ditur se rruga është me të përpjeta. Nëse, me ndërgjegje të plotë, vendosni të më ndiqni, duhet të mohoni veten tuaj, domethënë të luftoni egon tuaj. Të ndërprisni çdo lidhje me njeriun e vjetër brenda jush, të prishur nga mëkati. Të mohojmë dhe t’i kundërvihemi fuqisë së brendshme që shumë herë na shtyn dhe na nxit drejt së keqes dhe mëkatit.
Gjithçka që bën folé brenda nesh, pasione dhe ligësi, duhet t’i çrrënjosim dhe në vend të tyre të vendosim dashurinë, ndershmërinë dhe sinqeritetin. Madje, nga ata që e ndjekin në mënyrë të lirë, Krishti kërkon që, me besim, shpresë dhe durim të ngrenë Kryqin e tyre. Dhe kjo përbën kushtin e tretë.
***
Ashtu si Krishti vdiq mbi Kryq, që të përmbushte atë që e konsideronte si borxh të Tij, shpëtimin e botës, kështu edhe ne duhet t’i qëndrojmë besnikë kryqit të detyrës sonë. Por cili është borxhi ynë dhe cila është detyra jonë? Borxhi ynë kryesor është që të kryqëzojmë njeriun e vjetër që ekziston brenda nesh, të vrasim pasionet dhe dëshirat mëkatare, që të mund të përsërisim fjalët e apostull Pavlit: “Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton brenda meje” (Gal. 2:20). Pra, që të shlyejmě borxhin tonë kryesor ndaj Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, kërkohen shumë sakrifica: që të mbetet dikush i ndershëm,i drejtë, shpresëtar dhe njeridashës, duhet që gjithmonë të jetë i përgatitur të pësojë dëme, mungesë parásh, humbje kohe, mundime, rënie në pozitë etj. I krishteri duhet, gjithashtu, nëse e jep Zoti, të pësojë përndjekje dhe të imitojë Zotin, madje edhe në sakrifikimin e jetës.
Kryqi i detyrës është: për ushtarin mbrojtja e atdheut, për klerikun përkujdesja për grigjën logjike, për mjekun sakrifica për bashkënjerëzit, për gjyqtarin mbrojtja e së drejtës, për mësuesin shkrirja si qiri për të ndriçuar zemrat dhe mendjen e nxënësve të tij.
Kryqi është mënyrë jetese. Nëse do të shikonim dikë të hedhë poshtë dhe të shkelë kryqin, do ta lejonim? Sigurisht jo. Megjithatë, këtë bëjmë. Pse zemërohemi? Sepse nuk mundemi të ngremë kryqin e durimit. Pse rënkojmë nga sëmundja? Sepse nuk mundemi të ngremë Kryqin e dhimbjes. Harruam t’i lutemi Krishtit që të na e ëmbëlsojë dhimbjen, të na zbusë shqetësimin, të na lehtësojë barrën si një “Simon kirineas” tjetër. Harruam fjalët e apostull Pavlit, i cili na thotë: “Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë të barazohen me lavdinë që do të zbulohet ndër ne” (Rom. 8:18). Përse i braktisin shumë të tjerë familjet e tyre? Sepse nuk mund të ngrenë kryqin e martesës. Ekzistojnë dhe dorëheqje më të frikshme nga jeta e Kryqit. Pse shumë nëna e trajtojnë pa keqardhje fëmijën e tyre në thikën e abortit? Sepse nuk mund të ngrenë kryqin e lindjes së fëmijës.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Kisha jonë, që të na frymëzojë dhe të na japë fuqi, që me tolerancë të pranojmë dhe të mbajmë kryqin e detyrës dhe të dhimbjes, na paraqet të gjithëve ne sot Kryqin triumfal të Shpëtimtarit tonë. Le t’i afrohemi dhe le t’i falemi me shpresëtari. Me buzë dhe me zemër le t’i lutemi me këto fjalë: “O Kryq i shumëshenjtë, mbështetja e Kishës sonë, mburrja e besimit tonë. Një herë dru çnderimi e vdekjeje dhe tani dru i lavdisë e i jetës, mjet tri herë i lumtur i shpëtimit tonë, ndihmona që zemra jonë të mbërthehet te Krishti ashtu siç Krishti u mbërthye mbi ty”.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 30.03.2008
Paradoksi i Kryqit
E Diela e 3-të e Kreshmës
E Faljes së Kryqit
(Mark. 8:34-9:1)
Fjala rreth Kryqit ka qenë një predikim i vështirë në mbarë kohërat, veçanërisht për njeriun bashkëkohor, kjo fjalë duket tepër e vështirë për t’u kuptuar. Arsyeja është se ai jeton në të ashtuquajturën “shoqëri të mirëqenies”, që ka hyjnizuar komoditetin dhe sigurinë. Megjithatë, Zoti vazhdon të na theksojë se “kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas”. Të shumtë janë ata që e kundërshtojnë këtë fjalë të Zotit. “Epoka jonë, – thonë ata, – është shumë e ashpër. Nëse përpiqesh të mohosh veten tënde, të lësh të drejtat e tua, do të të shfrytëzojnë e në fund fare do të dështosh”.
Por ja që Krishti vazhdimisht na e thekson me forcë se: “Ai që do të më ndjekë, le të mohojë veten e tij…”.
Pikërisht këto pozicionime janë ato që e skandalizojnë mendimin njerëzor praktik. Po përse vallë tmerrohemi kur biem në kontakt për herë të parë me këtë paradoks?
Në jetë ekzistojnë shumë të vërteta të mëdha e po ashtu edhe në shkencë, që në pamje të parë kumbuan si të çuditshme. Si p.sh. në matematike, “mendimi algjebrik” solli idenë, në pamje të parë paradoksale, se ekzistojnë numrat nën zero. Kjo asokohe u duk shumë e vështirë për t’u pranuar nga mendjet e zakonshme. Por, me anë të këtij parimi u mundësua zgjidhja e shumë problemeve, deri atëherë të pazgjidhshme, me anë të “mendimit të thjeshtë të aritmetikës praktike”. Gjithashtu, dukej e pamundur që në një kuti të vogël do të dëgjoje dhe do të shikoje se çfarë bëhej me mijëra kilometra larg, dhe se me një aparat tjetër më të vogël do të flisje me miq që jetojnë në skajin e një kontinenti tjetër; se aeroplanë me një peshë të madhe dhe me qindra njerëz në bordin e tyre do të përshkonin qiejt, e të tjera gjëra si këto. Ajo që në pamje të parë mund të duket paradoks, në fakt mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo e tillë.
Në jetën shpirtërore paradoksi i “Mendimit të Kryqit”, që solli Krishti me predikimin dhe Pësimin e Tij, e vërteta e madhe se për të gjetur vetveten, duhet ta sakrifikosh, u çeli njerëzve horizonte të reja, të pakuptueshme për mendimin mikroborgjez. Ai që e zbaton këtë parim, shkon në një tjetër dimension të pjekurisë shpirtërore dhe për të folur më teologjikisht, hyn në zonën e shpëtimit.
Elementi i parë i “Mendimit të Kryqit” është:
Detyrimi që kemi
Për të rezistuar ndaj kërkesave tona mëkatare
Shpeshherë një prirje e pavetëdijshme na nxit ta shndërrojmë individin tonë në qendrën e jetës sonë dhe të të tjerëve. Kjo prirje fillon në mënyrë instinktive qysh në vitet e fëmijërisë dhe, për aq kohë sa nuk piqen shpirtërisht, i torturon njerëzit deri në pleqëri.
Nëse kthjellohemi, do të vërejmë se një përqindje e madhe e angazhimit tonë harxhohet për të fuqizuar gjithnjë e më shumë idhullin e vetes sonë në altarin e fantazisë sonë. Por, kur e zhvendosim aksin e jetës, që është Perëndia dhe vëmë në epiqendër “egon” tonë, në qëllimet tona, brenda familjes sonë, vërtitemi pareshtur përreth vetes – “qenies së pafund dhe të ngutshme të çastit”, siç na thotë poeti – dhe pushtohemi nga trullosja e na merren mendtë. Në fund fare, mohoj veten time, do të thotë të çlirohem nga një skllavëri e palogjikshme. Gjithashtu, do të thotë të zbuloj se i vetëm në vetvete jam diçka e parëndësishme dhe, prandaj, është marrëzi të kërkoj ta lartësoj veten time, që është thuajse asgjë e ta kthej në një idhull – për mua dhe për të tjerët rreth meje. Por kjo “qenie e parëndësishme” mund lartësohet në diçka shumë të rëndësishme, me anë të Kryqit të Krishtit, me anë të bashkëkryqëzimit me Atë.
Një element i dytë thelbësor i “Mendimit të Kryqit është se:
Mohimi duhet të plotësohet nga një pranim
Nuk janë vetëm pengesat që ia vendosim vetes në rrugën e shpëtimit dhe të plotësisë së jetës. Por janë edhe anët tragjike të betejës së jetës, kryqet konkrete, të cilët na i rezervon jeta njerëzore: sëmundjet, padrejtësitë, vdekjet, zhgënjimet e hidhërimet nga djallëzia dhe zemërashpërsia për shkak të faktorëve të ndryshëm. Të gjitha këto duhet t’i pranojmë “me paqe dhe shpresë”, brenda dritës së Kryqit të Krishtit dhe të Ngjalljes së Tij. Kush e ndjek Jisuin, duhet të bëjë një rrugëtim që kapërcen sprovën e kryqit.
Në Golgotha, siç e dimë të gjithë, ishin tri kryqe: dy prej tyre ishin fundi i ecurisë së jetës së dy kusarëve, ai i mesit, i Jisuit, ishte një udhëkryq. Sepse Ai që u lartësua mbi kryq, kishte kaluar një jetë dashurie e të vërtete dhe udhëtonte nëpërmjet Kryqit për të shkuar tek Ati. Për më tepër, hiri dhe fuqia e Kryqit të Krishtit ndikuan dhe transformuan njërin prej dy kryqeve të tjerë, duke e shndërruar me anë të pendimit në “derë” të parajsës. Ky është ngushëllim real për sa sot ngrenë kryqin e fajit.
Një element i tretë i “Mendimit të Kryqit” na qartëson se:
Mohimi dhe dëshira e mirë për t’u sakrifikuar, nuk nënkuptojnë një qëndrim pasiv ndaj jetës
Çlirimi nga egoja, të cilën për herë të parë na e mësoi Krishti, nuk përbën qëllim në vetvete, sipas një koncepti budist për jetën. Nuk është apati, si ajo që hasim në Indi dhe në Lindjen e Largët. Ajo që na kërkohet është të çlirohemi nga përqendrimi tek individi ynë; që të jepesh i gjithi te Perëndia, të “kungohesh”, të marrësh pjesë në jetën e Krishtit dhe ta ndjekësh në një jetë dashurie e transformimi të botës.
Ne që jetojmë në epokën e energjisë atomike, mund t’i shikojmë nga një këndvështrim i veçantë fjalët e Krishtit për mohimin dhe kapërcimin e vetes. Përparimi i madh që u arrit në qytetërimin teknologjik u mbështet mbi shpërbërjen e atomit, e cila shërbeu si burim për një cilësi të re energjie.
Paralelisht, shpërbërja e egocentrizmit tonë, mohimi i vetes për hir të Krishtit, mund të përbëjë burim të pashtershëm energjie, i aftë të transformojë tragjizmin e jetës sonë dhe të na udhëheqë drejt një ndryshimi esencial, personal e shoqëror, në pjekuri dhe ngritje shpirtërore.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)
Oshënar Aleksi, njeriu i Perëndisë. Episkop Patriku, ndriçuesi i Irlandës.
Dëshmorët Savin Egjiptiani, Juliani. Oshënarët Kristodhuli dhe Anini, çudibërës.
Apostull Aristovuli nga të 70-t, i Britanisë. Dëshmorët Romili/Romuli, Timolau etj.